Radiografi

February 8, 2017 | 12:14

Arkiv / Pasuria e Artan Lames!

Shumë shqiptarë janë gati ta ngrenë në krahë kryeministrin Rama, i cili me show e batuta sarkazmë u dha në dorë letrat e legalizimit për objekte të ndërtuara pa leje, por të ligjëruara me firmën e Artan Lames si drejtor i ALUIZNIT. Ndërsa për vetë Lamen, të qenit në krye të dikasterit të legalizimeve, edhe pse mund t’i japë një kënaqësi triumfi të ligjshëm, nuk është pika e tij më e fortë. Më së shumti, ai mbahet mend si një koleksionist me sqimë, në “depon” e të cilit, pa dyshim, gjenden plot xhevahirë të trashëgimisë së historisë shqiptare. Gjëra të rralla, që ose mendoheshin si të humbura, ose as që dihej se ekzistonin.

Sot, Artan Lame punon në një ambient rreth 50 metër katror. Jo ndonjë gjë e madhe po ta krahasosh me zyrat e kolegëve të tij, e për të mos shkuar më larg, ato të eprorëve. Ndërkohë drejtori Lame, kalon në atë zyrë pjesën më të madhe të ditës edhe pse një gjë e tillë mund të mos jetë në dëshirën e tij ekstreme. Gjithsesi, është një angazhim i përgjegjshëm për një nga çështjet më delikate që shoqëruan vitet e tranzicionit shqiptar, legalizimin e pronave.

Por duket se Lame, nuk është thjesht, apo 100 për qind, një zyrtar klasik i shtetit, ndaj në zyrën që qeveria i ka dhënë në përdorim, ka zgjedhur të ndërtojë habitatin e tij, një mjedis komod, përshtatur me natyrën që ka. Nuk është e lehtë po të mendosh se objektet e fiksuara prej tij kanë lëvizur në disa zyra shteti, ashtu si dhe pozicionet që ai ka pasur në karrierën e tij zyrtare. Gjen brenda asaj hapësire, objekte që ia bëjnë më të lehtë emocionalisht një ditë të ngarkuar mes problemesh të “hekurta”. Një karrige e kuqe, e cila feks me ngjyrën e portokalltë të mureve përkarshi mobilieve, të cilat domethënie kanë trashëgiminë kulturore. Një dollap i ruajtur prej vitesh me kujdes, pa më të voglin dëmtim. Një bufe dhe poltronë, tavolinë mesi e xhamtë…

artan-lame

 

Shkurt, të gjitha të një kohe të shkuar. Të vetmet mjete që të kujtojnë se jetojmë në një epokë moderne janë kompjuteri, televizori dhe smartphone. Druri është emblema e jetës, e në këtë rast, për të, simbol gjysmëshekullor i vlerave të bartura në kohë të ndryshme. Gjithçka e lidh me trashëgiminë. Ajo është mishërim që e lidh gjithashtu me historinë, mes tyre objekte me vlerë të veçantë, tregues të prejardhjes dhe shënues për gjeneratën e re. Mes dosjesh që ngrihen si mal mbi tavolinë, formularësh, bisedash telefonike “non stop”, ka gjithmonë kohë të merret me pasionet e tij, pas të cilave thotë se nuk do të heqë dorë asnjëherë. Madje është gjithmonë në kërkim të artefakteve apo dëshmive, për të zbuluar gjithherë më shumë kohërat që kanë shënjuar ekzistencën e shqiptarëve.

Intervistoi Orjona TRESA

Keni thënë ndonjëherë me vete: Ç’m’u desh kjo punë?

Epo mua kjo punë nuk më ra nga qielli. Jam marrë me problematikën e legalizimeve, e di që kur? Që në vitin 2001 në Bashkinë e Tiranës, ku për herë të parë në këtë vend u diskutua për çështjen e “sanatoria”-s, kështu e quajtëm asokohe. Pastaj, vetëm ndonjë vit më pas, u shpik termi legalizim. Kam qenë një nga autorët e Ligjit të parë të legalizimeve të bëra në këtë vend në vitin 2004, në kohën e qeverisë Nano. Dhe tash së fundi, jam marrë me programin qeverisës të Qeverisë së Sotme, ku e kemi trajtuar gjerë e gjatë çështjen e legalizimeve.

Por nga ana tjetër ka një dukje kundërshtie. Mes faktit që për vite e vite me rradhë jam marrë me rregullimin e territorit dhe me trashëgiminë kulturore, ndërsa tani më duhet të merrem me legalizimet e të paligjshmes. Në dukje mund të jetë kështu, por vetë legalizimi është një hap drejt sistemimit urban dhe drejt një rregullimi situate që ka qenë ekstra ligjore. Pra çon në rregullim dhe në frenimin e rrëmujës deri tanishme.

Kur sheh masën e frikshme të ndërtimeve të paligjshme, konkludon se, të gjesh të ligjshmen në këtë pyll betoni dhe tullash duhet të jetë afër të pamundurës. E keni dhe ju këtë ndjesi kur uleni në mëngjes në karrigen tuaj të punës?

Koncepti i paligjshmërisë ka kuptim kur në njëqind vetë e shkelin ligjin një, dy apo pesë prej tyre. Por, kur në njëqind vetë e shkelin ligjin të gjithë apo gati të gjithë, problemi nuk është më te njerëzit, por te ligji. Kur fenomeni merr përmasa të tilla, prej dhjetëra-mijë apo qindra-mijë shkelësish, koncepti midis të ligjshmes dhe të paligjshmes ndryshon, dhe shoqëria duhet të kuptojë se ka një problem për të zgjidhur. Përtej kësaj, tani nuk jemi më në fazën kush është e ligjshme dhe kush është e paligjshme, por të ligjërojmë këtë realitet të formuar të shqiptarëve. Ky është funksioni i reformës të legalizimeve, përtej deformimeve dhe keqpërdorimeve elektorale dhe politike të momentit.

Pse kanë ndërtuar kaq shumë pa leje shqiptarët, sipas jush?

Shqiptarët kanë mbi 2000 vjet që ndërtojnë pa leje dhe s’ka asnjë arsye pse të çuditemi se çfarë i gjeti tani papritur. Kanë që në kohën e legjendës së Rozafës që ndërtojnë pa leje dhe që shteti jua prishte atë që ndërtonin, e prapë ata vazhdonin. Pastaj, veçanërisht këtë çerekshekullin e fundit nuk i ka ndaluar askush që të mos veprojnë. Kanë tentuar të vënë tullën e parë dhe, në momentin që s’kanë pasur asnjë sinjal reagimi nga shteti, kanë shtuar të dytën, e kështu me radhë, e pasi kanë ndërtuar një kat kanë hedhur edhe të dytin. Dhe nga ana tjetër, shteti shqiptar i epokës së demokracisë nuk ia doli asnjëherë që të zgjidhte kontradiktën midis nevojave të njerëzve për të mirëjetuar dhe aftësisë së shtetit për të disiplinuar.

Si jeni si epror? Bashkëpunues, kërkues apo tolerant?

Këto terma nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, nuk janë kundërshtues mes tyre. Qëllimi i drejtuesit është të nxjerrë maksimumin nga vartësit dhe bashkëpunëtorët dhe, për këtë, vlejnë të tria këto që ke rreshtuar ti dhe ca të tjera që nuk i ke shënuar. Në vazhdim të kësaj do të kujtoja një shprehje të Hitlerit që thoshte: “Nëse do të dënosh dikë, dënoje pa dëgjuar. Po e dëgjove, shpëtoi, se do të ketë arsyet e veta”. Unë nuk është se zbatoj këtë parim, jo pse e ka thënë Hitleri, por se realisht pas çdo nëpunësi, duhet të shohësh një njeri që ka botën e vet, hallet, problemet, ëndrrat dhe nevojat e veta.

Ka diçka që jua prish ditën e punës?

Po. Ajo që realisht ma prish humorin dhe ditën e punës është kur përpiqesh për një kohë të gjatë të ngresh një sistem apo mekanizëm që të funksionojë për të vënë në lëvizje një proces të caktuar dhe pastaj papritur, kur ai duhet të funksionojë, fillojnë pengesat që nuk varen nga ty. Një herë nuk përgjigjet një institucion, pastaj nuk kthen përgjigje një tjetër, një i tretë s’e ka marrë vesh detyrën, i katërti ka dërguar personin e gabuar, e kështu me radhë. Në fund, ti sheh se duhet t’i bësh llogaritë jo me sistemin, por me njerëzit.

Brenda politikës keni thjesht “armiq”, kundërshtarë apo…?

Në Shqipëri nuk ka kundërshtarë. Në Shqipëri ka vetëm armiq. Ky është parimi numër një i politikës në këtë vend, ose të paktën i asaj që ne quajmë politikë. Kur të kemi ndërruar mendjet në këtë pikë dhe, që të ndryshojnë mendjet duhen të paktën dy a tri breza, hajde të flasim për kundërshtarë që dinë të tolerojnë njëri-tjetrin.

Meqë jemi tek toleranca, në Shqipëri ka kaq pak tolerancë politike dhe kaq shumë tolerancë fetare?

Nuk është e vërtetë asnjëra. Nëse shqiptarët nuk do të ishin tolerantë, pas ’90-ës do kishin marrë hak mbi gjithë krimet e periudhës komuniste, gjë që nuk ndodhi. Pra ja që qenkemi edhe tolerantë. Për sa i përket tolerancës fetare, edhe kjo nuk është e vërtetë, pasi kjo e jona nuk është tolerancë fetare, por indiferencë fetare. Pikërisht si rrjedhojë e kësaj indiference mot pas moti, ne sot jemi të ndarë në katër besime të ndryshme.

Çfarë do të donit të ndryshonit në këtë vend?

Këtu do të doja ta filloja me një citat të Stalinit, “Edhe mungesa e sistemit është sistem”.Vite të shkuara kam pas njohur një përfaqësues të Bankës Botërore që kishte qenë disa vjet me mision këtu në Shqipëri, nja pesë a gjashtë vjet. Më thoshte në fund të misionit të tij: “Kur kam ardhur në Shqipëri, isha gjithë energji dhe thosha duhet ndryshuar gjithçka. I gjithë sistemi, ligjet për këtë apo atë punë, duhet bashkuar ky institucion me këtë, duhet ndryshuar kjo procedurë e kështu me radhë. Pas një apo disa vitesh fillova të thosha, jo duhet ndryshuar vetëm ky apo ai ligj, kjo pjesë e x procedure apo e y institucioni. Pasi kaluan edhe një a dy vjet të tjera dhe thoshte: Jo nuk duhet të ndryshojë asnjë gjë dhe urreja çdo njeri, sidomos të huajt që vinin si rishtarë dhe që përpiqeshin të bënin ndryshime, pra kalova në ekstremin tjetër”. Kjo sepse në një vend si Shqipëria, që është pa sistem është kolauduar të funksionuarit pa sistem. Çdo ndërhyrje që bëhet në këtë sistem, bën që të bllokohet gjithçka. E sheh se ku vijnë e bashkohen Stalini me Bankën Botërore! Kjo duket pak si fataliste, por ka të bëjë me një faktor tjetër, që gjërat kanë dy mënyra për të ndryshuar: ose me revolucion ose me evolucion. Personalisht jam evolucionalist, që do të thotë se gjërat ndryshojnë hap pas hapi, nga një tullë çdo ditë.

Ndryshimet në revolucion duket sikur sjellin pasoja të menjëhershme, por në aspektin afatgjatë janë vetëm të dëmshme. Pra nuk sjellin asnjë gjë të mirë në aspektin afatgjatë.

Cila është motoja juaj?

Në punë: “Nuk ka persona të paaftë, ka vetëm persona në vendin e gabuar”.

Në jetë: “Jeta është ajo çka ndodh, ndërsa ne bëjmë plane”.

Në momentet e vështira sa e rëndësishme është për ju mbështetja e dikujt? Këshilloheni?

Po shumë, sa herë kam një problem mundohem të marr mendim apo të këshillohem me këdo që mund të më japë kontribut për çështjen që jam i interesuar. Në fund pastaj, e bëj shqiptarçe: “Pyet shtatë vetë e bëj si di vetë”.

Po për bashkëshorten si ka qenë kjo përvojë (ngarkesa në punën tuaj)? Këshilloheni me të? I diskutoni problemet e punës në shtëpi apo i lini pas dere?

Me sa mundem problemet e punës nuk i transmetoj në familje dhe mundohem ta mbaj sa më shumë të jetë e mundur bashkëshorten larg problemeve të punës. Ajo di shumë-shumë pak për çështjet e punës dhe mënyrën e funksionimit të punës sime.

Sa e vërtetë vjen tek ju shprehja: “Pas një burri të suksesshëm është një grua po kaq e suksesshme?”

Unë besoj se pas çdo burri të suksesshëm është një burrë i suksesshëm dhe anasjelltas. Me thënë të drejtën, nuk kam fare besim në të gjithë këto modernizmat e barazisë gjinore me përqindje, të lëvizjeve feministe me detyrim, tani kanë shpikur seksizmin e plot punë si puna e këtyre për të papunët. Unë besoj tek aftësitë e secilit sipas aftësive, dhe jo sipas përqindjeve. Dhe besoj se çdo femër e aftë dhe e përgatitur do të ndjehej realisht e fyer nëse një vend pune do ta arrinte për shkak të përqindjeve dhe jo për shkak të kapacitetit të vet. Ashtu sikundër për 5000 vjetët e kaluar ka qenë kavalierllëk t’i bëje komplimente një femre të bukur, ndërsa tani për këtë rrezikon të marrësh një akuzë për seksizëm. Në Tiranë ALUIZNI ka 6 drejtorë femër dhe vetëm 2 meshkuj. Me këtë mendje, i bie të heq 1 drejtor e gjysmë, se kam tejkaluar barazinë gjinore.

artan-lame-1

Në krye të këtij institucioni për çfarë ju është dashur të hiqni dorë?

Kryesisht kam hequr dorë nga dy gjëra: nga të shkruarit dhe nga të sharit e qeverisë. Nga të shkruarit, se puna më lë shumë pak kohë për t’u fokusuar në kënaqësinë e të shkruarit. Dhe nga të sharat e qeverisë, pasi për sa kohë që kam zgjedhur të jem pjesë e mekanizimit, mundohem ta rregulloj mekanizmin nga brenda dhe jo nëpërmjet mediave. Kjo s’do të thotë se më është mbyllur goja, sa herë që kam vërejtje,  apo bindje që ka gjëra që nuk shkojnë nuk hezitoj t’jua them qoftë kolegëve të mi, qoftë kur mundem t’ia transmetoj kryeministrit, apo ministrave çështje që gjykoj që nuk shkojnë pa hyrë në kompetencat e tyre.

Flasim për atë që plotëson gjysmën tjetër më të rëndësishme tuajën. Kam dëgjuar që jeni me origjinë nga i njëjti fshat nga ku është origjina e një intelektuali të madh si Fan Noli. Si ju bën të ndiheni ky fakt prej nga ku rrjedh edhe origjina e të parëve tuaj?

Familja e Nolit, bashkë me shumë familje të tjera ortodokse janë me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, prej nga jam edhe unë. Ka qenë një debat i gjatë, nëse Noli ishte me origjinë nga kjo Qytezë apo nga Qyteza e Korçës. Ca pleq të urtë, në fund të viteve ’50, u ulën e i bënë një letër Nolit në Amerikë për këtë punë dhe ai u përgjigj me kartë, ku saktësonte se ishte nga Qyteza e Kolonjës lagjja e Karbunaras. Kjo lagje, ose më mirë rrënojat e saj dhe të shtëpive të Nolit janë ende atje larg në fshatin tim. Ah sikur ndonjë ditë ato rrënoja të rindërtohen, e të na bëjnë nder të gjithëve! Le që ç’them edhe unë. Ne po prishim edhe ato që kemi, ndërsa unë pres të ndreqim ato që janë të prishura! Pastaj, gjatë fushatës elektorale të vitit 1921 ose ‘22, Noli duke shkuar për në Ersekë, u ndal në Qafë të Qarrit. Aty Sabri Qyteza, vëllai i stërgjyshit tim që e shoqëronte, i thotë: Imzot, ja atje përtej atij mali është Qyteza. Dëgjo Sabri efendi, i gjegjet Noli, kur të plakem, dua të bëj një kasolle e të qetohem në Qytezë. Mirëpo Noli as u plak dot në Shqipëri, e as e pa dot Qytezën. Që ti vë kapak, sot Qyteza është fshat i braktisur, ku kanë mbetur ende vetëm pleqtë e dy familjeve të fundit. Fan Noli mbetet padiskutueshëm një prej mendjeve më të ndritura të këtij trualli dhe, kur i sheh ata gurët e heshtur atje përtej te Goric’ e Shkëmbit ku janë rrënojat, të vjen vërtet çudi që të ketë dalë prej atje. Po çuditë e Perëndisë janë të pafundme…

Cili është reagimi juaj i gjendur përballë ankesave të njerëzve në nevojë gjatë inspektimeve tuaja në terrene të ndryshme? Marrë parasysh që ende shumë rrugicave në Tiranë u mungojnë trotuaret, shumë çerdheve në pronësi shtetërore u ka humbur identiteti për shkak se janë zabtuar, ndërtimet, të cilat vijojnë e në disa raste kanë shfaqur probleme teknike nga ndërtime të tjera ngjitur, (gropa e madhe e një pallati te Kodra e Diellit, apo një pallat në Vlorë rrethuar me ujë), si dhe mungesa në dokumentacion? Si i keni mbikëqyrur këto raste?

Pavarësisht se legalizimet ju interesojnë një pjese shumë të madhe të qytetarëve, që fillon nga biznesmenë, ministra e ish-ministra, deputetë e ish-deputetë, pra njerëz pasunarë le të themi, e deri tek më fukarai i këtij vendi. Por fasha e përgjithshme e njerëzve të interesuar janë ata të shtresës së mesme dhe të varfër. Kjo të bën që të futesh në kontakt kur ke punë me ta, me atë pjesë të shoqërisë që ka më tepër nevoja dhe që i duhet më tepër mundim e stërmundim për mbijetesë. Dhe aty kupton se sa problematike është shoqëria shqiptare, se sa dhimbje ka, se sa halle ka. Apo siç thotë populli: “Halle-halle kjo dynja, hallit, hallit nuk i ngjan”. Të lind natyrshëm edhe një lloj solidariteti i brendshëm për të bërë edhe minimumin e domosdoshëm për njerëz që kanë kaq shumë nevoja. Ka një përplasje shumë të fortë mes legalizimit dhe urbanizimit, mes të ligjshmes dhe të paligjshmes, duket sikur legalizimet janë thjesht për t’i dhënë një copë letre ligjshmërie të paligjshmes. Por në këto dy vite, legalizimet janë shumë të lidhura fort, veçanërisht edhe me urbanizimin e këtyre zonave. Brenda zonave, brenda qyteteve të ndërtuara, legalizimet janë të lidhura fort me urbanistikën dhe me atë çka ka ekzistuar para ndërtimeve. Pra të mos legalizojmë në hapësira të gjelbra apo që mund të kthehen në të tilla, për të mos legalizuar në zona ku nesër mund të hapet një rrugë apo trotuar, për të mos legalizuar në mënyrë të padiskutueshme në hapësira publike. Këtë e them me përgjegjësi. Në gjithë këtë periudhë, në dhjetëra-mijëra legalizime nuk mund të gjesh qoftë edhe një legalizim të vetëm të kësaj kategorie. Kjo është e vetmja mënyrë për të rregulluar jetën e dikujt, duke mos dëmtuar apo në kurriz të mirëqenies së mijëra e mijëra të tjerëve.

Ndalemi te pasionet tuaja. Historia, çfarë ju tërheq më shumë pas saj, cilën periudhë do të kishit dashur të jetonit më shumë?

Shqipëria në historinë e saj ka patur dy periudha prosperiteti pak a shumë afatgjata. E para është periudha e shekullit XIV deri në fillim të shekullit të XV. Në atë shekull u stabilizuan principatat shqiptare, u zhvillua ndërtimtaria, tregtia dhe marrëdhëniet me vendet e tjera, filloi të zhvillohej arti dhe kultura, u ndreqën kështjella e kisha, e kështu me radhë. Kjo periudhë u fshi pastaj nga mbërritja e turqve në Ballkan. Periudha e dytë është ajo e shekullit XVIII deri në fillimin e reformave të Tanzimatit. Është periudha kur shqiptarët arrijnë kulmin e shkëlqimit të tyre nën Perandorinë Turke. Gati e gjithë trashëgimia në ndërtime që kemi sot janë të asaj periudhe. Mjafton të lexojmë udhëtarët e huaj të kohës se si shkruajnë me admirim për shqiptarin e atëhershëm dhe të bëhet i qartë ky imazh. Mundja e dy kolosëve, Bushatllinjve në Veri dhe Ali Pashës në Jug, dhe fillimi i reformave centralizuese të Perandorisë i dha fund këtij imazhi idilik. Jashtë këtyre periudhave ka vetëm luftëra, pasiguri, diktatura, regres apo stanjacion. Provo të shkosh të jetosh në njërën prej atyre dy periudhave që të thashë dhe do të më japësh të drejtë.

Cili është koleksioni që ke më për zemër?

Shiko, këtë punën e koleksionimit unë e kam filluar si gjithë kalamajtë që dikur luanim dhe mblidhnim pulla. Pastaj me kohë, shumica e fëmijëve e lë mënjanë këtë punë ndërsa tek pak prej syresh sëmundja mbetet. Unë jam njëri ndër këta të fundit, ku sëmundja mbeti dhe tani ka marrë një formë shumë të rëndë. Aktualisht, ajo që kam më për zemër është koleksioni i medaljeve shqiptare të periudhës së shtetit shqiptar, për të cilat kam botuar edhe dy volume dhe po punoj për volumin e tretë. Gjithaq për zemër kam edhe koleksionin e uniformave ushtarake shqiptare, duke menduar që në pleqëri të botoj Historinë e Uniformave Shqiptare. Këto dy koleksione janë më të mirat në vend (për arsyen e thjeshtë se janë të vetmet që ekzistojnë). Pikërisht kjo gjë më bën të kem edhe një lloj përgjegjësie për to dhe të mos i shoh thjesht si çështje pasioni.

Cila është gjëja më me vlerë që ju keni në koleksionin tuaj? Sa pasuri bartin ato për t’ia trashëguar brezit tuaj?

Varet se çfarë kupton me vlerë, vlerë monetare, historike, afektive, e ku di unë çfarë tjetër. Për shkak të volumit të tyre, tani ia kam dalë që një pjesë të objekteve t’i lëviz nga shtëpia nëpër miq që kanë më tepër mundësi hapësire. Por edhe nëse do t’i vjedhin, besoj se s’do shqetësohesha shumë se, pasi të vinin vërdallë prapë tek unë do t’i sillnin për të m’i rishitur. Me këtë dua të them se vlera e një objekti, nuk ka të bëjë aq me vlerën e vet monetare, se sa me vlerën e historisë që mbart.

Nëse do të afronit një pasuri përrallore, na thoni si do ta ndanit atë dhe për çfarë do ta shpenzonit?

Nuk është e vështirë të të përgjigjem. Unë nuk është se kam shumë teka në jetë, pra do të më mjaftonin aq sa për një jetë dinjitoze. Pjesën tjetër, eja ta mendojmë bashkë se çdo ta bëjmë. Unë them që një pjesë ta përdorim për të blerë një ambient ku të vendos dhe ekspozoj një pjesë të koleksioneve të mia, pasi shtëpia ime ka filluar të ngjajë si depo. Me pjesën tjetër le të financojmë botimin e një guide për pasunarët e rinj shqiptarë, ku t’u shpjegojmë se ka shumë mënyra më të mira për të shpenzuar paratë se sa kazinoja, se sa të blerja njëra pas tjetrës e makinave të shtrenjta, se sa vajtja për pushime në Tenerife orë e pakohë, sesa ngrënia e drekave ku një shishe verë kushton sa rroga mujore e një nëpunësi, se sa, se sa, se sa. E si thua, ia vlen ta botojmë këtë guidë?…

Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 104

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top