Radiografi

April 12, 2017 | 10:29

ARKIV/ Vivian Canaj: Përtej bukurisë

Nëse ka një periudhë për të cilën më duhet të kthej kokën pas, janë pikërisht vitet që ajo mban mbi supe. Hiret e një periudhe ku nuk ka nevojë për grim, as për luksin e tepruar të “makeup”-it apo pluhurit të kutive të tualetit, ku kërkon të fshehësh gjurmët e viteve. Krehje e shpenguar, veshje sport e si të thuash… jo fort tunduese. Por kjo nuk ia pengon asfare të nxjerrë në pah tiparet e saj ballkanase. Një trup i gjatë dhe fin si i një amazone, delikatesë e brishtësi që dukshëm i japin sharm dhe një shikim shndritës e depërtues falë syve ngjyrëshkruar. Në këtë ndalesë përshkruese të nureve të saj, të cilat Vivian Canaj i ka e s’mund të bëhet ndryshe, ka diçka më shumë që të çon përtej kësaj ndjesie. Për më tej, me karakteristikën e një zëri të butë, duket se do t’ia “marrë mendjen” edhe profesionit, të cilin tashmë e ka “futur në dorë” e kërkon ta administrojë si sfidën e palëkundur të radhës. Por bukuria është vetëm njëra anë e medaljes. Madje siç pohon dhe vetë ajo “është thjesht një fasadë”. Edhe pse jo rastësisht ka në trofeun e fitoreve çmime bukurie, ajo vlerëson diçka tjetër më shumë se kaq. 

E gjej në kulmin e formimit të saj, gati për të sigluar mbi një diplomë që mban titullin për “shkenca juridike”. Kjo është gjithçka ku ka treguar vëmendje dhe interes, ndërsa do t’i shërbejë një kohe të re në jetën e mëpasme. Mbi të gjitha arsimimi! Nuk është thjesht një plan, janë pritshmëritë që i ka vënë si qëllim vetes. Plotësimi i studimeve shkencore me vijueshmërinë e masterave e pse jo të një doktorature për të finalizuar ëndrrën e saj. Kjo është dhe sfida më e rëndësishme për 21-vjeçaren. Pavarësisht pengesave, pjesë e rrugëtimit të jetës është koha për t’i dhënë orientimin e duhur figurës profesionale, e cila pse jo, shkon mjaft mirë kur imazhi i jep dorë për një përfaqësim edhe më të plotë në tërë investimin.

1

Vivian, ju gjej në periudhë angazhimesh. Studimet universitare thoni ju janë kulmi i formimit, duke i dhënë vlerën e duhur kësaj kohe. Kështu është?

Këtë periudhë kam qenë vërtet shumë e angazhuar pasi përveç aktiviteteve jam në prag të finalizimit të qëllimit kryesor, shkollës së lartë. Brenda një muaji diplomohem si juriste në Universitetin Europian të Tiranës. Përherë i kam dhënë një prioritet të veçantë shkollës, duke lënë mënjanë shpeshherë edhe aktivitetet e tjera të rëndësishme. Unë mendoj dhe besoj se formimi universitar dhe më shumë se kaq, është shtylla e orientimit për të ardhmen time, të sigurt dhe dinjitoze. Modelingu e ka një afat skadence, nuk mund të them të afërt apo të largët. Këtë do ia lë kohës, por mund të them me siguri se e ardhmja ime do të jetë në fushën e drejtësisë.

Pas këtij hapi ku e gjeni veten, do të ketë përforcim të niveleve studimore? Brenda vendit apo jashtë?

Sigurisht që do të jem në fazën tjetër të studimeve, ku do të përfundoj edhe ciklin Master. Besoj se ky hap do të më gjejë sërish në të njëjtin universitet, për shkak të nivelit pedagogjik të profesorëve aty. Edhe pse unë kam kontratat e firmosura tashmë jashtë vendit, janë njerëzit e mi në Shqipëri, ndaj do të jem pranë tyre duke ndjekur njëkohësisht studimet pasuniversitare.

Si është jeta e një studenti në Shqipëri në këndvështrimin tënd? Mësohet vërtet apo kur nis sezoni realiteti flet ndryshe?

Unë ndjek çdo ditë orët e leksioneve. Preferoj që brenda profilit që kam zgjedhur të investoj për të, sepse kjo është një udhë shumë e mirë për të ardhmen time. Shoh që jeta studentore nuk është e thjeshtë dhe jo e njëjtë për të gjithë. Por unë i kam hyrë kësaj rruge dhe dua që deri në fund ta realizoj atë sipas pritshmërive që i kam vënë vetes. Shkolla, dijet janë baza e formimit. Shpresoj që gjërat në Shqipëri në të ardhmen, të funksionojnë sipas meritokracisë, sepse për fat të keq në shumicën e rasteve kjo gjë nuk ndodh.

2Çfarë janë për ty dijet, si e sheh veten në të ardhmen pas plotësimit me diplomat e duhura në fushën e jurisprudencës?

Mund të them se e shoh veten si notere, duke hapur pse jo në të ardhmen një studio timen. 

Sa vështirësi ka të menaxhosh jetën në Shqipëri?

Në raport me vendet e tjera ku kam kaluar një kohë të konsiderueshme të jetës sime, mund të them se menaxhimi i jetës në Shqipëri nuk është i thjeshtë. Duke e nisur që nga fusha, të cilën unë përfaqësoj. Që në mëngjes kur zgjohesh, ngrihesh me stres se si do ta kalosh ditën, a do të dalë në orar personi me të cilin ti ke një takim pune, si do të të shohin njerëzit, a do arrish t’i përmbushësh detyrimet dhe pritshmëritë e përcaktuara. Në raport me të jetuarit jashtë, kjo gjë te ne, në shumicën e rasteve, të jep pak energji negative. Megjithatë, përpiqem t’ia dal dhe të jem fleksibël, duke i arritur qëllimet e mia dhe ndoshta duke i kaluar disa gjëra. Sidoqoftë, Shqipëria është vendi im dhe jo pa qëllim gjërat që i dua fort për veten time kam zgjedhur t’i plotësoj këtu.

Femrat kanë shqisën e gjashtë, intuitën, që i ndihmon t’ia dalin mbanë në pengesa apo zgjidhje të çastit. Sa ia njihni vetes këtë cilësi?

Kur i vë një qëllim vetes përpiqem që t’ia dal. Kam shumë ego, por parimi im kryesor është që të mos kaloj limitet e mia. Po ju jap një shembull: Valentinon, një emër në zë në botën e modës. E dija që në fillim që ishte diçka e vështirë për t’u arritur. Megjithatë mendova pozitivisht që në fillim, dhe thashë, që me punë e vullnet dhe sigurisht edhe me ëndrra, arrihet çdo gjë. Përherë kam një dhunti që i parashikoj gjërat dhe thellë-thellë e dija që çdo gjë do të shkonte mbarë. Kjo kontratë po e mbush dalëngadalë vitin dhe pritet të rinovohet sërish.

Në fokusin e këtij numri tematika zgjerohet mes arsyes dhe logjikës. Sa ju ndihmojnë në arritjen e performancës suaj, por edhe të qëllimeve në jetë?

Zgjuarsia është një pjesë shumë e rëndësishme te çdo femër. Sigurisht që në botën e modelingut, bukuria luan rol të rëndësishëm, megjithatë përvojat e mia jashtë vendit më kanë mësuar që nuk është gjithçka. Si mund ta quaj? Përfaqësuesit e firmave të njohura apo personat e njohur të botës së të bukurës, e vlerësojnë shumë atë dhe sjelljen te një femër. Sepse mund të jesh shumë e bukur, por po nuk i pate këto të dyja, bukuria zbehet. Shpresoj që Shqipëria të marrë shembuj nga vendet që e kanë të zhvilluar botën e modelingut e më gjerë se kaq, të cilët e kanë thyer tabunë ku modelja konsiderohet thjesht e bukur, pra si një koketë, dhe jo më shumë se aq, duke i bërë Test-Intervista për të kuptuar sesa të zonjat janë ato për t’u marrë si etalon, ndoshta edhe nga vajzat e thjeshta, të cilat i konsiderojnë si idhuj.

Kur ju duhet të arsyetoni, veproni me mend apo me zemër?

Çdo njeri entuziazmohet sidomos përpara një zgjedhjeje, siç mund të jetë një kontratë pune e rëndësishme. Në fillimet e mia e kam pasur këtë problem. Entuziazmohesha para kohe dhe harroja kushtet kryesore të kontratës, sepse priresha nga pasioni për punën. Tani mundohem ta shmang dhe e mbaj përbrenda entuziazmin, duke vepruar më shumë me forcën e arsyes. Pra, veproj me mend…

3Në psikologji një imazh i bukur thuhet se ‘zbut’ shpirtin, lehtëson dhe zgjidh situatat duke falur mirësi njëkohësisht. Sa ju ka ndihmuar bukuria për t’ia dalë në jetë apo dhe t’i bëni të tjerët të ndihen mirë?

Bukuria është një ‘armë’ për të pasur sukses në një fushë të caktuar, sidomos në fushën që përfaqësoj unë. Bukuria është relative, për dikë mund të jem shumë e bukur, për dikë tjetër më pak e bukur. Por, kurrsesi nuk besoj se shërben për të bërë të tjerët që të ndihen më mirë. Ka gjëra shumë më të rëndësishme që u falin njerëzve pozitivitet. Bukuria është thjesht një fasadë, e cila ndoshta shtohet akoma më shumë nga mirësia që ti u dhuron njerëzve. Përpiqem që të qëndroj përherë pozitive edhe ndaj personave që ndoshta nuk janë aq pozitivë ndaj meje. Sepse, kjo jam unë! Dhe ata, janë ata!

Njiheni ndër emrat më përfaqësues të modës në pasarelat e botës. Si ju bën të ndiheni kjo gjë?

Në fakt, është e vërtetë, dhe më bën të ndihem krenare për atë që kam arritur deri më sot. Si modele unë jam njohur në Shqipëri për herë të parë dhe të vetme kur fitova çmimin e parë si “Top Model of the World” në vitin 2013, ku në fakt përfaqësova Kosovën. Gjithë përvoja tjetër është ngritur në këmbë nga përfaqësimet e huaja me emra të njohur të botës së modës që nga Valentino, Cavalli, Chopard, etj, si dhe nga fotografë me famë botërore. Ky rrugëtim ka shenjuar tek unë edhe një titull po me kaq vlerë për mua si modele. Në vitin 2014 u shpalla si “modelja më e mirë e vitit” në Gjermani, çmim të cilin ma dha fotografi i modeles Heidi Klum. Pas kësaj njohjeje, pas shumë vitesh mungesë përfaqësimi, arrita të çoj flamurin shqiptar në organizimin e “Miss Europe”, “Miss Intercontinental” dhe “Miss International” në Bangkok, ku nga 120 shtete arrita të shpallem “Fytyra më e bukur” dhe “Top 20” për trupat më të mirë në modë. Madje, sipas Donald Trump, isha e renditur në Top 5.

Sa e varur je pas modës?

Moda ka qenë një pasion i imi që në moshë të vogël, kultivuar nga mamaja ime. Madje ajo ka qenë shtysa kryesore që unë të merrja këtë drejtim. Më pëlqen shumë ta ndjek modën, mundohem të ndjek tendencat e fundit, por sigurisht që preferoj gjërat që më shkojnë më shumë, ato që janë prerja ime.

Për çfarë do të hiqje dorë prej saj?

Nuk do të hiqja dorë nga asgjë prej saj, ah, vetëm në ndonjë rast të veçantë përjashtues, sepse, çdo teoremë e ka një përjashtim.

Dikton ti modën apo moda të dikton ty?

Unë e diktoj modën. Modë është ajo që më shkon mua për shtat e më rri mirë. Së shpejti, në planet e mia më saktë, është hapja e një biznesi të tillë.

Keni sakrifikuar për të arritur ato që keni dashur? Çfarë sakrificash?

Sigurisht që kam sakrifikuar shumë. Kam qëndruar larg familjes sime për një kohë të gjatë. Besoj nuk ka sakrificë më të madhe se të qëndrosh larg njerëzve të dashur, duke qenë se unë jam fëmijë i vetëm dhe vëmendja e tyre nuk më ka munguar kurrë.

Jeni ju një vajzë që bëni kompromise?

Varet për çfarë kompromisi bëhet fjalë, por në konotacionin e saj, nuk para ndodh të bëj kompromise.

4Paragjykoheni? Sa shpesh e hasni dhe si reagoni?

Paragjykimi është një fjalë shumë e madhe, por më vjen keq për faktin se është krijuar një stereotip që modelet apo vajzat e bukura nuk janë të zgjuara. Ka plot emra botërorë, të cilët e kanë thyer këtë tabù, si Miranda Kerr etj. Jam e bindur se edhe në Shqipëri ka plot vajza të tilla, të cilat duhet të mundohen të tregojnë vlerat e tyre.

Sa ju shqetësojnë thashethemet?

Shoqëria jonë vuan ende nga kjo plagë për të cilën koha duket se nuk ka favorizuar ndopak shërim. Në fillime, po. Kisha ndjeshmëri, më shqetësonin, por tani jo. Më vjen keqardhje për nivelin se si gjykohet ende, sepse ata njerëz mendoj që janë persona bosh, të cilët nuk kanë me çfarë ta mbushin ditën dhe nuk kanë asnjë motiv për jetën e tyre. Mund ta marr thjesht që suksesi im i bën që të flasin. Për mua nuk
janë gjë tjetër veçse një tufë mjeranësh pa punë.

Çfarë ju motivon në jetë?

Më motivon prania e njerëzve të mi më të afërt, të cilët edhe në momentet më të vështira apo më të lumtura, janë përherë aty, sepse çdo fushë ka ulje-ngritjet e veta. Megjithëse mua, për fat të mirë, nuk më ka qëlluar të kem shumë ulje.

Tradicionale apo me hapin e kohës?

Jam e ndërthurur mes të dyja këtyre përcaktimeve, por mbetem fanse e tradicionales. Ndoshta kjo vjen dhe nga modeli i familjes.

Familja është modeli ku ngrihen bazat e personalitetit. Sa ka ndikuar ajo te ju?

Çdo person është pasqyra e familjes së tij. Unë jam krenare që jam rritur në një familje si e imja, pasi pa modesti, mund të them që kanë dhënë maksimumin e tyre në rritjen time, në edukimin tim. Një rol shumë të madh në rritjen time intelektuale ka luajtur dhe gjyshi, Mikel Janku, i cili edhe kritikat nuk m’i ka kursyer kurrë që unë të arrija këtu ku jam sot.

Marrëdhënia me familjarët? Me cilin je më shumë e lidhur?

Me të gjithë familjarët jam shumë e lidhur. Sidomos me mamin, të cilën e konsideroj si shoqen time më të mirë dhe si një motër të madhe. Por mami mbetet mami, dhe pavarësisht këtij raporti, ajo është këshilluesja dhe dëgjuesja ime më e mirë, pa të cilën nuk do të arrija dot ato gjëra që unë i kam bërë të miat sot. I jam mirënjohëse pa fund, pasi ajo ka sakrifikuar dhe vijon ta bëjë këtë gjë, duke menduar vetëm për mua.

Të mësuarit e shumë gjërave në jetë shërbejnë për rritjen dhe ndërtimin e një personaliteti të fortë, por edhe si garanci për të ardhmen brenda asaj që do të ndërtosh për veten. Ju ka shërbyer kjo gjë?

Unë jam në hapat e parë të rrugëtimit të gjatë të jetës. Jam vetëm 21 vjeçe dhe mendoj se më presim edhe shumë gjëra, të cilat pritet të shenjojnë tek unë ndryshime të reja. Megjithatë, mendoj se nga çdo përvojë nxjerr mësime të reja. Unë si natyrë jam shumë e ndjeshme dhe disi e përkëdhelur. Megjithatë, çdo përvojë e ngritur nga puna në moshë të re, më ka forcuar më shumë në personalitetin tim dhe më ka
dhënë forcën e vendimmarrjeve.

Ju pëlqejnë sfidat? Sa shpesh përfshiheni në to?

Nuk jam tip që rrezikoj, më pëlqejnë gjërat e sigurta dhe të qëndrueshme.

untitledMë lejon të të pyes për jetën private? E keni gjetur mashkullin ideal?

Kam gjetur mashkullin e ëndrrave. Princin e kaltër, i cili ma mbush çdo ditë timen me dashuri dhe buzëqeshje. Jam e lumtur edhe për faktin që është mbështetësi im kryesor në ëndrrat dhe synimet e mia. E konsideroj veten me shumë fat që kam gjetur një njeri si ai, këshillues gjithashtu në jetën time dhe në pritshmëritë që unë dua t’i arrij në jetë.

Cilat janë prioritetet e tua? Si e shikon familjen tënde në të ardhmen?

Familja është prioriteti më madhor i jetës, baza prej nga ku ndërtohet dhe ekziston një jetë e lumtur. Qëndron brenda meje në çdo kohë, por le t’ia lëmë kohës finalizimin e saj.

A beson në Zot?

Besoj shumë në Perëndi. Kjo është pjesë e imja dhe që e ndjej që ekziston në çdo kohë.

E ke ende një ëndërr në sirtar?

Një pjesë të ëndrrave të mia unë i kam realizuar. Dëshira ime më e madhe është që këto ëndrra të shkojnë më tej.

Elegante, e hirshme… çfarë bën ti për pamjen e jashtme, fizikun tënd?

I nënshtrohem një regjimi ushqimor të shëndetshëm. Megjithatë e konsideroj veten me fat pasi kam një metabolizëm të mirë, të trashëguar nga mamaja ime. Mundohem shumë të kujdesem për pamjen e jashtme, që të jem çdo herë e kuruar në çdo dalje timen, pa ngarkesa të tepruara. Më pëlqen natyraliteti, “acqua e sapone”. Në jetën e përditshme nuk jam asnjëherë e grimuar, siç mund të jem në ekran. Ecja gjithashtu është një “ushqim” shumë i mirë për trupin tim dhe leximi gjithaq, i cili më relakson dhe më fut në një tjetër botë.

5Romantike, melankolike apo krejt e kundërta?

Janë ndjesi që qëndrojnë brenda meje, por diku më shumë e diku më pak. Janë pjesë e jetës dhe normalisht nuk mund të ekzistojë një qenie pa to. 

Periudhë pushimesh, janë ato terapia më e mirë për t’u stakuar dhe rimarrë energjitë?

Në këtë periudhë ngarkese kam shumë nevojë për të qëndruar larg çdo gjëje, rutinës së përditshme. Pushimet më falin energji, qetësi dhe optimizëm për të arritur gjëra të reja dhe perspektiva që më dalin para. Preferoj detin, udhëtimet e gjata. Kam planifikuar këtë verë të shkoj në Kapri, San Trope dhe Kanë, një udhëtim që duam ta shijojmë me makinë për të ndjerë më nga afër emocionet e përshkimit të rrugës.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.109

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top