Editorial

September 14, 2016 | 8:00

Në klasë të parë…

Nga Orjona Tresa

Nga Orjona Tresa

“Po, po, do të shkoj në kopsht dhe do t’i mësoj të gjitha”. Ishte ky premtimi i parë që më bëri im bir kur hyri në parashkollor. E kisha me merak, sepse djemtë janë më ndryshe. Në fakt, ky ishte dhe një konstatim i përgjithshëm nga të afërmit. E vërtetë deri diku, pasi me vajzën nuk kisha vuajtur aspak. Ndryshe nga ajo herë, e cila kishte lehtësirat e veta për procesin e edukimit dhe formimit, sot kam një merak më ndryshe. Në shtator im bir do të prekë klasën e parë dhe unë ndihem njësoj si në herën e parë me vajzën. Si do të jetë në shkollë, si do shkojë me shokët, a do t’i pëlqejë ndryshimi? Një përvojë që më bën të rikthehem pesë vite pas. Për fatin tim, për të njëjtin institucion ku mëson dhe e motra, ai ka dijeni. Ne si prindër kemi ofruar modelin tonë, duke vënë në zbatim këshilla që lejojnë aftësinë për t’ia bërë për vete shkollën. Djali e ka vizituar dhe e njeh nga afër ambientin ku do të studiojë, ka arritur të njohë disa nga mësuesit, e një pëlqim për njërin prej tyre e ka. Është njohur ndërkaq me librat, fletoret, një proces që besoj se do t’ia lehtësojë futjen në klasën e parë. Të biseduarit vazhdimisht me të është një nevojë dhe ndihmë për fëmijën në hapat e ndryshimeve të reja. Kjo etapë ndihmon te gjashtëvjeçarët në forcimin e një botëkuptimi real për atë çka do të vijë me nisjen e një cikli të ri shkollor. Deri më sot ata kanë ndjekur një proces pak më të lehtë në kohë mësimi, kurse tani kanë radhën për të ndjekur një disiplinë të re, mënyrë organizimi dhe formimi sipas moshës që u përket. Fëmijët e sotëm janë inteligjentë. Ata të ndjekin dhe të kuptojnë çfarë u thua. Nuk e kanë aspak të vështirë të të japin shembuj edhe kur ti u flet me “fjalë të mëdha”. Kjo, sepse ata po rriten në një botë frenetike, ku informacioni është i ngjeshur dhe vjen nga të gjitha anët. Ndoshta mund t’i bëjë pak dembelë në klasë të parë, sepse kur i pyet të thonë: “Po unë i di të gjitha shkronjat, edhe numrat. Di të shkruaj, lexoj, të mbledh dhe zbres shifra”. Këtu nevojitet ndërhyrja e prindërve. Bashkë me fëmijën duhet t’ia sjellë këtë fazë të jetës si një aventurë emocionuese. T’i flasë për veten kur ka qenë në klasë të parë, çfarë ka bërë, ç’ka mësuar, t’i tregojë për bankat e klasës si ishin dikur e si janë sot, t’i flasë për mësuesen e ta mësojë mbi të gjitha të jetë i gjithëpërfshirë. Shpjeguar këtë, është e sigurt që nuk do të ketë lot. Im bir në fillim të parashkollorit, pas gjithë këtyre këshillave, e mbajti fjalën. Edhe vajza, në hyrje të klasës së parë, shfaqi simpati dhe e mori me qejf shkollën. Besojini fëmijës modelet e duhura të përshtatjes dhe ndryshimi do të vijë i ëmbël e me dëshirën për të qenë pjesë e zinxhirit të fëmijëve që turravrap kapin vargun e shokëve për të qenë bashkë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.88

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top