Këshilla & Arsye

September 14, 2020 | 8:14

Arsyet që fshihen pas dëshirës për të blerë gjithmonë gjëra të reja

Ekzistojnë dy arsye kryesore pse njerëzit shpenzojnë më shumë para se ç’duhet: duan të kënaqen ose duan të largojnë dhimbjen. Duke blerë një fustan të ri apo edhe diçka më të shtrenjtë, ne argëtohemi dhe e shpërqendrojmë veten nga çdo problem që mund të kemi. Edhe pse thellë brenda vetes e dimë se nuk kemi nevojë për gjëra të reja, ndonjëherë mund të jetë e pamundur t’u rezistojmë atyre.

 

Ekzistojnë disa arsye që fshihen pas dëshirës për të blerë gjithnjë e më shumë.

  1. Shpresoni t’i impresiononi të tjerët.

Prej kohësh, shumë njerëz blejnë dhe shpenzojnë shuma të mëdha vetëm që t’u bëjnë përshtypje të tjerëve, pavarësisht se nuk kanë nevojë për asgjë nga ato që mund të blejnë.

Çfarë duhet të bëni?

Të ndihesh mirë është më mirë se sa të dukesh mirë! Një pulovër tjetër e shtrenjtë nuk ju bën të ndiheni më mirë për një kohë më të gjatë. Me të njëjtën shumë parash, mund të zgjidhni të shkoni në një spa, gjë që do ju qetësojë dhe shplodhë pa masë, sepse në këtë mënyrë arrini të largoni edhe stresin.

  1. Jeni xhelozë ndaj njerëzve që kanë më shumë.

Na pëlqen ta krahasojmë veten me njerëzit që na rrethojnë. Kjo bën që ne të blejmë gjëra, vetëm sepse të tjerët i kanë dhe jo sepse kemi nevojë për to.

Çfarë duhet të bëjmë?

Lumturia gjendet me të vërtetë në gjërat e vogla. Të blesh shumë nuk është e barabartë me shumë lumturi. Ju thjesht mund të përjetoni një emocion në momentin që e blini, por kjo zbehet shumë shpejt. Në vend të kësaj mund të zgjidhni të hani një darkë ose thjesht të bisedoni me familjen apo me miqtë. Madje, është vërtetuar se të kesh marrëdhënie të mira me njerëzit e tjerë, rrit shkallën e mbijetesës.

  1. Bini viktimë e marketingut.

Ka shumë hile që kompanitë përdorin për t’ju tërhequr vëmendjen në mënyrë që të blini produktet e tyre. Ata madje arrijnë të bindin të ashtuquajturit “klientë të ftohtë”, të cilët nuk e dinin se kishin një problem që mund të zgjidhej duke blerë një produkt të ri.

Një mashtrim që bëhet shpesh është mundësia që kompania i ofron klientit për ta provuar produktin. Në këtë mënyrë, njerëzit që e prekin fizikisht atë, mendojnë se mund të jenë pronarët e tij dhe si rezultat, priren që të blejnë më shumë.

Çfarë duhet të bëni?

Mendoni se çfarë ju nevojitet vërtetë para se të dilni për të blerë diçka. Njerëzit priren të blejnë më shumë kur janë në dyqan se sa online, sepse, në dyqan, janë shumë më të prekshëm ndaj blerjeve impulsive. Për t’u siguruar që kjo mos t’ju ndodhë, bëni një listë të qartë të produkteve që vërtetë ju duhen dhe blini vetëm ato që keni shkruar në të.

  1. Ndiheni sikur jeta ju ka dalë jashtë kontrolli.

Ne besojmë se pasuritë materiale do të na bëjnë të ndihemi më të sigurt. Kjo është e vërtetë kur bëhet fjalë për nevojat tona kryesore, por përsëri besojmë se nëse do të zotërojmë më shumë gjëra, atëherë do të ndihemi më të sigurt. Pavarësisht se kjo mund të na japë një ndjesi sigurie, duhet të jemi të vetëdijshëm dhe ta pranojmë faktin që nuk do të zgjasë shumë dhe sërish do të ndihemi të dëshpëruar.

Çfarë duhet të bëni?

Mësoni të jetoni me “mjaft”. Inkurajojeni veten për të luftuar kundër dëshirës për të zotëruar më shumë gjëra se ç’mund të konsumoni. Para se të bëni një blerje, pyeteni veten: “Pse po e blej këtë?”

  1. Jeni mërzitur.

Arsyeja më e zakonshme pse blejmë gjëra është shumë e thjeshtë: mërzia. Kur nuk kemi asgjë tjetër për të bërë, kur nuk kemi një qëllim, thjesht kërkojmë të kemi diçka të re duke besuar se kjo do të na bëjë të ndihemi më mirë.

Çfarë duhet të bëni?

Nëse vërtetë keni nevojë për diçka më shumë, kënaquni me eksperimentet. Duhet t’i vini vetes një qëllim, në mënyrë që ta përdorni kohën dhe paratë për gjëra të rëndësishme, që do t’ju sjellin një të ardhme më të mirë. Pra, në vend që të investoni në gjëra të parëndësishme, mund të investoni tek vetja dhe tek e ardhmja juaj.

 

Burimi / Panorama.com.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top