Në fokus

September 14, 2020 | 8:16

Blerina Mërtiri: Fillimi i shkollës, angazhim emocional për të gjithë familjen

 

Fillimi i vitit të ri shkollor erdhi. Nxënësit e të gjitha niveleve të sistemit parauniversitar do të jenë sërish në ambientet e shkollave. Fillimi i një viti ndryshe do të kërkojë më shumë punë që fëmijet të përshtaten sa më shpejt me shkollën dhe mësimin në grupe, si dhe për t’u zvogëluar atyre ankthin që mund të kenë ditët e para të mësimit.

Blerina Hima Mërtiri  Mësuese në shkollën “Andon Xoxa”, Fier.

Blerina Hima Mërtiri
Mësuese në shkollën “Andon Xoxa”, Fier.

Prania e stresit dhe formave të ndryshme të ankthit te fëmijët dhe adoleshentët para fillimit të shkollës, lidhen me një sërë faktorësh: frymën e theksuar garuese në shkollë, ndoshta me ngarkesën e nxënësve, me problemet në familje, kufizimet financiare etj. Përgatitjet e mëdha i takojnë prindërve, sidomos ata që kanë fëmijët për herë të parë në shkollë.

Për prindërit ekzistojnë dilema të tilla si:

A është fëmija im gati për shkollë?

Sa do të jem në gjendje ta ndihmoj fëmijën tim?

A do të jetë fëmija im i suksesshëm në shkollë?

Ndërkohë dhe fëmijëve u vijnë në mendje pyetjet:

Çfarë ngarkese do të kem për këtë vit.

A do vazhdoj të kaloj kohë jashtë dhe të luaj?

Si do të jetë mësuesja ime?

Kush do të jetë miku im?

Si do t’i sistemoj gjërat e mia?

Pas ditës së parë të shkollës, gjithmonë është i pranishëm kurioziteti i familjarëve:

Cila ishte ndodhia më e bukur sot?

Cila ishte vështirësia më e madhe sot?

Cila ishte loja gjatë pushimit?

Çfarë do të doje të ishte ndryshe?

Ky kuriozitet dhe ankth nga të dyja palët do të mbarojë pas disa ditësh dhe çdo gjë do t’i kthehet normalitetit. Kryesorja është që prindërit të jenë menaxhuesit sa më të mirë të kësaj situate, duke mos i transmetuar ankthin e tyre fëmijëve, por duke i mbajtur ata sa më të qetë.

2

Ja edhe disa udhëzime praktike që na sjellin psikologet për t’i  ndihmuar fëmijët në reduktimin e ankthit dhe stresit:

1.Stresin dhe ankthin e fëmijëve s’bën t’i injorojmë, por as edhe t’i stërmadhojmë. Fëmijët e frikësuar duhet t’i dëgjojmë me vëmendje dhe ndaj tyre të shfaqim empati dhe të hyjmë në botën e tyre.

2.Inkurajojeni shfaqjen e emocioneve (frikës, brengosjes), e jo fshehjen e tyre. Tregoni gatishmëri për të biseduar lidhur me to.

3.Ruajini stabilitetin dhe gjakftohtësinë tuaj për t’i ndihmuar fëmijët në reduktimin e ankthit.

4.Ndihmoni aplikimin e teknikave relaksuese si (frymëmarrjen e thellë, qetësimin, meditimin), dhe sidomos shëtitje dhe lojëra në ajër të pastër.

Të gjithë së bashku shpresojmë të kemi një vit shkollor të qetë dhe të suksesshëm.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top