FB

September 21, 2021 | 8:17

Arti dhe ndikimi i tij në fëmijërinë e hershme

 

Pavarësisht llojit të tij, këngë, valle, vizatim, teatër, etj, artet i lejojnë fëmijëve të shprehin veten. Kjo është dhe një nga shumë arsyet pse terapia e artit ekspresiv është bërë e njohur, veçanërisht për fëmijë me nevoja të veçanta. Kombinimi i arteve ekspresive ose çdo lloj krijimtarie ndihmon në rritjen dhe zhvillimin individual, duke kontribuar në uljen e ankthit, stresit, përvetësim të vetëdijes dhe rritje të vetëvlerësimit…

Nga Lindita Kërçyku Biraçi / Psikologe zhvillimi/shkollore

Arti forcon marrëdhëniet, rregullon sjelljet dhe avancon e zhvillon aftësitë shoqërore. Arti është një formë terapie e cila i ndihmon fëmijët të përballen me situata negative, paaftësi apo problematika. Përmes rehabilitimit, edukimit, komunikimit, arti ndihmon fëmijën të çlirohet dhe shprehë ndjenjat e tij. Puna në grupe arti, aktivitete artistike me shokë e shoqe i bën ata të njohin dhe shfaqin forma të ndryshme reagimi, prej të cilave  ata pranojnë kritika, vlerësime dhe ndërveprojnë në funksion të aktivitetit.

Të jesh i zemëruar ose i lënduar nuk është gjithmonë e lehtë të shprehet me fjalë, por një fëmijë mund t’i vendosë këto emocione në një vizatim, ku nëpërmjet kënaqësisë që fëmija ndjen kur lapsi me ngjyrë kalon mbi letër dhe kur sheh që një pikë boje me ngjyrë bëhet gjithnjë më e madhe. Fëmija me përdorimin e materialeve të ndryshme në orët e artit hulumton me përdorimin e tyre, e kështu krijon ide mbi objektet që e rrethojnë. Shprehja nëpërmjet artit është një mënyrë për t’u ndjerë i lirë, duke treguar personalitetin dhe atë çfarë fëmijët ndjejnë, e duke kuptuar pikat e tyre të forta.

Arti zgjon imagjinatën dhe krijimtarinë e fëmijës dhe ndihmon se si ai të përfshijë shqisat e tij. Krijimi i aftësive shoqërore në moshë të hershme është shumë i rëndësishëm për zhvillimin. Fëmijët që janë kënaqur në mjediset shoqërore veprojnë shumë më mirë si të rritur, pasi krijojnë lidhje, komunikim e ndjeshmëri.

Arti është një formë terapie të cilën e lehtëson dhe drejton një profesionist por kjo mund të përkthehet në përditshmërinë e fëmijës nga prindi.

Inkurajoni fëmijët të eksplorojnë anën e tyre artistike dhe krijuese duke bërë projekte artizanale me materiale lehtësisht të aksesueshme: gota plastike, letër, fije, gurë, rërë, dru, ambalazhe të ndryshme, vinovil, bojëra etj.

Përfshirja në aktivitete të tilla është thelbësore për zhvillimin e fëmijëve, të grupuar sipas fushave të zhvillimit, mund të themi se veprimtaritë e artit, vizatimi, (punë dore) ndihmon:

Në zhvillimin emocional

➢Jep mundësinë e komunikimit jo verbal (pa fjalë)

➢Krijon mundësi për të shprehur ndjenjat në mënyrë të veçantë

➢Largon ankthin, ndrydhjen emocionale

➢Krijon ndjenjën e pushtetit mbi veten

➢Krijon ndjenjën e vetëkënaqësisë

Në zhvillimin fizik

➢Zhvillon kontrollin e vogël motorik

➢Zhvillon shqisën e të prekurit

➢Mpreh te parit (shikimin)

➢Inkurajon lëvizjet trupore

➢Zhvillon, përmirëson, koordinimin sy-duar

Në zhvillimin shoqëror

➢Ndihmon pavarësinë

➢Krijon mundësi për të punuar me të tjerët dhe këmbyer gjëra me ta

➢Zhvillon ndjenjën e përgjegjësisë për punën që kryen

➢Zhvillon ndjenjën e kujdesit për materialet dhe mjedisin rrethues

Në zhvillimin intelektual

➢Ndihmon dhe zhvillon rritjen e fjalorit

➢Mëson koncepte të shumta

➢Rrit kohën e përqendrimit

➢Edukon këmbënguljen

➢Mëson të planifikojë, organizojë diçka.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top