Editorial

July 19, 2022 | 8:50

Artikujt janë për t’u informuar jo vetëm për të komentuar!

 

Nga Orjona Tresa, gazetare

 

Në botën “e madhe” të rrjeteve sociale, ka gjithfarë informacionesh që përhapen me shpejtësi. Ka gjithashtu një lumë vërshimesh nga ana e komentuesve, të cilët përfshihen për të dhënë përvojat e tyre. Temat janë të larmishme: aktuale, shkencore, kulturore. Duke qenë në periudhën e verës, përqendrimi i tyre lidhet me sigurinë, plazhin, rërën, ujin, diellin, çmimet, ushqimet. Por ndikim padyshim ka dhe situata në lidhje me shëndetin. Ka rritje të të prekurve me kovid. Shqetësuese vërtetë. Por, ka edhe më.

Ndër informacione të kësaj fushe, padyshim gjejnë vend dhe ato në lidhje me mbrojtjen jo vetëm nga ky rrezikim kanosës për jetën, por edhe nga dëmtimet që mund të sjellë dielli, por edhe uji. Sepse dielli dhe uji i kripur nuk kanë vetëm të mira për trupin e njeriut, por sjellin dhe probleme kur e kalon masën me ekspozimin ndaj tyre. Për shembull, mjekët thonë se në diell duhet qëndruar në orët e para të mëngjesit deri para mesditës, kjo për t’u siguruar nga goditja e rrezeve të forta që krijojnë probleme kardiake e me radhë. Por dielli është po kaq i dëmshëm për lëkurën, sepse shkakton kancer, që megjithëse është i kurueshëm, kërkon kohë në trajtim. Nis me diegiet nga rrezet ultravioletë, për të vijuar me dëmtimin e nishaneve e me radhë. Dielli i fortë madje krijon alergji për disa, dhe është për të pasur frikë.

Uji i ftohtë nga ana tjetër, për njerëzit me probleme ndikon për keq. Arresti kardiak është shumë problematik, dhe kjo njihet tashmë. Edhe rëra është e dëmshme në të nxehtë, sepse jo vetëm djeg, por mund të të infektojë plagë që mund të kesh në trup, ose të të krijojë alergji në lëkurë, duke u përkeqësuar, favorizuar nga uji me kripë. Pra, këtë informacion në mënyrë të thjeshtuar edhe për lexuesin e painformuar, e gjen lehtësisht në rrjete sociale. Bukur vërtet, duke qenë se të gjithë jemi me kokë në internet, gjatë të gjithë kohës, duke u shndërruar në faktor informues dhe disinformues njëkohësisht. Shumëkush mund të zgjedhë të mënjanohet, sepse mund të ndihet dhe të jetë realisht më i mençur, por se masa e ka të nevojshme të ketë edhe këtë mundësi informimi për t’u ndjerë i ditur.

Tek shkrimet e postuara në Revistën Psikologjia, një nga artikujt flet për dëmtimin që temperaturat e larta ndikojnë në fertilitetin e meshkujve. Në brendësi shkrimi i një profesor doktori italian nënvizonte në gjuhë të thjeshtë se përse meshkujt duhet të mbrohen në këtë rast. Masat ishin të lehta, aspak panikuese. Por për disa lexues, artikulli në titull i shqetësonte shumë, pa marrë iniciativën të shfletonin në të mirë të vetes më në brendësi të tij. Këto komente nuk “e vrasin” aspak, mjekun jo e jo, por as gazetarin që e përzgjodhi apo median që e publikoi, vetëm konkretizojnë mungesën e dëshirës për t’u informuar. Kjo reflektohet gjerësisht. Sepse shumëkush përton dhe të lexojë pak rreshta e mjaftohet vetëm me titullin. Dhe guxon që pas kësaj të japë dhe opinionin e tij, në një koment publik… mbi një shkrim të palexuar.

Një këshillë si gazetare e vjetër tanimë, nuk ju kushton të lexoni, ju kushton të anashkaloni. Vërtet mes mediave serioze ka dhe shumë joserioze, zgjedhja është e juaja. Por mjafton një artikull për të bërë diferencën, dhe kjo varet dhe nga inteligjenca, e cila zhvillohet duke shfletuar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top