FB

May 27, 2022 | 8:22

Autizmi dhe roli i prindërve

Përse na ndodhi ne kjo gjë? A do të jem në gjendje që t’i garantoj të ardhme të mirë fëmijës tim? Këto janë disa nga pyetjet që shpesh prindërit e fëmijëve të prekur nga shqetësimi i spektrit autik bëjnë çdo ditë që nga zbulimi i diagnozës. Komunikimi i kësaj diagnoze gjeneron te prindërit ndjenja dhimbjeje dhe frustrimi, si dhe shqetësimin se nuk do t’ia dalin dot të menaxhojnë një situatë me ngarkesë kaq të madhe përgjegjësie.

Prindi i një fëmije me autizëm duhet të përballet me shumë sfida, të cilat e ekspozojnë përballë faktorëve të shumtë të stresit: duhet ta shoqërojnë fëmijën në takime të ndryshme, ta mbështesin në nevojat e tij edukative, ta ndihmojnë për të menaxhuar mbingarkesën e ndjenjave ose të përballojnë një krizë të paparashikuar në prani të njerëzve të tjerë.

Llojet e stresit që përballojnë prindërit

Kur flitet për stresin, i referohemi përgjigjes funksionale të një personi ndaj stimujve ose ngjarjeve që konsiderohen si të dëmshme në krahasim me burimet e tij personale. (Fiske, 2018). Vështirësitë konjitive, emotive dhe socio-relacionale që vijnë nga autizmi, përfshijnë edhe të gjithë familjen, e cila për t’iu përkushtuar rritjes së fëmijës, ka tendencën të lërë pas dore aspekte të shumta të jetës personale, bashkëshortore, prindërore dhe kundrejt marrëdhënies me fëmijët e tjerë (DeMeyer, 1979). Zakonisht prindërit mund të përjetojnë:

STRES PERSONAL | Niveli i stresit mund të ndikojë në mirëqenien e tyre fiziologjike, duke i bërë më të brishtë ndaj problemeve kardiovaskulare, ndaj sistemit imunitar dhe sëmundjeve gastrointestinale. Një studim ka arritur në përfundimin se prindërit me fëmijët me autizëm kanë nivele të larta të kortizolit, nivelit të stresit (Hayes & Watson, 2013). Disa prindër besojnë se kushtet e një fëmije me autizëm do të ndikojnë negativisht në jetën e tyre (“nuk do të jetë asnjëherë i lumtur si të tjerët”), disa përjetojnë turp nga frika se mos gjykohen nga njerëzit e tjerë (“do të mendojnë se nuk jam një prind i mirë”). Këto ndjenja të forta dhe të pakënaqshme që prindërit përjetojnë ndikojnë në mirëqenien e tyre mendore.

STRES PRINDËROR | Mund të ndodhë që, në kushte stresi prindërit mund të jenë më pak tolerantë në menaxhimin e sjelljeve problematike, sidomos nëse janë të dhunshme. Në këtë mënyrë, prindërit rrezikojnë në mënyrë të pavullnetshme të jenë më pak të prirur që të përkushtohen në edukim dhe bashkëpunojnë më pak për të mirën e fëmijës.

STRESI SOCIAL | Niveli i stresit mund të rritet nëse kanë një mbështetje sociale të kufizuar. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk e di se çfarë është shqetësimi i spektrit autik dhe pasojat që sjell ky shqetësim. Mund të ngatërrojnë shumë lehtë sjelljen e një fëmije autik me sjelljen e një fëmije të paedukuar ose të keqkuptojnë disa sjellje të tyre. Kjo stigmë rrit distancën nga prindërit e fëmijëve me autizëm, duke i bërë të ndihen krejtësisht të izoluar. Për pasojë, ata mund të fillojnë të kalojnë më pak kohë me miqtë dhe familjarët ose mund të evitojnë vendet publike.

STRES BASHKËSHORTOR | Rritja e një fëmije me autizëm mund të ndikojë edhe në marrëdhënien bashkëshortore, sepse i gjithë sistemi familjar rrotullohet rreth tij. Mund të lënë pas dore disa aspekte të rëndësishme të çiftit, si intimiteti dhe mund të përjetojnë më pak kënaqësi bashkëshortore (Estes, 2009). Vështirësia për të gjetur çaste për veten dhe me të rriturit e tjerë mund të krijojë momente krize në marrëdhënien bashkëshortore (Sorrentino, 2006). Veç kësaj, mund të jenë të shpeshta mosmarrëveshjet mbi menaxhimin e sjelljes së fëmijës.

STRES FINANCIAR | Prindërit e fëmijëve me autizëm mund të kenë të ardhura më të pakta, ose duhet të punojnë më pak orë sesa prindërit e tjerë. Po ashtu, ata mund të përballen me shpenzime të shtuara për shkak të terapive të shtrenjta, si dhe kurave mjekësore.

Si të largoni stresin?

Para së gjithash duhet të kuptoni se niveli i stresit është në kontrollin tuaj, ndaj të kujdeseni për veten ka një ndikim pozitiv të menjëhershëm edhe në mirëqenien e fëmijës. Por çfarë duhet të bëjnë prindërit për të përballuar stresin?

  1. Gjeni një pushim jashtë punës

Të gjeni hapësirë për veten, duke ia lënë fëmijën një njeriu të besuar, mund t’i japë atij mundësinë për të ndërvepruar me të rriturit e tjerë. Kjo gjë e lejon prindin të gjejë momente për veten, ku mund të përqendrohet te shëndeti i tij emotiv dhe fizik, si dhe mund të kultivojë interesat e veta dhe marrëdhëniet e tjera të rëndësishme.

  1. Përdorni rrjetin social

Familjarët dhe miqtë e afërt mund të kenë vështirësi për të kuptuar konkretisht sesi mund të ofrojnë ndihmën e tyre. Ndaj, mësojini se çfarë është autizmi dhe besojuni atyre detyra specifike, pasi kjo gjë i ndihmon të kuptojnë mbi stresin që kalojnë prindërit. Veç kësaj, ekzistojnë qendra terapie ku prindërit mund të gjejnë një mbështetje sociale.

  1. Përfshini një profesionist

Ndërhyrja e një profesionisti është e rëndësishme që prindërit të kërkojnë ndihmë për stresin që kalojnë. Profesionisti mund ta ndihmojë prindin që të ketë një vetëdije më të madhe për punën që bën me fëmijën e tij. Mund t’i japë mbështetje për të përballuar sjelljet problematike dhe mund të favorizojë përgjithësimin e sjelljeve funksionale. Ndaj, është e rëndësishme që edhe fëmija të fitojë kompetenca specifike të nevojshme për të kuptuar nevojat e fëmijës, me qëllimin që të rrisë aftësinë, pavarësinë dhe komunikimin e tij (Vio C., 2010). Falë ndihmës së një profesionisti, prindërit e fëmijëve me autizëm mund të lehtësohen dhe të ulin nivelin e stresit të tyre.

 

Përgatiti: Manjola EREQI  |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 166

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top