FB

May 27, 2022 | 7:45

5 këshilla për të përmirësuar përqendrimin

Si të përmirësoni përqendrimin? Cilët janë armiqtë që dëmtojnë vigjilencën? Sipas studiuesve kushtet që dëmtojnë vëmendjen dhe përqendrimin janë lodhja fizike, mërzia, multitasking, stresi etj. Si të mësoni të përqendroheni, sidomos në ditët kur jeni viktimë e stresit dhe situatave të vështira të jetës? Ekspertët sugjerojnë një përqasje, e cila ndërhyn mbi shumë burime që do të pakësojë si shpërqendrimet e brendshme, ashtu dhe ato të jashtmet, duke përmirësuar aftësinë e përqendrimit. Le të shohim se cilat janë ato…

  1. Rregulloni kaosin

Sipas mjekes Sabine Kastner, doktoreshë e “Kërkimeve në Qendrën për Studimet e Trurit, Mendjes dhe Sjelljes”, në Universitetin e Princeton, gjendja normale e mendjes është parregullsia, me mendime të rastësishme, perceptime dhe ndjesi, të gjitha “në garë” me njëra-tjetrën për të marrë vëmendjen. Zakonisht, të rriturit ia dalin që të shndërrojnë këtë kaos në një rregullsi të arsyeshme, duke kryer “një kontroll të vëmendshëm” për të filtruar disa gjëra dhe për ta orientuar vëmendjen tek të tjerat. Në momentin kur mundohemi të menaxhojmë njëkohësisht shumë aspekte, në tentativën për të pasur një kontroll të përsosur, nuk bëjmë gjë tjetër veçse humbasim toruan. Nëse e kuptoni se keni hyrë në këtë rreth vicioz disfunksional, mund të jetë e nevojshme të mësoni që çdo ditë të lini me vetëdije ndonjë parregullsi të vogël (për shembull, tryezën e punës).

  1. Kujdesuni për veten

Ushqimi, pushimi dhe aktiviteti i rregullt fizik mund t’ju ndihmojnë për të rritur ndjeshëm nivelin e përqendrimit.

“Ushqeni trurin tuaj”. Sipas “American Dietetic Association”, mosngrënia e mëngjesit dëmton përqendrimin dhe ndikon negativisht në performancën tuaj. Niseni ditën me një mëngjes të mirë dhe ushqehuni shëndetshëm, pasi është mënyra e duhur për të përmirësuar përqendrimin dhe për ta ruajtur atë. Davis, studiues në “Western Human Nutrition Research Center”, në Universitetin e Kalifornisë sugjeron se dietat e varfra me hekur, magnez dhe zink mund të rrezikojnë aftësinë e përqendrimit.

“Flini mjaftueshëm”. Përmirësimi i përqendrimit kërkon një sforco mendore dhe një trup i lodhur nuk është në gjendje të përqendrohet ashtu siç duhet. Pushimi mund të përfaqësojë një nga hapat më të rëndësishëm për të rritur përqendrimin. Por sa orë duhet të flemë? “National Sleep Foundation” rekomandon 7–9 orë.

“Stërvituni.” Janë të shumta studimet që vërtetojnë se aktiviteti i rregullt fizik përmirëson përqendrimin, vigjilencën mendore dhe memorien, ndaj ushtrohuni sa më shumë të jetë e mundur.

  1. Meditoni

Praktika e meditimit është jashtëzakonisht e dobishme. Kur përpiqeni të meditoni, përqendrimi është gjëja e parë që duhet të mësoni të menaxhoni. Të meditoni çdo ditë, ju lejon të përmirësoni teknikat e përqendrimit.

  1. Përgatituni dhe planifikoni

Për të evituar rënien e përqendrimit, planifikojini më përpara gjërat që duhet të bëni. Në këtë mënyrë, mendja juaj duhet të përballet vetëm me “ndërhyrjet” e çastit që ndodhin papritur. Mundohuni të hyni në gjendjen e një njeriu të përqendruar. Ju ka ndodhur ndonjëherë të mos e gjeni se ku e leni lënë makinën në parkim? Kjo ndodh sepse me shumë gjasa nuk i keni kushtuar shumë vëmendje që në fillim vendit ku keni parkuar.

  1. Jepini vetes momente kaosi

Çdo ditë jepini vetes një kohë të caktuar ku të shpërqendroheni dhe lëreni mendjen të lirë. Nëse keni programuar të pushoni në një moment të caktuar të ditës – për shembull në 17:30 kur ktheheni nga puna – do të keni tendencën të mos shpërqendroheni në orën 11:00 ose 15:00. Nuk duhet ta humbisni përqendrimin në momentet e gabuara. Mendoni se keni programuar të çlodheni më vonë dhe ruajeni vëmendjen te detyrat që jeni duke bërë.

Këshilla

  • Jini gjithmonë pozitivë kur keni një objektiv për të përmbushur!
  • Kur demoralizoheni, mendoni për sukseset që keni arritur në të kaluarën.
  • Mos jini shumë kërkues me veten. Nuk është ndonjë problem i madh nëse herë pas here jeni të pavëmendshëm. Jeni njeri, jo makineri.
  • Krijoni një atmosferë të qetë dhe të rehatshme, në mënyrë që të keni mundësi të përqendroheni.
  • Kur e kuptoni se mendja po largohet nga ajo që jeni duke bërë, dërgojeni atë në drejtimin e duhur.
  • Përkushtohuni në punën tuaj. Mos u shpërqendroni nga problemet dhe shqetësimet. Caktoni një sistem shpërblimi dhe jepini vetes një kënaqësi kur ia dilni të ruani përqendrimin.
  • Mos qëndroni në të njëjtin vend për shumë kohë, përkundrazi do të mërziteni menjëherë dhe nuk do të jeni të efektshëm në atë çka po bëni.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI  |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 166

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top