Marrëdhënie

April 29, 2020 | 8:08

Autonomia personale në çift

Zgjidhja për varësinë emocionale në një marrëdhënie kalon përmes përvetësimit të një autonomie më të madhe personale, edhe pse nuk është gjithmonë e lehtë për t’u përftuar. Luftimi i varësisë emocionale nuk është i lehtë, por as i pamundur. Shkëputja e zinxhirëve që lidhen me personin tjetër, vendosja e kufijve dhe dedikimi ndaj aktiviteteve dhe hapësirave për veten, janë strategji që ndihmojnë për të fituar një autonomi më të madhe personale.

Siç dihet, në muajt e parë të një lidhjeje është krejt normale të llogarisim minutat që na ndajnë nga partneri, dhe që dëshirojmë të kalojmë sa më shumë kohë së bashku. Të paktën derisa faza e dashurisë të fillojë të zbehet dhe të nisë rrugën për t’i lënë vend një dashurie më të pjekur. Problemi shfaqet kur dëshira për të qenë me tjetrin bëhet domosdoshmëri, dhe të qenit vetëm ose të pasurit projekte personale bëhet një problem.

Në këto situata shfaqet varësia emocionale: kur ndaloni së qeni vetvetja për të kënaqur dëshirat dhe pritshmëritë e njëri-tjetrit; kur përfundoni duke u lidhur si me zinxhirë me partnerin dhe marrëdhënien tuaj derisa bëheni gati të padukshëm.

Çfarë të bëni për të menaxhuar një situatë të tillë dhe për të fituar më shumë autonomi personale?

Përqafim i çiftit symbyllur

Merrni autonominë personale duke iu përkushtuar aktiviteteve të ndryshme. Sa më shumë të bini dakord me partnerin për një numër të madh pritshmërish, do të ketë pashmangshmërisht dhe shumë të tjerë që do të arrini. Nuk është e mundur të pajtohemi plotësisht për gjithçka: ndoshta i duam ekskursionet dhe partneri ynë jo; ndoshta jemi më të tërhequr nga sportet e forcës ndërsa partneri preferon aerobinë… Gjëja më e rëndësishme është respektimi i diferencave. Sepse të qenit një çift nuk do të thotë të sakrifikosh pavarësinë tënde, shijet, pasionet apo thjesht mendimet, e lëre pastaj të qëndrosh bashkë çdo minutë. Një marrëdhënie është shumë më tepër se sa të qenit të barabartë dhe në marrëveshje, do të thotë të lidhesh, të respektosh, të pranosh dhe të rriteni së bashku.

Megjithatë, njerëzit që vuajnë nga varësia emocionale, nga frika e braktisjes ose nga humbja e personit tjetër, mund të shkojnë deri në kufizimin e aktiviteteve të tyre dhe ato të partnerit, në thelb, kufizojnë botën e tyre personale. Kjo situatë, e cila në pamje të parë mund të duket e padëmshme, ndikon negativisht në vetëvlerësim. Prandaj, këshillohet fort që të mos braktisni aktivitetet që japin kënaqësi, thjesht sepse personi tjetër nuk është i përfshirë.

Të kesh hapësirën tënde intime dhe personale ndihmon në luftimin e një prej besimeve që mbizotërojnë në idealin e dashurisë romantike: përvetësimi i autonomisë në marrëdhënie nuk do të thotë të duash më pak, por të kujdesesh për veten dhe të kultivosh atë që na bën të ndihemi mirë, pa qenë domosdoshmërisht të varur nga partneri për ta bërë atë.

Të bësh dallime mes miqve me dhe pa partner

Shpesh, kur dikush është në një lidhje, ka tendencë të njohë çifte të tjera me të cilët të krijojë miqësi. Kjo sigurisht që është pozitive dhe pasuruese. Megjithatë, çfarë të themi për miqtë beqarë, të mënjanuar pasi të takuan partnerin? Ka shumë njerëz që braktisin miqtë e tyre, sepse nuk duan ta lënë vetëm partnerin, veçanërisht ata që përjetojnë varësi emocionale. Problemi është se ky qëndrim nuk është i shëndetshëm. Nëse mendojmë gjatë, shohim se mund të ketë pasoja negative: nuk interesohemi më shumë për mikun, i cili ka qenë gjithmonë pranë nesh? Na ka bërë diçka? Çfarë do të ndodhë nëse marrëdhënia përfundon? Të mendosh që, kjo hipotezë e fundit mund të ndodhë dhe është e vështirë, por edhe e mundshme. Nuk ka asnjë garanci që marrëdhënia të zgjasë përgjithmonë, një tjetër nga besimet e dashurisë romantike. Prandaj, duke mos u kujdesur për miqtë tuaj, rrezikoni të dënoheni së qëndruari vetëm dhe pa mbështetje.

Është gjithmonë mirënjohëse të mbështetesh te njerëzit për çfarëdo gjëje të ndodh, sepse ata e duan shoqërinë tonë dhe ne ndajmë përvojat me ta. Ajo që nuk është e pranueshme, është të qenit ose jo të gatshëm në varësi të pranisë ose mungesës së një partneri. Njerëzit me varësi emocionale duhet të fitojnë autonominë personale për të kuptuar se ekziston një jetë përtej çiftit.

Edhe nëse i bëjnë të gjitha përpjekjet, marrëdhënia mund të përfundojë. Në këto raste, në vend që t’i kushtojnë kohë vetes dhe t’i japin vlerë miqësive, këta njerëz përfundojnë duke u hedhur përsëri në një lidhje, duke rritur më tej problemin e tyre të varësisë emocionale.

Mikesha që përqafohen

Një nga besimet që ka shkaktuar dëmin më të madh në mirëqenien e marrëdhënieve, është ai i “jemi një”. Për ta kundërshtuar këtë besim, duhet ta kuptojmë çiftin si një ekip prej dy personash që ndajnë jetën e tyre, por që nuk janë një. Shkurt, jemi të ndryshëm, por me një rrugë të përbashkët: marrëdhënien.

Sipas të gjitha besimeve që zhvillohen rreth marrëdhënieve në çift, “jemi një dhe të vetëm”, që mund të duket kaq e pafajshme, madje edhe e dashur, mund të shndërrohet në një element shumë të rrezikshëm. Dhe kjo ndodh sepse në disa situata nuk jemi në gjendje të njohim kufirin midis individualitetit të njërit dhe tjetrit, duke e zbehur gradualisht në një marrëdhënie të bazuar në besime iracionale dhe duke humbur identitetin e tyre.

Të gjithë duhet të mësojmë të fitojmë më shumë autonomi në marrëdhënie. Edhe nëse shumë e bëjnë, do të mjaftonte të shihnit përreth për të kuptuar se sa njerëz ende nuk e bëjnë. Ndoshta për disa mund të shkojë mirë edhe pa e pasur këtë autonomi dhe të eksperimentojnë me marrëdhënien në këtë mënyrë, megjithatë është mirë të nënvizohet se kjo qasje nuk mund të funksionojë për njerëzit që vuajnë nga varësia emocionale. Ata rrezikojnë të bëjnë zgjedhje të gabuara dhe të humbasin gjithnjë e më shumë vetëdashurinë me kalimin e kohës.

 

Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 147

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top