FB

October 29, 2026 | 16:06

Koha që i duhet një mendimi / Në një epokë që kërkon përgjigje të menjëhershme, a kemi ende kohë për të menduar thellë, për të dyshuar dhe për të dëgjuar tjetrin?

Biseda nisi krejt rastësisht, me një pyetje që prej kohësh më dukej se e kisha sqaruar për veten: çfarë e dallon letërsinë e mirë nga ajo mediokre?

rezi-protesta

Po i tregoja tim shoqi se, sa herë më lindin dyshime mbi vlerën dhe qëndrueshmërinë e një mendimi, kthehem te veprat e mëdha të letërsisë e të filozofisë. Jo për të kërkuar një autoritet që të më japë të drejtë, por për të kuptuar se si një mendim arrin të depërtojë përtej asaj që duket e qartë, si i përballon kundërshtitë dhe përse disa të vërteta vazhdojnë të na shqetësojnë edhe shekuj pasi janë shkruar.
Im shoq më kundërshtoi. Po të jetonte sot Tolstoi, tha, ose do të detyrohej të ndryshonte ritmin e krijimtarisë, ose nuk do të merrte të njëjtën vëmendje. Informacioni lëviz me shpejtësi të jashtëzakonshme. Një mendim, sado i rëndësishëm, mund të humbasë brenda ditës mes mijëra të tjerëve.
Kundërshtimi i tij kishte një të vërtetë që nuk mund ta shpërfillja. Por a është vëmendja që merr një vepër edhe masa e vlerës së saj? Një epokë mund ta bëjë të famshëm një mendim pa e bërë të thellë, ashtu siç mund të lërë në harresë një vepër pa ia zvogëluar madhështinë.
Mendova për Vdekjen e Ivan Iliçit. Nuk ishte vdekja e tij ajo që më kishte tronditur, por jeta që e kishte paraprirë. Një jetë e ndërtuar mbi pritshmëri krejt të respektueshme, mbi arritje që askush nuk do t’i vinte në dyshim. Po ta vështroja atë jetë vetëm nga jashtë, ndoshta edhe unë do ta kisha quajtur të suksesshme. Dhe pikërisht kjo më shqetësoi më shumë: sa prej gjërave që kisha dëshiruar dikur ishin vërtet zgjedhjet e mia, dhe sa i kisha pranuar vetëm sepse më ishin paraqitur si mënyra e duhur për të jetuar?
Por as ndikimi te lexuesi nuk është garanci e madhështisë. Edhe mendimet e gabuara mund të tronditin njerëz e të ndryshojnë jetë. Ndoshta dallimi qëndron diku tjetër: një vepër mediokre shpesh e përdor gjithçka për të provuar bindjen e autorit, ndërsa një vepër e madhe është e aftë të përballojë edhe atë që e kundërshton. Ajo nuk e zvogëlon ndërlikimin e jetës për të na dhënë një përgjigje të këndshme.
Këtu filloja të kuptoja çfarë nuk më bindte në kundërshtimin e tim shoqi. Nuk ishte shpejtësia ajo që më shqetësonte. Përkundrazi, mundësia për të gjetur menjëherë një informacion është një nga lehtësitë më të mëdha të kohës sonë. Edhe mua, kur shkruaj, një sqarim i shkurtër mbi ndërtimin e një fjalie mund të më kursejë shumë mundim. Por të dish si ndërtohet një fjali nuk do të thotë të dish nëse ajo mbart një mendim që ia vlen të lexohet. Dhe më lindi dyshimi se, duke u mësuar me përgjigjet e menjëhershme, mund të kishim filluar të kërkonim të njëjtën shpejtësi edhe nga vetë mendimi.

Dialog pikëpyetje dilema

Kjo prirje më duket veçanërisht e dukshme në mënyrën si zhvillohen diskutimet publike. Nuk mungojnë njerëzit e ditur, as informacionet, as çështjet që meritojnë të shqyrtohen. Përkundrazi, ndonjëherë të krijohet përshtypja se të gjithë kanë aq shumë për të thënë, sa nuk u ka mbetur më vend për të dëgjuar. Mjafton të hapësh një nga emisionet televizive të mbrëmjes.
Njerëz të shkolluar, të lexuar, të ftuar për të shqyrtuar një problem serioz. Pas pak minutash flasin të gjithë njëkohësisht. Secili kërkon të mos ndërpritet, ndërsa ndërpret tjetrin. Moderatori, në vend që të drejtojë diskutimin, përfundon duke administruar zhurmën si një arbitër në prag të kartonit të kuq.
Nuk më shqetëson mospajtimi i tyre por fakti se askush nuk duket i interesuar të zbulojë diçka nga mendimi i tjetrit. Aty, dija duket se shërben më shumë për të mbrojtur autoritetin sesa për të shqyrtuar mundësinë e gabimit.
Sigurisht, kjo dobësi nuk lindi me televizionin apo teknologjinë. Njeriu ka kërkuar gjithmonë të ketë të drejtë. Sot mund të gjejë më shpejt argumente për ta bindur veten se e ka.
Ndoshta ky është rreziku që fshihet pas gjithë lehtësive të kohës sonë: jo fakti se informacioni mbërrin shumë shpejt, por se mund të na japë përshtypjen se kërkimi ka përfunduar, ndërsa ne ende nuk kemi filluar të dyshojmë.
Im shoq mund të kishte të drejtë. U përpoqa ta përfytyroja Tolstoin përpara një kompjuteri, duke shkurtuar Vdekjen e Ivan Iliçit për të mos ia humbur kohën lexuesit. Pak nga sëmundja, pak nga frika, edhe më shumë nga jeta që e kishte sjellë deri aty. Derisa të mbetej vetëm fundi. Ai, të paktën, dihej që në titull.
Më bëri të qesh ky përfytyrim. Pastaj m’u kujtua se Ivan Iliçi kishte kaluar një jetë të tërë duke u përpjekur të bëhej njeriu që pritej prej tij.
Nuk e di nëse Tolstoi do ta gjente vendin e vet në kohën tonë.
Ivan Iliçi, me siguri po.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top