Lifestyle

January 4, 2018 | 19:05

Avni Mula feston 90-vjetorin, miqtë mesazhe urimi për kompozitorin shqiptar

Sot është ditëlindja e kompozitorit Avni Mula. Ai u lind më 4 janar të vitit 1928 në Gjakovë, Kosovë. Cilësohet një nga kompozitorët më të shquar të vendit. Mbrëmjen e sotme për nder të tij u organizua një aktivitet kulturor me pjesët e zgjedhura të Mulës, kënduar nga vajza e tij, soprano Inva Mula dhe të fuar të tjerë.

 Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës në vitet 1952-1957, ku u diplomua si këngëtar lirik. Gjatë studimeve ai u njoh dhe u martua me sopranon ruse Nina Mula. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit. Realizoi role kryesore në repertorin operistik të kohës, duke u dalluar për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës. Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Veprimtarinë krijuese e nisi fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Avni Mula dhe vajza e tij, Inva

Avni Mula me bashkëshorten, Nina

Ai është një nga 4-5 nismëtarët e parë të organizimit, ideimit të Festivalit të Parë të Këngës së Lehtë në Radio, në nëntor 1962. Avniu me krijimtarinë e shumtë, me vlerat interpretative u bë frymëzuesi, simboli, sinonimi i festivaleve dhe aktiviteteve të tjera muzikore. Me kompozimet e tij ai ka qenë disa herë fitues në aktivitete muzikore kombëtare. Vajza e Avniut dhe e Ninës, Inva Mula, sot është një nga këngëtaret lirike më të njohura në botën operistike. Avni Mula mban titullin “Nderi i Kombit” dhe padyshim “Artisti i Popullit”.

Avni Mula me vajzën e tij, Inva

Avni Mula me vajzën e tij, Inva

Përgatiti Orjona Tresa

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top