Marrëdhënie

September 28, 2016 | 11:46

Bashkëjetesa, mënyrë bashkëkohore e jetesës në çift

 Para çdonjërit prej nesh, në procesin e rritjes dhe të zhvillimit shfaqen shumë mënyra jetese. Shpesh njerëzit vihen para mëdyshjes: të jetoj me dikë apo me veten? Shumica zgjedhin martesën si stilin më të parapëlqyer të jetës. Janë rreth 6%-8% e tyre që parapëlqejnë beqarinë dhe ky numër është në rritje. Ndërkohë që është dhe një numër i konsiderueshëm individësh që sa vjen dhe shtohet, ndër ata që kërkojnë jetën në grup, bashkëjetesën me ose pa kontratë.

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Bashkëjetesa është një marrëdhënie emocionale dhe seksuale e dy partnerëve që jetojnë bashkë, por të palidhur ligjërisht, të paligjëruar në gjendjen civile. Zakonisht bashkëjetuesit ndajnë të njëjtën sipërfaqe banimi. Kryesisht bëhet fjalë për çifte të lidhura në partneritet për jetë të përbashkët shoqërore, shpirtërore, ndoshta edhe materiale, ekonomike që mund të kenë apo të rrisin fëmijë të përbashkët, por që ruajnë pavarësinë para ligjit në detyrimet ndaj martesës dhe familjes. Partnerët bashkëjetues janë çifte, të cilët nuk janë gati për martesë ose që presin të martohen; që e shohin bashkëjetesën si alternativë aktuale të martesës; që jetojnë për arsye ekonomike. Janë partnerë me lidhje të fortë afektive, por pa lidhje martesore. Bashkëjetesa jo vetëm mund ta paraprijë martesën, por dhe mund ta pasojë atë. Bashkëjetesa ka lindur në kohën tonë, duke qenë si e tillë një dukuri historike. Sot ajo është shtuar si fenomen dhe motivacion kryesisht në vendet perëndimore, po ashtu dhe në Shqipëri. Shtimi dhe rritja e saj shkaktohen kryesisht nga zhvillimet e shpejta të shoqërisë bashkëkohore dhe nevojat individuale që e shoqërojnë atë.

Ndër faktorët që ndikojnë në zgjedhjen e sotme të alternativës së bashkëjetesës mund të përmenden motive të tilla:

• Frika apo shmangia nga detyrimet e martesës

• Karriera ose lidhja arsimore

• Rritja e tolerancës së shoqërisë së sotme, prindërve dhe e moshatarëve

• Dëshira për të pasur një marrëdhënie të qëndrueshme seksuale dhe emocionale, por pa pasur lidhje ligjore

• Testimi i përshtatjes ose i krijimit të sigurisë financiare para martesës

• Dëshira për të jetuar si i martuar në shoqërinë ku nuk lejohen ose s’janë ligjore seksi me gjininë e njëjtë, martesa me raca të ndryshme apo martesat ndërfetare

• Jetesa me dikë para martesës për të shmangur shkurorëzimin e mundshëm

• Një mënyrë që përdorin poligamët për t’ju shmangur poligamisë

• Kur shikojnë një dallim të vogël midis mundësisë për të jetuar bashkë dhe mundësisë për t’u martuar

Në studimet e ndryshme që janë bërë për dukurinë e bashkëjetesës veçohen disa cilësi të përbashkëta, të cilat vihen re te partnerët e pamartuar, por që jetojnë bashkë. Kështu, bashkëjetuesit janë kryesisht me moshë mbi 25 vjeç. Bashkëjetesa, si një mënyrë jetese dhe si alternativë e martesës, shoqërohet edhe me problemet e saj, të cilat ndeshen shpesh në shumicën e rasteve. Një nga problemet kryesore është kur ajo zgjatet shumë dhe fillojnë kontradiktat në lidhje me dëshirën e njërës palë që kërkon të ndryshojë status, apo që kërkon të bëhet prind. Bashkëjetesa e gjatë, ashtu sikurse rrit pasionin, dashurinë, besimin, të bën edhe më të dobët emocionalisht, sepse ju vareni nga partneri tjetër, ose me kalimin e viteve mund të zbehë ndjenjat, të cilat, në disa raste, çojnë dhe drejt ndarjes në shumë çifte. Nga ana tjetër, edhe prindërit e sotëm e kanë të vështirë të pranojnë një status të tillë për fëmijët e tyre, status i paqartë dhe i paqëndrueshëm, i pasigurt dhe pa të ardhme të parashikuar. Pavarësisht ndryshimeve kulturore që kanë shoqëruar zhvillimin e përgjithshëm shoqëror, qëndrimet e prindërve kushtëzohen kryesisht nga modeli i jetës së tyre martesore dhe familjare. Sot në botë ka filluar të përhapet gjerësisht bashkëjetesa si një mënyrë bashkëkohore e jetës në çift.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top