Këshilla & Arsye

January 5, 2021 | 8:36

Bëjini “refresh” trurit për vitin 2021 me këto 6 mënyra efikase të bazuara në shkencë

 

 

Viti 2020 ishte i vështirë për të gjithë dhe tragjik për disa. Nisja e administrimit të vaksinimit kundër Covid-19 dhe pritja për fillimin e shpejtë në vendin tonë, na jep më shumë shpresë për një rikthim në normalitet dhe për një vit të ri më të mirë se ai që lamë pas.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Muaj të tërë të kaluar në ankth, vetmi dhe dhimbje, mund të kenë krijuar një spirale negativiteti, e cila është e vështirë të thyhet. Arsyeja? Stresi kronik e ndryshon trurin tonë dhe na pengon të bëjmë gjërat që duam, shkruan “The Conversation”.

Për ta shijuar më mirë jetën përgjatë vitit 2021, kemi nevojë të heqim dorë nga disa zakone të dëmshme dhe të rikthejmë nivelet tona të energjisë. Në disa raste, do na duhet ta sforcojmë veten për të bërë gjëra, të cilat gradualisht do të na bëjnë të ndihemi më mirë.

Më poshtë, përshkruhen gjashtë mënyra të bazuara në fakte shkencore, të cilat sjellin ndryshime pozitive në trurin dhe në jetën tonë:

1

1.Silluni mirë dhe ndihmoni të tjerët!

Mirësjellja, altruizmi dhe empatia kanë ndikim pozitiv në trurin tonë. Sipas një studimi, dhënia e parave për bamirësi e aktivizon sistemin e shpërblimit në tru në të njëjtën mënyrë që e aktivizon edhe marrja e parave. Kjo gjë vlen edhe për situatat kur ndihmojmë të tjerët që kanë nevojë. Edhe vullnetarizmi mund ta përmirësojë kuptimin tonë për jetën, të na shtojë lumturinë, shëndetin dhe mirëqenien. Të rriturit që bëjnë punë vullnetare përjetojnë kënaqësi më të madhe në jetë dhe nivele me të ulëta të ankthit dhe depresionit.

Pra, duke lumturuar të tjerët, do të lumturojmë edhe veten tonë!

 

2.Ushtrohuni!

Ushtrimet fizike sjellin përfitime në shëndetin fizik dhe atë mendor: përmirësojnë shëndetin kardiovaskular dhe ulin simptomat e depresionit. Te fëmijët, ushtrimet shoqërohen me një performancë më të mirë në shkollë, ndërsa tek të rriturit, me përmirësim të të menduarit dhe performancës në punë. Tek të moshuarit, ushtrimet ruajnë performancën mendore dhe shtojnë qëndrueshmërinë përballë çrregullimeve neurodegjenerative, si demenca. 

Studimet kanë treguar se personat që ushtrohen rregullisht, kanë volum më të madh të trurit, që shoqërohet me një performancë më të mirë mendore në moshë më të madhe. Njerëzit që ushtrohen jetojnë më gjatë. Një nga gjërat më të mira që mund të bëni për të rigjallëruar trurin tuaj është të dilni jashtë, të merrni pak ajër të pastër, të bëni një shëtitje të shpejtë, të vraponi ose të ngisni biçikletën.

2

3.Ushqehuni mirë!

Ushqimi mund të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme zhvillimin dhe shëndetin e trurit. Ai e pajis trurin me blloqet kryesore ndërtuese, me të cilat truri krijon dhe ruan lidhjet, çka është kritike për përmirësimin e të menduarit dhe performancës akademike. Të dhënat e mëparshme kanë treguar se mungesa afatgjatë e përbërësve ushqimorë mund të çojë në dëmtime strukturore dhe funksionale në tru, ndërsa një dietë cilësore shoqërohet me volum më të madh të trurit.

Një studim me 20 mijë pjesëmarrës në Britani tregoi se njerëzit që konsumonin drithëra kishin një vëllim më të madh të materies gri në tru (një përbërës kryesor në sistemin nervor qendror), që lidhet me përmirësimin e të menduarit. Ndërsa, dietat me shumë sheqer, yndyrna të ngopura ose shumë kalori mund ta dëmtojnë funksionimin e trurit dhe mund ta ulin aftësinë e trurit për të formuar lidhje të reja nervore, duke ndikon negativisht të menduarit.

Pavarësisht moshës suaj, përpiquni të konsumoni një dietë të mirëbalancuar, e cila përfshin fruta, perime dhe drithëra.

 

4.Ruani lidhjet shoqërore me të tjerët!

Vetmia dhe izolimi social është i përhapur në të gjitha moshat, gjinitë dhe kulturat – duke u shtuar gjatë pandemisë COVID-19. Të dhënat shkencore kanë treguar se izolimi e dëmton shëndetin tonë fizik dhe mendor. Një studim i fundit tregoi se izolimi kishte efekte negative në gjendjen emocionale, por ky efekt ishte më i ulët tek ata persona që i ruajtën lidhjet me të tjerët.  Zhvillimi i lidhjeve sociale dhe dalja nga vetmia është shoqëruar me vdekshmëri më të ulët dhe më pak sëmundje. Vetmia dhe izolimi social njihen si çështje kritike të shëndetit publik, të cilat kërkojnë ndërhyrje efektive. Ndërsa, ndërveprimi shoqëror lidhet me ndjenja pozitive dhe aktivizim më të lartë të sistemit të shpërblimit në tru.

Qëndroni të lidhur me familjarët dhe miqtë tuaj, por edhe zgjerojini horizontet tuaja duke formuar lidhje të reja shoqërore.

5.Mësoni diçka të re!

Truri ndryshon gjatë periudhave kritike të zhvillimit, por edhe gjatë gjithë jetës. Eksperiencat e reja, si mësimi i aftësive të ndryshme, mund ta modifikojnë funksionin e trurit, por edhe strukturën e tij. Për shembull, është parë se xhonglimi rrit sasinë e materies së bardhë të trurit, duke përmirësuar performancën pamore-lëvizore. Muzikantët kanë më shumë materie gri në pjesët e trurit që përpunojnë informacione zanore. Edhe mësimi i një gjuhe të re mund ta ndryshojë strukturën e trurit. Rishikimi i shumë studimeve ka sugjeruar se aktivitetet e kohës së lirë që e stimulojnë trurin – nga shahu te lojërat mendore – shtojnë qëndrueshmërinë dhe mbrojnë nga rënia e funksioneve mendore në moshë të madhe.

 

6.Flini mirë dhe mjaftueshëm!

Gjumi është një përbërës thelbësor i jetës sonë, edhe pse shumë njerëz nuk e kuptojnë mirë lidhjen mes shëndetit të mirë të trurit dhe procesit të gjumit. Gjatë gjumit, truri riorganizon dhe rikarikon veten, si dhe eliminon “mbetjet toksike” të panevojshme – ky proces ndihmon në ruajtjen e funksionimit normal të trurit.

Gjumi është shumë i rëndësishëm për transformimin e përvojave tona në kujtime afatgjata, për ruajtjen e funksionimit mendor dhe emocional dhe për pakësimin e lodhjes mendore. Studimet e deprivimit të gjumit kanë treguar dëmtime në kujtesë dhe vëmendje, si dhe ndryshime në sistemin e shpërblimit në tru, që shpesh ndërpret funksionimin emocional. Gjumi ka një ndikim rregullator edhe në sistemin imunitar. Nëse ju bëni një gjumë cilësor dhe të mjaftueshëm, do të shihni se do të keni më shumë energji, do të ndiheni më mirë, do të mendoni dhe do të krijoni më mirë.

Pas këtyre sugjerimeve, me shpresën se do t’ia dalim të bëjmë më të mirën tonë përgjatë vitit 2021, ju uroj një Vit të Ri të mbarë dhe të shëndetshëm!

*Nëse pavarësisht ndryshimeve që mund të bëni për ta përmirësuar jetën tuaj, do të vazhdoni të ndieni shqetësime dhe vështirësi në jetën e përditshme apo në marrëdhënie me të tjerët, mund t’ju nevojitet të flisni nga afër me një psikolog për të marrë ndihmë më specifike.

 

Marrë nga Blogu i psikologes www.ledionabraho.wordpress.com

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top