Psikofakt

June 15, 2020 | 8:12

Blerina Mërtiri: Brenda çdo gruaje gjendet suksesi

Brenda çdo gruaje gjendet  suksesi, por mbi të gjitha guximi që penelin ta zhysë thellë brenda shpirtit dhe me këtë penel të krijojë jetën e saj.

Blerina Hima Mërtiri, mësuese CU, shkolla “Andon Xoxa” Fier

Blerina Hima Mërtiri, mësuese CU, shkolla “Andon Xoxa” Fier

A vazhdon fjala feminizëm të jetë tabu? Nuk është fjala ajo që ka rëndësi, por ideja dhe ambicia që ajo përfaqëson. Ajo që feminizmi përfaqëson në të vërtetë, është një barazi e të drejtave të njeriut. Termi “feminizëm” së pari u paraqit në Francë dhe Holandë në vitin 1872, në Angli në vitin 1890, kurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1910. Sipas historianëve perëndimorë, historia moderne e Lëvizjeve Feministe ndahet në tri periudha:

-Periudha e parë fillon në shekullin XIX-të e XX-të, e cila merrej kryesisht me të drejtën e votimit, punësimit dhe arsimimit.

-Periudha e dytë fillon në vitin 1960 dhe vazhdon deri në vitin 1980, e cila merrej me të drejtat ligjore, kulturore dhe rolin e femrës në jetën shoqërore.

-Periudha e tretë fillon nga viti 1980 dhe është në vazhdimësi në shekullin XXI.

1

Po t’i referohemi lashtësisë, rezultat i përparimit dhe emancipimit ishte edhe marrja e fronit e Mbretëreshës Teuta. Flitet për vitin 230 p.e.s.  Ajo është gruaja e famshme Mbretëreshë e lashtësisë me tiparet e veçanta të një komandanteje dhe strategeje shumë e zonja, mendjehollë dhe trime.

Shoqëria jonë sot akoma e ka të vështirë ta pranojë idenë se gruaja mund të jetë faktor kryesor në të gjitha skajet e jetës.

 “Nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë; nëse kërkon vepra, pyet një femër.”-Margaret Thatcher, (politikane)

Por të mos harrojmë që në brendësi të çdo gruaje të fortë fshihet një zemër e shkelur me këmbë, e cila më në fund ka gjetur fuqinë të ngrihet për të drejtat e veta. Një femër e fortë e kupton se logjika, vendosmëria dhe fuqia janë po aq femërore sa intuita dhe lidhja emocionale, dhe femra e vlerëson dhe i përdor të gjitha këto dhunti.

U  desh shumë kohë për të pasur një zë që të dëgjohet dhe tani që e kam, nuk do të hesht. Kjo duhet të jetë një moto nga e cila çdo grua duhet të drejtohet, sepse çdo femër është e fortë, por ndonjëherë ato nuk dinë ta tregojnë forcën që kanë. Suksesi i një gruaje nuk është rastësi, por këmbëngulje e pikave që mund ta bëjnë një grua të suksesshme: vetëvlerësimi, liria dhe aftësia për të luftuar  vështirësitë, diskriminim, etj. Ne dimë një shprehje standard: “Bëje si burrat”, por shprehja “Përballoje atë si një grua” është më e fuqishme.

Nënat duhet të jenë ato që duhet të rritin vajza që përqafojnë idenë e barazisë, me idenë që të jesh grua nuk të bën më pak të fuqishme se një burrë, por t’i ngulitin vajzave këshillën kryesore:

Të admironi veten tuaj dhe të keni kurajo, e këto veti do t’ju bëjnë të dukeni gjithmonë bukur.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top