Të gjithë jemi të njëjtë, por edhe të ndryshëm, që do të thotë se: të gjithë kemi natyrë njerëzore, trup, mendje, mendime, ndjenja, por secili është unik në llojin e vet.

Blerina Hima Mërtiri, mësuese CU, shkolla “Andon Xoxa” Fier
Ekstrovertët
Kur një person është shoqëror dhe bën miq shpejt, atëherë natyre e personalitetit të tij thuhet se është ekstrovert. Këta persona pëlqejnë të rrethohen dhe të bashkëveprojnë me njerëzit, janë socialë dhe të hapur. Një ekstrovert nuk rri dot vetëm dhe aftësitë e tyre të komunikimit janë të shkëlqyera. Individët që e kanë këtë lloj personaliteti u pëlqen të bëhen qendra e vëmendjes. Ndihen më rehat në grupe se sa në vetmi. Me siguri që kanë një rreth të gjerë të shoqërisë, dhe ndihen më energjikë në prani të të tjerëve, dhe mendimet zakonisht i shprehin në zë të lartë.
Introvertët
Kur një person është i rezervuar dhe nuk hapet lehtë, thuhet se është një introvert. Ndonjëherë na duket se introvertët janë të vetmuar, por ata nuk janë aspak të vetmuar, por thjesht ndihen më mirë kur janë me pak njerëz. Miqësitë e tyre duhet t’i kenë rrënjët e thella. Ata janë dëgjues shumë të mirë, gjejnë zgjidhje ndaj problemeve më të vështira, por nuk janë aq praktikë dhe të lirshëm në njohjet e reja. Janë njerëz që i shmangen aktiviteteve ku ka shumë zhurmë dhe njerëz. Ata gjejnë më shumë kënaqësi në të lexuar, pikturuar apo dhe në të shkruar. Atyre u pëlqen më tepër koha që kalojnë kur janë vetëm duke u marrë me gjërat e tyre, se sa koha që kalojnë në grup me persona të tjerë.
Ambivertët
Njerëz që bien 50% në kategorinë e parë dhe 50% në kategorinë e dytë. Një person ambivert ndjehet komod dhe në prani me njerëz të tjerë, dhe kur do të kalojë kohë vetëm. Një ambivert është dikush që shfaq cilësi të introversimit dhe ekstroversionit, dhe mund të futet tek njëri grup ose tek tjetri në varësi të humorit, kontekstit dhe qëllimeve të veta. Avantazhet e të qenit ambivert:
-Janë dëgjues dhe komunikues të mirë.
-Kanë aftësi për të rregulluar sjelljen.
-Ndihen rehat në ambientet sociale, por vlerësojnë dhe kohën e vetmisë.
– Empatia tek ata vjen natyrshëm.
Duke e njohur veten, përcaktoni se cilit grup i përkisni!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.