Në fokus

May 22, 2020 | 8:04

Blerina Mërtiri: Rikthimi në punë pas një pushimi pandemie sjell tjetër imazh për të ardhmen

Çdo lloj situate sjell reflektim te njerëzit. Të gjithë vumë re që qëndrimi në shtëpi jo vetëm ishte një periudhë e lodhshme, stresi për shkak të situatës, por edhe periudhë çlodhjeje, sidomos për ata që kishin qenë pjesën më të madhe të kohës në punë. Kjo situatë ishte e çuditshme për njerëzimin, sepse liria e udhëtimit dhe lëvizjes është prej lirive më madhore që e gëzonte njeriu modern që prej kohës së liberalizmit e deri më sot. Këtë liri ai e praktikonte ashtu si donte dhe ajo ishte bërë pjesë e të drejtave themelore njerëzore.

Blerina Hima Mërtiri, mësuese CU, shkolla “Andon Xoxa” Fier

Blerina Hima Mërtiri, mësuese CU, shkolla “Andon Xoxa” Fier

Dhe, kur njeriu filloi të mendojë se e ka nën kontroll situatën, erdhi karantinimi dhe i ngujoi ata në shtëpi. Njerëzit u distancuan nga çdo gjë. Kjo periudhë i bëri njerëzit më të afërt me familjarët dhe më të ndërgjegjësuar për çdo gjë. Gjithashtu, kjo periudhë bëri që gjithsecili prej nesh të reflektonte dhe në drejtim të mendimit të vet për punën.

Ndoshta të gjithë ishim përballur me stresin në punë i cili ishte një problem jo vetëm në vendin tonë, por edhe miliona njerëz në gjithë botën.

Ky lloj stresi ose gjendjeje njihet dhe si konsumimi në punë ose “burnout”. Faktorët që shkaktojnë këtë stres mund të jenë të shumtë.

Po t’i referohemi mendimit të psikologëve dhe specialistëve të shëndetit mendor, mund të përmendim disa, por mund të ketë dhe të tjera.

-Për mendimin tim kjo ka të bëjë në radhë të parë me natyrën individuale të gjithsecilit, për t’u përshtatur me profile të veçanta pune.

-Një tjetër element mund të jetë mospërshkrimi i qartë i detyrave dhe përgjegjësive që duhen kryer.

-Mund të punosh shumë dhe të ndihesh i pavlerësuar për punën që bën.

-Ka njerëz që kërkojnë akoma më shumë nga vetja.

-Një arsye tjetër mund të jetë vendosja e eprorëve që mund të mos jenë profesionistë, me mungesë komunikimi profesional ose të patrajnuar mirë.

-Disa të tjerë kanë mungesë besimi në aftësitë e tyre, duke u shndërruar në persona që mezi presin të mbyllin ditën e punës për t’u tërhequr në vetminë e tyre. Këtë gjendje mund ta quajmë dhe

-Mungesë motivimi.

Këshillat në raste të tilla janë të shumta, por një takim me specialistë të shëndetit mendor do të ishin shumë rezultative. Në bazë të disa sondazheve me qytetarë të ndryshëm se sa e kanë ndjerë ata mungesën e punës në ditët e pandemisë, kam marrë këto përgjigje:

-Jam mirë!          

-Bezdisja e eprorëve është stresuese, prandaj po qetësohem.

-E dua punën time.     

-Isha e lumtur kur punoja dhe shpërblehesha goxha mirë.

-Unë jam thjesht e lodhur.

-Ju nuk e kuptoni dot sa nevoje kisha për këto pushime.

-Unë me të vërtetë dua të punoj, sepse dua të jem i dobishëm.

-Do të jem mirë pasi të kalojë kjo.

-Më duhet të kthehem patjetër në punën time.

-Do të bëj pushime dhe pastaj do të jem në rregull.

-Nëse njerëzit më lejojnë të bëj punën time brenda rregullave, do të isha mirë.

-Edhe kjo do të kalojë.

-Qetësohem se nuk jam unë i vetmi që stopova punën, janë të gjithë.

1Kthimi i ritmeve të zakonshme pas një pasiviteti, mund të jetë shumë i vështirë. Në fakt, puna, angazhimet ditore, fëmijët dhe jeta jashtë shtëpisë befas shfaqen me gjithë stresin e tyre.

-“Ju duhet të përjetoni të dy momentet, pauzën dhe punën, me ekuilibrin e duhur”, thotë Dr. Emanuela Mencaglia, psikologe dhe psikoterapiste e Humanitas Cancer Center.

-Pushimi është një moment themelor, pavarësisht se pushimi që kaluam, erdhi i detyruar nga situata dhe mundësoi për të riaktivizuar kreativitetin dhe energjinë e pakësuar në ritmin e ethshëm të jetës së përditshme.

Kthimi në aktivitetin e përditshëm pas këtij pushimi nuk është problem për të gjithë. Për disa, rutina, cikli i veprimeve dhe angazhimeve është qetësuese dhe prandaj ata jetojnë me problemin e kundërt. Pushimi është një kohë e boshllëkut dhe pezullimit dhe këta njerëz jetojnë këtë ndarje duke pritur që rruga e rregullt e ngjarjeve të fillojë përsëri. Këto janë përjashtime, por ato gjithashtu pasqyrojnë perceptimin e ndryshëm të realitetit të vet.

3

Ne jetojmë të zhytur në një botë të marrëdhënieve, angazhimeve që rriten çdo ditë e më shumë. Kjo është arsyeja pse ne gjejmë veten nën presionin e telefonave, mesazheve, e-mail-ve të punës, madje edhe kur jemi me pushime. Prandaj, ta lehtësojmë veten me anë të disa këshillave që na serviren nga punonjës socialë, psikoterapistë dhe ekspertë të kësaj fushe.

1.Zgjohu herët
Ditën që filloni punë zgjohuni herët. Madje mund të shkoni në punë edhe gjysmë ore më herët që të bëni gati tavolinën tuaj të punës dhe të merrni një kafe. Plus që orët e para të ditës janë më produktive dhe do t’ju ndihmojë të qëndroni të fokusuar në punë.

2.Përgatituni për punë një ditë më parë         
Mos u stresoni dhe mos u sillni si një person i çmendur në mëngjes, por bëni pak planifikimet se çfarë do të vishni, çantën tuaj të punës dhe çdo gjë tjetër një natë më parë.

3.Vishni rrobat që ju pëlqejnë
Çfarëdo që të zgjidhni, do t’i jepni vetes një nxitje të besimit që do t’ju ndihmojë të ndiheni më energjik.

4.Bëni një listë dhe mbajeni afër tavolinës suaj të punës
Është gjithmonë e dobishme të bësh një listë të detyrave tuaja pranë. Provoni të krijoni listën tuaj të detyrave një ditë para se të shkoni në zyrë. Mund të organizojnë mendimet tuaja dhe t’ju bëjë të ndiheni më të përgatitur kur të shkoni në punë.

5.Vendosni qëllime të reja
E vetmja mënyrë për të mos u mërzitur në punë është nëse kemi diçka të re, me një mendim të ri, ide të reja dhe qëllime që mund t’i keni vendosur vetes. Periudha e pushimeve të ndihmon të reflektosh për ide të reja.

Gjithsesi, kthimin në punë të gjithë e mirëpresim, por kësaj here më shumë se kurrë me të tjera imazhe për të ardhmen, mënyrë tjetër  konceptimi për punën, balancim midis punës dhe jetës. Njerëzit janë ngritur në një shkallë më të lartë të vetëdijes dhe komunikimit. Çdo ndodhi e madhe mbart në vetvete, mësime madhështore për njeriun.

T’i rikthehemi punës me një mesazh të qartë, nevojën për modestinë njerëzore, për njerëzimin i cili mendoj se ka arritur në forcën absolute dhe që ka tejkaluar dobësinë njerëzore.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com