Këshilla & Arsye

October 5, 2016 | 9:22

“Bota sipas Garpit” sendërgjimi i historisë po aq i gjallë sa dhe kujtimet tona vetjake

Historia kryesore e romanit  është ajo e një njeriu me një nënë të famshme, një njeriu që përmes famës arrin të gjejë vetveten.

Xheni Fillds ishte feministe, para se feminizmi të kthehej në modë. Ajo është infermiere, s’ka asnjë fije interesi ndaj burrave, e megjithatë, dëshiron të bëhet nënë. Një ushtar i plagosur, shtruar në spitalin ku punon ajo, do të bëhet “preja” dhe “dhuruesi i spermës” për djalin e ardhshëm të paligjshëm të Xhenit, Garpin. Këtu merr udhë historia e jetës dhe e vdekjes së një nëne të famshme dhe birit të saj, pothuajse-të famshëm; bota e tyre përshkohet nga ekstremet seksuale – madje dhe nga vrasjet seksuale.

Xheni Fillds është “delja e zezë” e një familjeje aristokrate nga New England; pothuajse rastësisht, ajo bëhet kreu i lëvizjes feministe, në një kohë kur feminizmi as që njihej. I biri, T.S. Garp (i quajtur kështu, sipas emrit të të atit biologjik, që s’e njohu kurrë), ka ambicie të mëdha për një karrierë letrare, nga ana tjetër është shumë më i përkushtuar pas së shoqes dhe të bijve. Rreth e përqark Garpit dhe Xhenit vërtitet një galeri personazhesh të çuditshme: mësues dhe prostituta, mundës dhe radikalë, botues dhe vrasës, transeksualë dhe përdhunues, bashkëshortë e bashkëshorte.

Vetë Irving, përmes zërit të Garpit, thotë: “…Puna e një shkrimtari është që të përfytyrojë çdo gjë në mënyrë krejt intime dhe personale, saqë fiction-i, sendërgjimi i historisë të dalë po aq i gjallë sa dhe kujtimet tona vetjake”.

“Bota sipas Garpit”, është një libër që karakterizohet nga një damar marrëzie dhe trishtimi, shoqëruar gjithnjë me doza të forta humori të zi. Në të gërshetohen pa fund qëndrime të çuditshme e të paparashikueshme kundrejt seksit, martesës, familjes dhe feminizmit. Ai është përkthyer në më shumë se 30 gjuhë e në më shumë se 40 vende, duke u bërë bestseller ndërkombëtar qysh në botimin e tij të parë më 1978. Ky roman e vendosi John Irving-un mes plejadës së shkrimtarëve më mendjehollë të brezit të tij. Romani u botua për herë të parë më 1978 dhe romani fitoi çmimin National Book Award më 1980.

 

***

2John Irving (1942) është shkrimtar bashkëkohor amerikan. Romanet e tij janë përkthyer në më shumë se 35 gjuhë të botës. Është kandiduar tri herë për National Book Award, të cilin e fitoi më 1980, për romanin “Bota sipas Garpit”. Shumë prej romaneve të tij janë përshtatur në skenarë dhe janë dramatizuar e ekranizuar. Në vitin 2000, fitoi çmimin Oscar për përshtatjen më të mirë për skenar të romanit “The cider house rules”.

 

 

Titulli: Bota sipas Garpit

Autori: John Irving

Shqipëroi: Diana Çuli

Gjinia: Roman

Shtëpia Botuese: PEGI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top