Posta

July 12, 2016 | 6:56

Burri im refuzon të shkojë te mjeku

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Ditë më parë m’u desh të çoja me urgjencë bashkëshortin tim tek një miku ynë mjek, për shkak se kishte tension të lartë. Aty zbulova se ai i kishte dhënë prej kohësh një recetë me ilaçe, por të cilat ai nuk i kishte marrë. Mbi të gjitha, nuk më kishte treguar asgjë për këtë fakt. U inatosa shumë që nuk më kishte thënë, e tashmë kam frikë se ndoshta ai nuk do t’i pijë më ilaçet dhe nuk do të bëjë më vizita më të thella. Si t’ia bëj që ta bind?

Përgjigjie: Ky është procesi më i pamundur për të gjithë ne. Të ndryshosh një person në mënyrën se si ai vepron dhe mendon, është shumë e vështirë. Nëse presim që të ndryshojë se NE duam ashtu, është jo e shëndetshme për marrëdhënien. Në këtë rast, duhet të kuptoni se çfarë e pengon bashkëshortin tuaj për të shkuar te mjeku. Frika ndoshta? Mbase kriza e moshës së mesme, frika nga plakja, etj. Këto mund të jenë disa nga arsyet, por kjo është një hipotezë të cilën nuk e vërtetojmë dot. E vetmja rrugëdalje që mund të përdorni është komunikimi. Vlen të komunikoni me bashkëshortin tuaj pa e gjykuar atë rreth vendimit për të mos shkuar te doktori apo të marrë ilaçet, por duke i thënë se e kupton që ai me siguri ka diçka që e pengon për të shkuar te mjeku dhe se ju e mbështesni nëse është zgjedhja e tij. Tregojini më pas se meraku që keni ju bën të ndiheni keq, ndoshta nuk ju zë gjumi as natën duke menduar nëse i ka pirë apo jo ilaçet. Tregojini se si ndiheni, por mos e detyroni të marrë një vendim të ndryshëm nga ai që ka marrë. Duke i shprehur merakun, i tregoni se sa shumë e doni dhe se sa afër tij jeni. Tregoni gjithashtu se do e mbështesni në çdo situatë dhe se çfarëdolloj sfide shëndetësore që të ketë ju do t’i qëndroni pranë. Në vazhdim, ju mund t’i tregoni merakun që keni për t’u vizituar te një doktor duke marrë parasysh rrezikun. Mos e filloni fjalinë “sa herë të kam thënë…” ose “po vazhdove kështu… etj”. Provoni të komunikoni fillimisht nevojën e bashkëshortit dhe pastaj merakun tuaj, PA GJYKIME. Mendoj se rritja e një komunikimi të mirë, krijon mundësinë e ndërmarrjes së hapave të përbashkët ku edhe vizita te doktori mund të jetë një stil jete, i cili mund të ndryshojë. Vlerësoni përpjekjen, sado të vogël, nëse bën një vizitë fillestare. Shëndet të mbarë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top