Në fokus

July 12, 2016 | 7:01

Dëshmi/ Erion Kristo: Mpirja e gjatë kërkon veprim energjik

Gjëmat në kokat e shqiptarëve sa vijnë e shtohen. Ato janë të të gjitha llojeve dhe dimensioneve. Shpesh krijojnë situatë zemërate, por kjo fashitet shpejt dhe vijon gjëma e radhës. Dikujt duhej t’i bënte përshtypje fakti që brenda një dite vdiqën në mënyrë mizore pesë gra: një nënë u vra nga i biri, një vajzë u vra nga një plumb qorr, një grua u vra në minierë nga një gur dhe dy gra u mbytën në një lumë. Kjo gjendje psikike që prodhon një situatë të tillë, është e barasvlefshme vetëm me vende ku bëhen luftëra civile dhe aspak me ndonjë vend tjetër anëtar të NATO-s.

Shumë shpejt njerëzit harruan një gjëmë tjetër. Situatën e një pedofili që kryente sipërmarrje nën hundën e policisë dhe të një sistemi drejtësie sylesh. Një hakërrimë e përgjithshme kundër një njeriu, që në këtë rast ishte pedofili, solli në vëmendje të autoriteteve edhe ndjesinë e mungesës së dënimit me vdekje, hequr nga klasa politike puthadore pa konsultim popullor dhe pa studim të pasojave. Po edhe kjo dallgë ra, sepse njeriu nuk mund të flejë me një sy hapur e një sy mbyllur, dhe një tension i tepruar mund të dëmtojë zemrën, prandaj është më mirë harresa. Ajo të ndihmon të mos jetosh në të tashmen, as në të kaluarën, e rrjedhimisht as në të ardhmen, e rrjedhimisht, kjo do të thotë të mos jetosh fare. Kujtesa jonë afatgjatë është krejt afatshkurtër, madje dhe vizuale, pra thjesht pamore, jo ideore. Por, që njeriu i thjeshtë të mos jetojë në një gjendje vigjilence të përditshme, duhet që këtë funksion ta ushtrojë shteti, institucioni, profesionistët, grupet e interesit, shoqëria civile. Pra, duhet që barrët e rënda të shpërndahen në shumë shpatulla, për t’i siguruar qetësi njeriut të jetojë jetën e vet, që në vendin tonë ka qëlluar të jetë e cenueshme si askund tjetër. Edhe xhungla vdekjeprurëse ka rregulla. Kurse ndër ne, rregulli i vetëm është mungesa e rregullit. Përndryshe njerëzve do t’u bënte përshtypje që qysh prej ditës së tmerrshme të zbulimit të pedofilit, të shpëtimit të një fëmije, të traumatizmit të qytetarëve përmes medias, kanë ndodhur pa fund raste që kanë në qendër të tyre cenimin e fëmijëve: njerëz që rrëmbejnë fëmijë si të ishin hekur skrapi, pleq të dehur që tentojnë të përdhunojnë fëmijë, në një numër që të habit. Kjo mund të jetë ose një panoramë reale e jetës sonë, një panoramë e frikshme dhe depresuese, ose një situatë e stisur për të treguar vëmendje ndaj fenomenit, një stisje e frikshme dhe depresuese. Vëmendja institucionale duhet të jetë një vëmendje parandaluese dhe jo një vëmendje pasvepruese, njohur me termin si ‘kofini pas të vjelit’. Dhe meqenëse nuk e kemi të plotë këtë vëmendje, duhet të ushtrojmë më tepër vëmendje familjare, duke u folur fëmijëve, duke bërë të flasin psikologët dhe profesionistët, dhe duke i marrë të gatshme këshillat e tyre në rastin kur nuk kemi këshilla vetë. Po përtej reagimit të mekur individual dhe institucional, mbetet reagimi civil. Dhe ky është më problematiku dhe më i çorodituri. Ngjarje të tilla të rënda zakonisht përbashkojnë të gjitha llojet e organizatave, intelektualëve, njerëzve të medias, njerëzve të artit dhe njerëzve publikë, madje edhe segmente civile të politikës. Dhe pikërisht ndër ne mungon e zakonshmja, ajo e thjeshta, qëndrimi krah për krah me njerëz të tjerë që kanë të njëjtat mendime. Kjo vjen shumë thjesht. Shumica e njerëzve që nderojmë në këtë vend nuk kanë mendime, nuk kanë qëndrime, nuk kanë veprime. Ata thjesht janë aty, sepse asnjë komb nuk mund të mos ketë të tillë. Pra, ne nderojmë njerëz që nuk kanë ndonjë kapacitet të veçantë në fushën e nderit. Por, pavarësisht mungesës së masivitetit qytetar dhe betonizimit të heshtur të atyre pak njerëzve që nuk u mungon ky dell protestimi, protesta dhe qytetaria duhen mbjellë. Njerëzit e shoqërisë civile duhet të rrisin rrjetet e tyre të komunikimit, duhet të kërkojnë partnerë të tjerë të shoqërisë, duhet të sigurojnë vijimësi qëndrimesh e veprimesh që shmangin flirtimet politike, përfitimet financiare dhe abuzimin me ndërgjegjen publike. Duhet të kërkojnë ndihmën e artit, të kulturës, të atyre segmenteve të tjera serioze të shoqërisë, që t’i nxisin të dalin nga bataku i errët i moskomunikimit dhe mosveprimit, për të krijuar një situatë reaktiviteti ndaj ngjarjeve të padëshirueshme të jetës sonë. Gjithashtu, duhet të rritet shkalla e njohjes teorike dhe përgatitjes praktike të qytetarisë reaktive, për të shtuar përpjekjet dhe për t’u paraprirë situatave që mund të ndodhin, në vend që të pritet një reagim postfactum. Ngritja e ndjenjës së protestës në art dhe komunikimi i vazhdueshëm me publikun dhe rininë, sidomos me atë studentore, do të sjellin përmbysjen e frazës së famshme, se këtu asgjë nuk ndodh. Ndodhitë duhet të përgatiten, si të ishin shtatzëni.

Botuar në revistën Psikologji, nr.72

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top