Dëshmi

August 31, 2018 | 8:53

“Buzëqeshja që mposhti acidin”, Vilma Dule rrëfehet për herë të parë pas pesë vjetësh nga sulmi në Tiranë

“…Administratorja e një Call-Centeri në Tiranë është sulmuar me acid në fytyrë nga një person ende i paidentifikuar, teksa dilte nga banesa e saj. Policia njofton se bëhet fjalë për shtetasen Vilma Dule, 26 vjeçe…”

Kujtesa nganjëherë bën lojëra, por ky kryelajm i frikshëm atë fund-gushti të athshëm, nuk mund të eliminohet aq lehtë. S’mund të fshihet, s’mund të korrektohet dhe as nuk mund të konsiderohet si një ngjarje e zakonshme që mbush rëndom faqet e gazetave. Një grua mori një goditje përvëluese në mes të kryeqytetit, duke lënë një shenjë të fortë në të gjithë lëkurën e shoqërisë. Ende, asnjë i dënuar!

 Nga Andrea Danglli

Nëse 27 gushti i vitit 2013 nuk do të ekzistonte fare në kalendar, jeta e Vilma Dules do të kishte marrë një tjetër rrjedhë. Pavarësisht se prej pesë vitesh ajo është përpjekur ta kapërcejë këtë datë, netët që ikin dhe ditët që vijnë duket se e kanë mësuar se si ta pranojë atë për të mos u përsëritur më kurrë. Nga e reja e dikurshme që spikaste në çdo ambient, sot në aparencë ka ngelur veç shkëlqimi i syve nga ku reflektohet edhe më shumë dritë.  Brenda tyre ka shkreptima shprese, ndriçim vullneti, shkëndija durimi dhe një rrymë që sot mund të nxjerrë nga errësira mjaft njerëz. Ka qenë pikërisht kjo e fundit arsyeja se pse vendosi të thyejë heshtjen duke dhënë intervistën e parë që pas tragjedisë. Tashmë nuk ka më frikë të flasë, ndaj ka vendosur që dritën e syve dhe forcën e fjalëve t’i nxjerrë përpara në luftën e saj për të parandaluar çdo 27 gusht që shfaqet mbi horizont.

Nga ajo ditë mund të them se çdo qelizë e jetës sime ka ndryshuar. Kujtimi i sulmit dhe i dhimbjes është ende shumë i gjallë. Madje sa herë mbyll sytë më shfaqet përpara çdo moment dhe më trazon pa reshtur. Edhe tani nëse do provoj të mbyll qepallat, më vijnë imazhe nga momenti kur një i ri më sulmoi poshtë pallatit, më vjen koha tek spitali i Traumës që ishte një rreth ferri më vete, më shfaqet vetja kur e kam parë në pasqyrë pas ngjarjes  dhe… pastaj kujtoj lot që derdheshin deri në mekje. Acidi të transformon në një mënyrë që s’mund ta përshkruaj me fjalë. Ai nisi të më gërryejë lëkurën dhe shpirtin, ashtu siç bën mola kur shkatërron një copë druri. Prej atij momenti i premtova vetes vetëm tre gjëra: S’ka vend për lot, s’ka dëshpërim dhe s’ka mëshirë,- kujton Vilma, e cila pas sulmit u detyrua të largohej nga Shqipëria për shkak të seriozitetit të djegieve dhe pamundësisë për t’u kuruar nga shëndetësia e Tiranës. 

“Sulmi i tronditi të gjithë të afërmit. Frika se unë mund të mos zgjohesha më, ishte prezente për mjaft ditë tek ta. Askush nuk e kuptonte dot se si ky sulm mund të më ndodhte mua pasi nuk i kisha bërë kurrkujt keq dhe në ato momente nuk gjenim dot një ‘pse?’ apo ‘kush?’.  S’mund ta fshij dot portretin e babait pranë shtratit të spitalit. Vështirë ta shihja në atë gjendje njeriun që më ka shoqëruar për krahu drejt shkollës prej trazirave në vitin 1997 dhe deri sa nisa rrugëtimin tim për t’u bërë zonja e vetes. Kjo ishte ëndrra e tim eti ndaj unë s’mund ta harroja edhe pse dergjesha në lëngata. Dashuria e tij, familjes, miqve por edhe shumë kolegëve të thjeshtë që punonin me mua, ishin ilaçi më i mirë për të përballuar dhimbjen e atyre ditëve. Pasi e kalova rrezikun për jetën, nuk u përqendrova tek ajo që më ndodhi por tek çfarë kurash duhet të bëja dhe ku. Veprova dhe kërkova zgjidhje në disa klinika të specializuara në Evropë. Atëherë vetëm shërimi kishte rëndësi”,- rrëfen 31 vjeçarja e cila në ato ditë të vështira ju desh ta riprojektonte totalisht jetën e saj.

Kërkoi tek vetja formulën e saj të ringritjes dhe duket se e gjeti.

“Besoj se jeta e çdokujt mund të ndryshojë për një sekondë të vetme. Arsye e fortë kjo për të jetuar në të tashmen dhe mos ushqehemi me dilemat e së djeshmes. Këtë e mësova nga dëshira për të mos i dhënë më tepër kënaqësi të më shohin si viktimë ata që më sulmuan. Përkundrazi, ngjarja u shndërrua në një motiv që të rikisha një fytyre normale e cila pavarësisht shenjave do vazhdonte të buzëqeshte. Një fytyrë që të mos më kujtonte urrejtjen dhe zilinë e tyre, por të dëshmonte forcën dhe kurajën time. Dhe kjo është fytyra që unë kam  sot. S’është perfekt, por unë e dua si një nënë fëmijën e saj në mënyrë të pakushtëzuar”,- tregon Vilma Dule.

Asaj kohe, e sapo diplomuar për juridik, ju desh të zhvendoset nga karrigia e zyrës tek stoli i spitalit, nga librat e punës mori librat për kurimin e shëndetit dhe nga ëndrra për një karrierë të suksesshme në drejtësi, nisi betejat për të gjetur drejtësinë e saj. Kjo e fundit vazhdon të dhembë ende nga pak, pasi hetuesia shqiptare ka ngelur në pikën 0.  E si mund të ndjehet ndryshe një njeri kur për këtë krim kundër jetës dhe dinjitetit, nuk ka asnjë person të ndëshkuar?

“Mbase do t’ju duket e habitshme por unë e doja shumë vendin tim dhe s’kisha lindur për të ikur prej tij. (Ende kam nostalgji për rrugicat, lagjet apo njerëzit që i mbushnin me gumëzhima). Klima e krijuar më shtyu të bëhem azilante politike në Evropë pasi drejtësia shqiptare nuk shfaqi asnjë interes ndaj çështjes sime. Hetues që nuk hetuan, prokurorë që më mbyllën telefonin mbi fytyrë dhe policë që më përcollën duke më ngushëlluar: -Mbro veten dhe ik që këtej se ne s’të mbrojmë dot. Gjyshja ime dikur la Çamërinë për shkak të genocidit grek, ndërsa ironia e jetës bëri që historia të përsëritet me mua, ku ndryshe nga ajo unë u dëbova prej indiferencës së organeve shqiptare. Besoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve e kuptojnë se çfarë dua të them”, – shpjegon ajo.

Nisur nga heshtja e organeve përkatëse, 31 vjeçarja është detyruar të marrë vetë rolin e “detektives” për të zbardhur ngjarjen që i transformoi të ardhmen. Duket se pas pesë vitesh, Dule i ka disa përgjigje mbi pikëpyetjet që ngrihen mbi autorin dhe motivet që e nxitën drejt këtij akti barbar.

“Të vërtetën e njohim unë dhe të afërmit e mi. Unë u sulmova për arsye profesionale nga meshkuj qe s’pranonin të ishin nën drejtimin e një femre dhe të bashkëpunonin me të. Mbase duket e pabesueshme por zilia, ambicia dhe dëshira për të qenë superiorë ndaj gruas, është një limit që shumë meshkuj e akumulojnë në ambientet e punës. Kujtoj se gjatë kurimit kam ndjekur mjaft hipoteza të çuditshme që hidheshin në shtyp ku njëherë më përshkruanin si të butë dhe njëherë si të rreptë, diku më shfaqnin si miqësore dhe diku si armiqësore. Ka pasur abuzime nga media pa menduar se sa herë atyre i shtoheshin klikimet, aq herë edhe mua më shtoheshin plagët. Unë e adhuroja punën që bëja dhe ruaj raporte të mrekullueshme me mjaft kolegë të cilët me mbështetjen e tyre u shndërruan në një patericë të vërtetë. Sa për autorët, besoj se koha do ta thotë një ditë fjalën e saj. Padyshim”, –dëshmon Vilma Duke teksa lutet që drama e saj të mos luhet në jetën e askujt tjetër. 

Për të përmbushur këtë lutje, krahas kurimit e reja ka nisur një “luftë të ftohtë” me tregtimin dhe kontrollin e mangët të acidit. 

“Shitja e lirë e acideve është një rrezik për të gjithë pasi ka shtuar numrin e sulmeve jo veç në Shqipëri, por edhe në Evropë. Një shishe acid mund të gjendet kudo, pasi kushton sa një akullore edhe mund ta blejë çdo idiot pa pasur nevojë të tregojë identitetin. Kam kaluar 5 vite të gjata për të rindërtuar një fytyrë të cilën e shkatërruan për vetëm 5 sekonda. Acidi duhet të konsiderohet nga legjislacioni si ‘armë’, të ketë kufizim në shitje dhe blerësit të regjistrohen”, -apelon Dule e cila për të thelluar këtë objektiv ka hedhur bazat e një organizate që dita-ditës po përqafohet në disa vende të ndryshme të BE-së.

Me apo pa të, ajo nuk nguron në asnjë moment që të përcjellë mesazhin e saj për të gjithë ata që e kanë humbur shpresën dhe sot nuk gjejnë asnjë arsye për të luftuar.

Kur isha me bust allçie (maska) këndoja dhe që prej atëherë vazhdoj ende të këndoj me aq sa di sa herë më jepet mundësia. Qëndroni të fortë dhe mos e humbni besimin tek fuqia që keni. Edhe pse nganjëherë zbehet, ajo qëndron e strukur brenda nesh dhe duhet ta nxjerrim prej aty. Asgjë dhe askush s’mund ta mposhtë një person të mirë që beson dhe nuk dorëzohet kurrë”, –mbyll rrëfimin “heroina” e historisë së saj Vilma Dule.

Natyrisht që pas kaq shumë kohësh të dendura me pirgje sakrificash, ajo ka shumë për të na treguar, dëshmuar dhe mësuar.

Veterania e luftës “Të qëndrojmë në këmbë edhe kur fati devijon rrugën”, na garanton se do vazhdojë të reflektojë buzëqeshjen e veçantë dhe sytë shndritës. Ndaj sot, nesër dhe deri sa të ketë frymë, ajo do vazhdojë të tendosë buzët e saj. Tashmë, Vilma Dule buzëqesh! 

*Shënim: Prej pesë vitesh Vilma Dule ka refuzuar çdo ftesë mediatike pasi s’ka dashur që mesazhi i saj të viktimizohej prej gjendjes së saj shëndetësore dhe shpirtërore. Pas një kurimi të gjatë, ajo sot e ndjen veten më të fortë për të folur publikisht ndaj dhunës në shoqëri dhe për të dhënë kontributin e saj që histori të tilla mos përsëriten më.

 

Burimi / http://www.gazetatema.net

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com