FB

November 29, 2021 | 8:24

Çfarë do të thotë ngjyra jeshile në psikologji?

E gjelbra është shpresë, jetë dhe fat, por edhe helm, mungesë përvoje dhe zili. Nëse doni të dini se çfarë ngjall në mendjen tonë kjo ngjyrë, po jua ku ju tregojmë.

1

Le të shohim, të paktën simbolikisht, gjethet e pemëve, barin dhe lulëzimin e pranverës për të kuptuar se çfarë do të thotë ngjyra jeshile në psikologji. Kështu, ndoshta tashmë e kuptoni se do të flasim për tonalitetin e jetës dhe natyrës par excellence. Megjithatë, si të gjitha ngjyrat, konotacionet e kuptimit të saj ndryshojnë në varësi të kulturës. E gjelbra shoqërohet gjithashtu me koncepte negative, të tilla si toksiciteti ose zilia.

Në këtë artikull mund të gjeni gjithçka që lidhet me këtë ngjyrë, nga karakteristikat e saj fizike deri te simbolika e saj në kulturën njerëzore.

 

Karakteristikat e ngjyrës së gjelbër

Ajo që ne përgjithësisht e njohim si ngjyrë nuk është një veti e objekteve, por një efekt psikofizik i gjatësisë së valës së dritës së reflektuar prej tyre që truri ynë interpreton. Kjo do të thotë, në varësi të asaj se sa larg reflektohet një rreze drite në një sipërfaqe, truri ynë do të krijojë një përfaqësim specifik mendor.

Kur gjatësia e valës është brenda intervalit 496-570 nanometra, nuanca e perceptuar korrespondon me diapazonin e gjelbër. Është një nga ngjyrat kryesore, pasi ne kemi qeliza të specializuara për ta perceptuar atë – konet – si dhe për të kuqe dhe blu.

Kur bëhet fjalë për pigmentet, jeshilja është një ngjyrë dytësore që përftohet nga përzierja e blusë me të verdhën.

E gjelbra më themelore perceptohet në gjatësi vale prej 500-550 nanometra. Në gjatësi më të shkurtra është kur shihet një ngjyrë më kaltërosh, ndërsa nga 550 nanometra priret të duket më e verdhë.

3Nëpërmjet përvojës individuale dhe transmetimit të kulturës, ngjyrat fitojnë kuptim dhe simbolikë për njerëzit. Konkretisht, jeshilja është lidhur kryesisht me jetën dhe pjellorinë për shkak të marrëdhënies së drejtpërdrejtë me ngjyrën e bimësisë. Megjithatë, ka kuptime pozitive dhe negative për këtë tonalitet. Këtu është një përmbledhje e të dy aspekteve.

 

Konotacione pozitive të ngjyrës së gjelbër

Siç u përmend më lart, jeshile është ngjyra e forcës jetësore, rritjes dhe rinisë. Ajo është e lidhur fort me pranverën, stinë ku bimët lulëzojnë, rriten dhe shumë kafshë riprodhohen. Është ngjyra thelbësore për të përfaqësuar shpresën, mendjen e hapur dhe ndjeshmërinë.

Gjithashtu shpesh lidhet me shërimin dhe freskinë, si dhe me fat dhe gëzim. Në sferat shpirtërore dhe mistike, jeshilja është ngjyra e qetësisë, dhe e ekuilibrit emocional.

 

Aspekte negative

Kuptimi i ngjyrës së gjelbër mund të lidhet edhe me helmimin dhe toksicitetin e disa substancave, si dhe me radioaktivitetin. Është një jeshile e ndritshme dhe e fuqishme, si ajo e disa bimëve dhe kafshëve helmuese. Në natyrë, ngjyrat e theksuara dhe të ndritshme janë tregues i rrezikut. Është një metodë e mbrojtjes kundër grabitqarit të quajtur aposematizëm.

Në fushën psikologjike, ngjyra jeshile shoqërohet me ndjenja si zilia dhe papjekurie. Shprehjet “të jesh shumë i gjelbër” ose “të jesh i gjelbër nga zilia” janë shembuj të kësaj lidhjeje.

 

Përdorime praktike të së gjelbrës

Efekti relaksues dhe ngushëllues i gjelbër është përdorur në vendet ku ekuilibri emocional është i nevojshëm, si vendet për meditim, spitale dhe shkolla. Megjithatë, në marketing përdoret për të nxitur veprime sesa për t’u çlodhur.

E gjelbra është ngjyra e përdorur nga shumica e organizatave për mbrojtjen e mjedisit dhe riciklimin, si dhe në fushatat e aktivizmit dhe solidaritetit. Duke qenë se e kemi të lidhur ngushtë me të natyrshmen dhe të shëndetshmen, është e zakonshme ta shohim edhe në logot dhe paketimet e produkteve ushqimore.

4

Ngjyra e gjelbër në kultura të ndryshme

Ajo që keni lexuar deri tani korrespondon me kuptimet e ndryshme që i jepen kësaj ngjyre në kulturën perëndimore. Sidoqoftë, në rajone të tjera të botës, jeshilja ka kuptime disi të ndryshme:

Evropa Veriore: është një ngjyrë e lidhur me Krishtlindjet dhe fenë katolike. Ajo konsiderohej si një ngjyrë tipike e borgjezisë dhe njerëzve të pasur, pasi është një pigment i vështirë për t’u marrë.

Islamizmi: E gjelbra është një ngjyrë e shenjtë për muslimanët. Ajo është e lidhur me profetin Muhamed dhe është një simbol i forcës.

Kulturat orientale: lidhet më shumë me shpresën, qëllimet e mira dhe pjellorinë. Nefriti përdorej shpesh për të bërë objekte dhe oferta zbukuruese.

Egjipti i lashtë: jeshilja lidhej me dualitetin jetë-vdekje, një aspekt i eksploruar gjerësisht në fenë e këtij qytetërimi të lashtë.

Popujt Amazonian: në vendet e Amerikës së Jugut ku Amazona zë një pjesë të madhe të territorit, jeshilja është simbol i vdekjes për shkak të aposematizmit të përmendur më sipër.

 

2

Të gjitha ngjyrat kanë negativet dhe pozitivet e tyre, dhe jeshile, siç mund ta shihni, nuk është e ndryshme. Nëse jeni të interesuar se si tonet e ndryshme ndikojnë në disponimin dhe mendjen, nga këtu ju rekomandojmë të vazhdoni të kërkoni informacione, sepse është një fushë emocionuese.

 

Përgatiti Orjona Tresa / Burimi La Mente e Meravigliosa

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top