FB

October 14, 2022 | 9:10

Cili është profili i pedofilit?

Shoqëria jonë është e hutuar nga krimi i tmerrshëm i pedofilisë. Nuk është diçka që ndodh në një univers paralel, as nuk dëgjojmë për të përmes historive të njerëzve fantastikë, është diçka që ndodh pranë nesh…

Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor

Pedofilët nuk janë figurat e frikshme dhe të largëta në hije me pallto që presin “prenë” e tyre jashtë shkollave. Zakonisht ata janë njerëz shumë tërheqës dhe të pëlqyeshëm për viktimat e mundshme dhe, statistikisht, në një përqindje të madhe janë anëtarë të afërt të familjes. Ata janë njerëz me personalitet narcisist dhe karakteristika psikopatike, pra pa aftësinë për të vënë veten në vendin e viktimës dhe për të kuptuar se si ndihen dhe mendojnë. Ata priren të racionalizojnë veprimet e tyre të neveritshme duke fajësuar fëmijët për të qenë tërheqës ose provokues seksualisht, duke i’a zhvendosur kështu fajin viktimës “-E ke fajin ti sepse je shumë e/i bukur”.

Shpesh e bindin viktimën e mitur se po i “mësojnë” “sekretet e dashurisë”, këtë rol të “mësuesit” e marrin pedofilët që kanë ngacmuar fëmijët e mjedisit të ngushtë familjar. Pedofili tenton të shfrytëzojë dobësitë në psikikën e të miturit, si vetëvlerësimi i ulët, ndjenja e paqëndrueshme e vlerës personale, mekanizmat primitivë të mbrojtjes, fobitë, sëmundjet mendore, marrëdhëniet e këqija me prindërit, të afërmit ose shokët e klasës, tendenca për të fajësuar veten ose ndjenja e papërshtatshme. Fëmija që vjen nga një mjedis i paqëndrueshëm dhe i dhunshëm priret ta shohë dhe të presë abuzimin si diçka “normale”.

Megjithëse ekzistojnë qasje të ndryshme psikoterapeutike për trajtimin e parafilisë, si ato konjitive-sjellëse, psikoanalitike, etj., megjithatë asnjëra nuk ka qenë mjaft efektive deri më sot. Kjo është kryesisht për shkak të etiologjisë shumështresore të parafilisë. Në vendet e huaja përdoren gjerësisht anti-androgjenët, si medroksiprogesteroni, i cili ul nivelin e testosteronit në gjak, duke ulur dëshirën seksuale të njeriut, duke e bërë atë më pak të rrezikshëm.

Edukimi dhe komunikimi i duhur janë çelësi për të mbrojtur fëmijën tuaj. Fëmijët duhet të dinë që në moshë të vogël se trupi i tyre u përket atyre dhe asnjë i rritur nuk duhet t’i prekë apo t’u kërkojë t’i prekë në çfarëdo mënyre që i turpëron, i mërzit ose i frikëson. Është e rëndësishme që fëmijët të mësojnë se kurrë nuk duhet të pranojnë një prekje apo puthje të fshehtë kur u kërkohet nga një i rritur. Këto ditë pedofilët operojnë kryesisht nga mediat sociale duke i’u afruar viktimave të tyre duke u shtirur si mosha më të vogla, ndaj këshillohet që të mbikëqyrni se çfarë bëjnë fëmijët tuaj në kompjuterin e tyre.

Në rastet kur fëmijët janë afruar ose ngacmuar seksualisht, këshillohet që prindërit t’u drejtohen ekspertëve të shëndetit mendor për mbështetjen dhe udhëzimet e tyre.  Në të njëjtën kohë, ngjarja duhet të raportohet menjëherë në Polici. Në këtë pikë dua të shtoj se, në tekstin e mësipërm i’u referova simptomatologjisë së pedofilisë si një çrregullim i organizuar, pa qenë sigurisht i papërgjegjshmi, për shkak të vetëdijes dhe përgjegjësisë së plotë që personi ka për t’iu drejtuar ekspertëve për ndihmë, duke parandaluar aktin e devijuar seksual.

Prindërit, fëmijët tanë dhe sytë tanë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top