FB

April 1, 2021 | 10:52

Covid-19, arsyet pse disa asimptomatikë zhvillojnë probleme neurologjike që zgjasin me muaj

Nuk është e pazakontë për njerëzit që kanë pasur Covid të butë ose kanë qenë asimptomatikë, të zhvillojnë simptoma të mëvonshme neurologjike: një seri komplekse problemesh që zgjasin me muaj dhe i parandalojnë ata të kthehen në jetën që kanë bërë më parë.

Studimi i ri, mosha mesatare 43 vjeç

Në Çikago, klinika “speciale” për simptomat neurologjike të lidhura me Covid, e hapur në “Northwestern Memorial Hospital”, vlerëson rreth 60 pacientë të rinj në muaj dhe tani ka trajtuar dhe këshilluar qindra njerëz nga i gjithë vendi me probleme të ngjashme.

Ajo ka publikuar në “The Annals of Clinical and Translational Neurology”, një studim që përqendrohet në simptomat afatgjata neurologjike tek njerëzit që nuk janë shtruar kurrë në spital për Covid-19: 100 pacientë nga 21 shtete. Dhe 85% e tyre, kishin katër ose më shumë probleme neurologjike të përshkruara si “mjegulla e trurit”, dhimbje koke, ndjesi shpimi gjilpërash, dhimbje muskulore dhe marrje mendsh.

Së bashku me simptomat neurologjike, 85% e pacientëve vuanin nga lodhja dhe pothuajse gjysma kishin gulçim. Disa vuanin gjithashtu nga dhimbje gjoksi, simptoma gastrointestinale, rrahje të ndryshuara të zemrës dhe luhatje presioni. Pothuajse gjysma e pjesëmarrësve vuanin nga depresioni ose ankthi. Mosha mesatare e pacientëve ishte 43 vjeç. Në studimin e “Northwestern”, shumë njerëz kanë manifestuar simptoma që luhateshin ose vazhdonin për muaj të tërë. Shumica janë përmirësuar me kalimin e kohës, por jo të gjithë. Pesë muaj pas kontraktimit të virusit, vetëm 64% e tyre ndiheshin të shëruar.

Truri “plaket”

Këto probleme neurologjike janë pjesë e “Long Covid”, një gjendje që prek shumë njerëz që kanë pasur koronavirus: ata shpesh kanë kaluar infeksionin me pothuajse asnjë simptomë, ato shpesh janë gra në moshë pune. Ajo që quhet “mjegulla e trurit”, midis shumë simptomave, është një gjendje që e bën të pamundur kthimin për t’u përqendruar në detyrat e punës dhe profesionet e përditshme.

Këto çrregullime, duket se prekin 1 nw 20 njerëz. Dhe këta janë individë të rinj, midis 18 dhe 49 vjeç. Në disa raste, rënia e psikologjike ishte ekuivalente me plakjen 10-vjeçare të trurit, siç tregohet nga një hulumtim nga “Imperial College of London”, i cili analizoi të dhënat mjekësore të 84,285 ish-pacientëve.

Simptomat dhe kohëzgjatja

Këtë muaj, një studim që analizoi të dhënat elektronike të shëndetit në Kaliforni, zbuloi se gati një e treta e njerëzve që luftonin me simptoma të zgjatura të Covid – të tilla si gulçim, kollë dhe dhimbje barku – ishin asimptomatikë.

Por padyshim që “Long Covid” prek edhe ata që kanë qenë në spital: në një studim të fundit kinez të publikuar në mars në “Jama”, 3 nga 4 pacientë të shtruar në spital, raportuan të paktën 1 simptomë 6 muaj pas infektimit. 63% vuanin nga lodhja dhe dobësia e muskujve, 1 në 4 kishte vështirësi në gjumë ose ankth dhe depresion. Të tjerët kishin të zvogëluar funksionin e mushkërive dhe anomali të sforcimeve.

Një nga këto studime, u nis gjithashtu nga Universiteti i Milano-Bicocca.  Nga 165 pacientë të shtruar në Brescia me Covid, me mesatare të rëndë, nënvizon drejtori i Klinikës Neurologjike, Alessandro Padovani, “70% raportojnë çrregullime neurologjike 6 muaj pas shërimit. Ndër simptomat më të raportuara, janë lodhja kronike (34%), çrregullimet e kujtesës dhe përqendrimit (32%), shqetësimet e gjumit (31%), dhimbjet e muskujve (30%), shqetësimet e shikimit dhe marrje mendsh (20%). Për më tepër, çrregullimet depresive ose shqetësuese janë të pranishme në mbi 27% të të testuarve”.

Kush vuajnë (edhe fëmijët)

Sipas skedës së fakteve në faqen e internetit të “Istituto Superiore di Sanità” (ISS), gratë duket se kanë dy herë më shumë gjasa të zhvillojnë “Long Covid” sesa burrat, por vetëm deri në rreth 60 vjeç, kur niveli i rrezikut bëhet i ngjashëm. “Mosha e avancuar dhe një indeks më i lartë i masës trupore, gjithashtu duket se janë faktorë rreziku”, thuhet në shënim.

Por edhe fëmijët preken gjithashtu: Poliklinika “Gemelli” në Romë, në bashkëpunim me Federatën Italiane të Mjekëve Pediatër (Fimp), monitoroi 129 fëmijë dhe të rinj midis 5 dhe 18 vjeç, me një diagnozë të Covid-19 të vlerësuar në dhomën e urgjencës, në repart, ose në bazë ambulatore dhe një e treta e tyre, raportuan vazhdimësi të simptomave pak a shumë të dukshme pas disa muajsh.

Gazeta amerikane “New York Times”, në një editorial të fundit, flet për “Long Covid”, si një nga “ngjarjet më të mëdha dëmtuese masive në historinë moderne”.

 

 

Burimi / https://gazetasi.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top