FB

June 30, 2022 | 10:30

Çrregullimet e personalitetit dhe klasifikimi i tyre

Në psikologji, një nga fushat më të vështira për t’u përkufizuar saktë ka qenë ajo e modeleve anormale të personalitetit. Kur dikush shfaq një sjellje që është në mënyrë të dukshme e ndryshme nga mesatarja, nga ana sociale quhet anormale…

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr. Ilia S.Larti

Kjo sjellje na prek neve kur krijon parehati personale ose vështirësi për të tjerët në shoqërinë e personit. Psikologët janë përpjekur të identifikojnë karakteristika që ndihmojnë për të dalluar sjelljet normale nga ato anormale. Disa nga këto karakteristika përfshijnë nëse personi shfaq ose jo kontroll të vullnetshëm mbi sjelljen, prodhimtaria e sjelljes dhe shpeshtësia e sjelljes. Secili prej këtyre faktorëve mund të konsiderohet se karakterizon sjelljen në normale dhe anormale. Përgjatë viteve, psikologët dhe psikiatrit që trajtojnë njerëz në gjendje anormale kanë bërë një sërë përpjekjesh për t’i kategorizuar simptomatikisht në të njëjtën mënyrë si bëjnë mjekët, domethënë përmes diagnozës. Shumica e psikologëve sot studijojnë disa prej kategorive kryesore diagnostike, të grupuara në Çrregullime si: Ankthin Somatoformen, Disociuesen, Gjendjen Shpirtërore, Skizofreninë, Personalitetin. Duke qenë se ne po studiojmë personalitetin, do të përqendrohemi më me hollësi mbi: Çrregullimet e Personalitetit Mos u bëj viktimë e vetes. ‘Harroje hajdutin që pret në rrugicë; por hajdutin në mendjen tënde?’ Xhim Rohn

Një çrregullim personaliteti identifikohet nga një model depërtues përvoje dhe sjelljeje që është anormale në lidhje me çdo dy nga të mëposhtmet: mendimi i turbullt gjendja shpirtërore, marrëdhëniet personale, kontrolli i impulseve. Shoqata Amerikane e Psikiatërve e përkufizon një çrregullim personaliteti si: “një model i qëndrueshëm i përvojës dhe sjelljes së brendshme që shmanget dukshëm nga pritmëritë e kulturës së individit, është depërtues dhe i papërkulshëm, inicion në adoleshencë ose në moshën madhore të hershme, është i pandryshueshëm me kalimin e kohës, dhe çon në shqetësim ose dëmtim”. Karakteri i një personi shfaqet përmes personalitetit të tij apo të saj – nga mënyra si individi mendon, ndien, dhe sillet. Kur sjellja është e pandryshueshme, mospërshtatëse, dhe antisociale, atëherë ai individ diagnostikohet me një çrregullim të personalitetit. Shumica e çrregullimeve të personalitetit fillojnë si probleme në zhvillimin personal dhe të karakterit të cilat arrijnë kulmin gjatë adoleshencës dhe më pas përkufizohen si çrregullime të personalitetit. Çrregullimet e personalitetit nuk janë sëmundje në kuptimin e ngushtë të fjalës duke qenë se ato nuk ndërpresin funksionimin emocional, intelektual, ose perceptues. Megjithatë, ata që kanë çrregullime personaliteti vuajnë një jetë që nuk është pozitive, aktive, apo përmbushësh.

Dhe s’është çudi që, çrregullimet e personalitetit shoqërohen gjithashtu me dështimin për të arritur potencialin. Aktualisht, ekzistojnë 10 çrregullime kryesore të personalitetit: Çrregullimi i Personalitetit Antisocial: Një keqperceptim i përhapur është se çrregullimet e personalitetit antisocial u referohen njerëzve që kanë aftësia të dobëta shoqërore. Por në të vërtetë shpesh është krejt e kundërta. Përkundrazi, çrregullimi i personalitetit antisocial karakterizohet nga një mungesë e vetëdijes. Njerëz me këtë çrregullim janë të pirur drejt sjelljes kriminale, duke besuar se viktimat e tyre janë të dobëta dhe meritojnë të shfrytëzohen. Antisocialët priren të gënjejnë dhe të vjedhin. Shpesh, ata janë të shkujdesur me paratë dhe kryejnë veprime pa marrë parasysh pasojat. Shpesh janë agresivë dhe shumë më të shqetësuar për nevojat e tyre vetjake se për ato të të tjerëve. Shumica e kriminelëve në burgje vuajnë nga një gradë e çrregullimit të personalitetit antisocial. Kurimi është tejet i vështirë, megjithëse simptomat shpesh dobësohen me kalimin e moshës. Çrregullimi i Personalitetit Shmangës: Çrregullimi i personalitetit shmangës karakterizohet nga ankth i skajshëm social. Njerëzit me këtë çrregullim shpesh ndihen të papërshtatshëm, shmangin situatat sociale, dhe kërkojnë punë ku kontakti me të tjerët është i vogël. Shmangësit kanë frikë të refuzohen dhe shqetësohen se mos turpërohen në sy të të tjerëve. Ata zmadhojnë mundësitë e mundshme të situatave të reja për të bindur veten se duhet t’i shmangin. Shpesh, ata krijojnë botë imagjinare për të zëvendësuar të vërtetën. Ndryshe nga çrregullimi i personalitetit skizofren, shmangësit kanë dëshirë për marrëdhënie sociale, ndiejnë se janë të paaftë për t’i pasur. Shpesh ata janë të depresuar dhe kanë vetëbesim të ulët.

Çrregullimi i Personalitetit Kufitar: Çrregullimi i personalitetit kufitar karakterizohet nga paqëndrueshmëri e gjendjes shpirtërore dhe koncept i dobët i vetes. Njerëzit me këtë çrregullim janë të prirur për ndryshime të vazhdueshme të gjendjes shpirtërore dhe periudha zemërimi. Shpesh, ata e shfryjnë inatin ndaj vetes, duke i shkaktuar dëmtime fizike trupit të vet. Kërcënime dhe veprime vetëvrasëse nuk janë të rralla. Kufitarët mendojnë bardhë e zi dhe shpesh formojnë marrëdhënie intensive dhe konfliktuale. Zemërohen shpejt kur nuk ndodh çka ata presin. Çrregullimi i personalitetit kufitar është quajtur i tillë pasi fillimisht mendohej të ishte “kufiri” i psikozës. Ky çrregullim është relativisht i përhapur, dhe prek 2% të të rriturve. Gratë janë më të prirura të vuajnë nga çrregullim i i kufirit se sa burrat. Me trajtim, pacientët shpesh bëhen të aftë të shohin simptomat e tyre dhe të përmirësohen. Çrregullimi i Personalitetit të Varur: Çrregullimi i personalitetit të varur karakterizohet nga një nevojë për kujdesje. Njerëzit me këtë çrregullim priren të kapen pas njerëzve të tjera nga frika se mos i humbasin. Ata mund të kenë mendime vetëvrasëse kur një ndarje është e afërt. Ata priren të lënë të tjerët të marrin vendime të rëndësishme për ta dhe shpesh kalojnë nga një marrëdhënie në tjetrën. Të varurit shpesh qëndrojnë në marrëdhënie abuzive. Ndjeshmëria e tepërt ndaj mosaprovimit është e zakonshme. Të varurit shpesh ndihen të pashpresë dhe të depresuar. Çrregullimi i Personalitetit Histrionik: Njerëzit me çrregullimin e personalitetit histrionik kërkojnë vazhdimisht vëmendje. Ata duan të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, shpesh duke ndërprerë të tjerët në mënyrë që të mbizotërojnë bisedën. Ata përdorin gjuhë madhështore për të përshkruar ngjarjet dhe kërkojnë lëvdata të vazhdueshme. Ata mund të vishen në mënyrë provokuese ose zmadhojnë sëmundjet në mënyrë që të tërheqin vëmendje. Histrionikët gjithashtu priren të ekzagjerojnë miqësitë dhe marrëdhëniet, duke besuar se duhen nga të gjithë. Ata shpesh janë manipulues.

Çrregullimi i Personalitetit Narcistik: Çrregullimi i personalitetit narcisit karakterizohet nga egocentrizmi. Ashtu si çrregullimi histrionik, njerëzit me këtë çrregullim kërkojnë vëmendje dhe lëvdata. Ata i zmadhojnë arritjet e tyre, duke pritur që të tjerët të pranojnë që ata janë superiorë. Janë të prirur të jenë nazeqarë në zgjedhjen e miqve, pasi besojnë se jo kushdo është i denjë për të qenë miku i tyre. Narcistikët zakonisht lënë përshtypje të para të mira, por e kanë të vështirë të mbajnë marrëdhënie afatgjata. Përgjithësisht ata nuk janë të interesuar në ndjenjat e të tjerëve dhe mund t’i shfrytëzojnë të tjerët. Narcisizmi haset më shpesh te burrat dhe shpesh diagnostikohet bashkë me çrregullime të tjera mendore. Çrregullimi i Personalitetit Obsesiv-Kompulsiv: Megjithëse çrregullimi personalitetit obsesiv-kompulsiv (ÇPOK) tingëllon i ngjashëm në emër me çrregullimin e ankthit obsesiv-kompulsiv, ka një ndryshim të madh mes dy çrregullimeve. Njerëzit me çrregullim personaliteti obsesiv-kompulsiv janë tepër të dhënë pas rregullit dhe përsosurisë. Nevoja e tyre për të bërë gjithçka “si duhet” shpesh ndërhyn në rendimentin e tyre. Ata priren të kapen pas hollësirave dhe humbasin panoramën më të madhe. Ata vendosin në mënyrë të paarsyeshme standarde të larta për veten dhe të tjerët, dhe kanë tendencën të jenë mjaft kritik ndaj të tjerëve kur ata nuk u përmbahen këtyre standardeve të larta. Ata shmangin punën në skuadër, pasi besojnë se të tjerët janë tepër të shkujdesur ose të paaftë. Ata shmangin marrjen e vendimeve sepse druajnë se mund të gabojnë dhe rrallë janë bujarë me kohën dhe paratë e tyre. Shpesh ata e kanë të vështirë të shprehin emocion. Potenciali për përmirësim përmes trajtimit është më i lartë për këtë çrregullim se sa për çdo çrregullim tjetër të personalitetit.

Çrregullimi i Personalitetit Paranojak: Çrregullimi i personalitetit paranojak karakterizohet nga mosbesimi kundrejt të tjerëve dhe një dyshim i vazhdueshëm se njerëzit rreth teje kanë motive të mbrapshta. Njerëzit me këtë çrregullim priren të kenë besim të tepruar në njohuritë dhe aftësitë e tyre dhe shpesh shmangin marrëdhëniet e afërta. Ata kërkojnë kuptime të fshehura në çdo gjë lexojnë qëllime armiqësore në veprimet e të tjerëve. Ata nxitohen të sfidojnë besnikërinë e miqve dhe të dashurve dhe shpesh shfaqen të ftohtë dhe distantë. Shpesh ata ia hedhin fajin të tjerëve dhe priren të mbajnë mëri të gjata. Çrregullimi i personalitetit paranojak është i vështirë për t’u trajtuar, pasi paranojakët janë shpesh dyshues ndaj mjekëve. Çrregullimi i Personalitetit Skizofren: Njerëzit me çrregullim të personalitetit skizofren shmangin marrëdhëniet dhe nuk shfaqin shumë emocion. Ndryshe nga shmangësit, skizofrenët zgjedhin me sinqeritet që të rrinë vetëm dhe nuk dëshirojnë në fshehtësi popullaritet. Ata kanë tendencën të kërkojnë punë që kërkojnë pak kontakt social. Aftësitë e tyre sociale shpesh janë të dobëta dhe nuk shfaqin nevojë për vëmendje ose pranim. Ata shihen nga të tjerët si pa humor dhe distantë dhe shpesh thirren “vetmitar.” Është e rëndësishme të dallojmë skizofrenët nga shmangësit. Shmangësit ndjejnë ankth në situata sociale dhe kanë dëshirë të përshtaten, ndërsa skizofrenët thjesht kanë dëshirë të rrinë vetëm. Çrregullimi i Personalitetit Skizotipal: Shumë besojnë se çrregullimi i personalitetit skizotipal përfaqëson skizofreni të zbutur. Çrregullimi karakterizohet nga forma të çuditshme mendimi dhe perceptimi, dhe individët me këtë çrregullim shpesh kërkojnë në izolim nga të tjerët. Ndonjëherë ata besojnë se kanë aftësi shqisore shtesë dhe se ngjarje të palidhura kanë lidhje me ta në ndonjë mënyrë të rëndësishme. Përgjithësisht ata përfshihen në sjellje ekscentrike dhe kanë vështirësi të përqendrohen për periudha të gjata kohe. Ligjërata e tyre shpesh e mbingarkuar dhe e vështirë për t’u ndjekur. Duke lexuar përkufizimet e çrregullimeve të personalitetit, duket sikur këto sëmundje nuk janë të kurueshme. Megjithatë, kur individët zgjedhin të jenë në kontroll të jetës së tyre dhe janë të përkushtuar për ta ndryshuar jetën, shërimi është i mundur. Terapia dhe ilaçet ndihmojnë, por është vendimi i individit për të marrë përgjegjësi për jetën e tij ai që bën ndryshimin. Disa veprime që janë përkohësisht shqetësuese për një person apo për shoqërinë e personit nuk mund të interpretohen si anormale. Duke qenë se këto interpretime janë relativisht subjektive, si sasia ashtu edhe cilësia e sjelljes duhen marrë parasysh përpara se të gjykojmë nëse sjellja është anormale apo jo. Me fjalë të tjera, si shpeshtësia ashtu edhe intensiteti i sjelljes në fjalë duhen marrë në konsideratë.

Zbatimi Praktik i Llojeve të Personalitetit

Çfarë lloji detyrash na përshtaten më shumë që t’i kryejmë? Ku jemi në mënyrë të natyrshme më të gëzuar? Si mund të kuptojmë më mirë aftësitë e natyrshme të punonjësit, dhe ku do të gjejnë ata kënaqësinë më të madhe? Si mund të përmirësojmë vetëdijen tonë për Llojin e Personalitetit të dikujt tjetër, dhe kështu të rrisim nivelin tonë të kuptimit për reagimet e tyre në situata të ndryshme, dhe të dimë se si të komunikojmë më mirë me ta në nj nivel që ata do ta kuptojnë? Si mund të zhvillojmë metoda të ndryshme mësimdhënieje për të edukuar me efikasitet lloje të ndryshme njerëzish? Si mund t’i ndihmojmë individët ta kuptojnë veten më mirë, dhe të bëhen më të aftë për t’u përballur me pikat e tyre të forta dhe të dobëta?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top