Dëshmi

July 17, 2018 | 13:29

Cubi Metkaj: Çastet e lumtura, vetëm pranë familjes!

Jemi mësuar ta shohim në skenën e një spektakli humori, por ajo është po aq e talentuar si aktore në teatrin dramatik e në pelikulën e kinemasë gjithashtu. Emrin e lindjes e ka Esmeralda, por të gjithë e njohin me atë të “pagëzimit”, Cubi. Vajza “gango” në lagje e oborrin e shkollës, si në fëmijërinë e saj, po ashtu dhe tanimë e rritur, nuk e ndal ritmin e saj marramendës si të dojë të eci më shpejt se koha vetë. Dhe është po ajo që ndalet në një çast me vetëdije të plotë për të pyetur veten me një dyshim që sa vjen e rritet: Mos ka ardhur koha të ndryshoj?

Esmeralda Metka, kjo vajzë plot ambicie pozitive, thotë se pavarësisht çfarë i jep skenës në orët e gjata të punës dhe çfarë kërkon të marrë prej saj, një kohë të konsiderueshme e kalon me familjen. Dhe po aq thjeshtësisht e lumturon një kafe e stakuar mes zhurmës apo një takim i rastësishëm me njerëz që i dhurojnë buzëqeshje pa fund: Ej Cubi, ke shkëlqyer dje te Apartamenti…

Do ju pyes për atë kohë që është gjëja më e çmuar për ty, që shkon përtej materiales. Përveç ngarkesës, rutinës e një ritmi të lodhshëm, cilat janë ato gjëra që ju bëjnë juve të lumtur?

Momentet me familjen i kam shumë të çmuara. Gjatë javës, ne thuajse jemi që të gjithë me ritmin tonë, dhe ditën e diel nuk bëhet fjalë që të mungojë dikush në familje. Por, edhe për gjërat e vogla unë jam shumë e kujdesshme. Këto janë momentet e bukura për mua. Unë jetoj ende me familjen dhe ndoshta kjo ka bërë që unë vazhdoj të jem kaq e lidhur. Nuk e di si do të jetë më vonë, kur unë të kem familjen time, por nuk besoj se do të ndryshojë gjë, sepse vetë prindërit na kanë rritur në këtë frymën, që të jemi të gjithë të bashkuar. Jo më larg se kjo e diel erdhi motra me familjen e saj nga Vlora. Vijnë thuajse çdo javë ose një herë në dy-tri javë sepse e kemi si rutinë, dhe janë momentet më të bukura për familjen. Këto janë ato çaste që mua më shkëpusin nga rutina e javës dhe e lënë mënjanë Cubin, dhe gjithë ritmin e punës e lë pas derës së shtëpisë. Brenda jam tjetër.

Pse gjatë javës nuk ka pauza të shkurtra për të treguar vëmendje apo për të shpenzuar një minutë bisedë për t’i pyetur familjarët si janë?

Sigurisht që janë dhe këto çaste, por janë shumë të vogla, që nuk është se çliron gjithë energjinë dhe ngarkesën që ke pasur. Ato janë shkëputje, sepse përsëri rikthehesh te ritmi. Duke qenë se unë vërtet e kam ditën shumë të zënë, shumë njerëz më thonë, nuk ka mundësi, si e përballon. Unë dal nga shtëpia në 8 e 30 dhe kthehem rreth orës 10:00 të darkës. Kam një ritëm, sepse vetë punët i kam krijuar të atilla. Nuk është vetëm “Apartamenti2XL” që mua më ha kohën, janë 3 studiot e dublimeve, ku në njërën prej tyre jam vetë regjisore, sepse tek të tjerat jam aktore, është radio, është kompania ku punoj me dokumentarët, e ky është një ritëm i lartë.

Si e gjen balancën me veten në raport me punën?

Ndonjëherë dal para pasqyrës dhe i them vetes: çfarë je duke bërë? Mos ndoshta po e lodh veten më shumë se ç’duhet? Mos ndoshta ti po ecën me ritëm më shumë se ç’duhet e po lë mënjanë momente që janë më delikate për jetën tënde? Sinqerisht e kam bërë këtë.

Është një lloj autoterapie që ty të shëndosh?

E kam bërë, por ende nuk po e bind veten time. Në kohën që ne jetojmë, të them të drejtën ndoshta unë e justifikoj vetveten, ndoshta, nuk e di! Dhe them, në rregull. Kështu është koha, duhet të ecim edhe pak me këtë ritëm sa të mund të plotësoj disa gjëra që më duhen dhe ndoshta pastaj mund t’i seleksionoj. Por, kam frikë se edhe më vonë nuk do seleksionoj kaq shumë, sepse ka të bëjë edhe me natyrën e njeriut. Unë një gjë që e marr përsipër dua ta çoj deri në fund. Dhe sidomos me pjesën e dublimit jam shumë e lidhur. U bënë tashmë 9 vjet, e unë nuk shkëputem dot. I kam gjëra shumë të rëndësishme të profesionit tim.

Po më thua që fokusi është sekreti yt?

Ndoshta në momente të caktuara them se po fokusohem më shumë se ç’duhet, por në fund të fundit, kjo është ajo që unë dua.

Çfarë të lumturon jashtë marrëdhënies që ke krijuar me profesionin?

Që mos e bëjmë kaq dramatike, kam edhe momente të vogla, një shkëputje kafeje apo… Mua më lumturon që kur iki për në shtëpi mund të takoj rastësisht komshiun. Kam një 5-minutësh duke folur me atë aty, ose kur më merr një shoqe për të më pyetur, unë i them: jam e vdekur për bukë. Hajt se do ta jap unë një sanduiç shpejt e shpejt, vetëm eja të të takoj. Çdo gjë më lumturon, pa diskutim. Unë jam njeri i shoqërueshëm. Jam natyrë spontane, e dashur. Të paktën për aq sa e njoh veten dhe për aq sa më thonë. Edhe kur jam tepër e rënduar, nuk i them vetes: je e lodhur, ke nevojë për relaks apo të shkosh në një spa. Jo, absolutisht jo. Mua më qetëson edhe kjo kafe këtu. Erdha nga puna, do iki përsëri në punë, ishte një 10-minutësh me njerëz që unë nuk i njihja, dhe është kënaqësi.

Po gjëra të tjera që janë të aspektit femëror, por që të bëjnë të ndihesh mirë?

Nuk jam vanitoze. Në gjërat normale sigurisht që i kushtoj rëndësi vetes. Nuk e ekzagjeroj, kur them që këtë muaj do shpenzoj kaq për veten time apo do bëj gjëra për veten time, por më tepër jam natyrë që kujdesem për shtëpinë. Ka rreth dy vjet që unë kam blerë një apartament timin e jam duke u kujdesur për të në mobilim, në çdo detaj. Jo se kërkoj një gjë luksi, por kam kërkuar që të bëj një apartament shumë të dashur, miqësor, qetësues, një vend ku të gjej veten, një ambient komod që kur unë të kthehem nga puna të relaksohem totalisht. Nuk jam te luksi që të rri si nëpër gjemba, “të të vijë frikë që të heqësh këpucët te dera”, siç thotë mami im.

Pra je pro funksionalitetit të gjërave dhe brenda mundësive?

Me lekun i kam marrëdhëniet shumë të forta. Nuk e shpenzoj kollaj. Kjo është gjithmonë ajo që i them vetes kur shoh një gjë të shtrenjtë: unë e kam, pse duhet ta shpenzoj?! Unë në fund të fundit kam punuar shumë për këto lekë. Nuk jam natyrë që shpenzoj, por ia bëj qejfin vetes.

Çfarë të plotëson ty, si në profesion ashtu dhe jashtë tij?

Nuk mund të them se plotësohesh 100%. Gjithmonë mbeten momente që ti thua, duhet edhe kjo, edhe ajo, por ka momente shumë të mira kur unë, po them, kur dal nga një shfaqje, dhe spektatorët shprehen se më kanë pëlqyer. Ndihem e përkëdhelur. Ky është një lloj plotësimi nga ana profesionale. Dhe unë i them vetes: Ok Cub, ke ecur me hapa të mira. Puno, vazhdo akoma, mos u dorëzo, puno me ritmin tënd! Por, gjithsesi ti i bën vetes ca analiza që thua, në rregull, duhet pak edhe kjo këtu, ke një moment tjetër këtu për ta rikuperuar e për ta plotësuar akoma dhe më shumë. Por në përgjithësi nuk është se jam natyrë që ta dhunoj veten. Jo. U bë, u bë. E marr me sportivitet dhe do ta provoj përsëri, dhe do ta bëj. Për t’u dorëzuar, nuk dorëzohem, është e sigurt. Këmbëngulja është një ndër armët e mia më të forta.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top