FB

October 4, 2021 | 8:30

Dallga e Madhe në Kanagawa: Mona Lisa e Japonisë

Nga Dr. Bledar Kurti

 

Tetori është muaji i lindjes së Katsushika Hokusai (1760 –1849), një prej artistëve më të shquar japonezë, i cili u njoh nga mbarë bota përmes gravurës së tij Dallga e Madhe në Kanagawa, 神奈川沖浪, e kryer rreth viteve 1829-1833.

Teksa perëndimi ishte i zhytur në eksplorimin e mistereve të imagjinatës artistike, dhe artistët haseshin me sfidat kompozicionale dhe përshtatjen e artit me kontekstin e kohës, në lindje të globit, në Japoninë e largët me një kulturë unike dhe magjepsëse, një artist do shprehte madhështinë e artit përmes gravurave, duke shpalosur forcën e natyrës, përmes një teknike dhe efekti që do magjepste mbarë globin dhe do kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në artistët më të shquar të kohës dhe ata të mëvonshmit.

2

Japonia kishte shekuj e vetë-izoluar nga pjesa tjetër e botës, por kultura e saj e pasur dhe e mrekullueshme, u bë e njohur për perëndimin në shekullin e 19-të. Për shkak të tregtisë shumë thesare japoneze përfunduan në tregjet perëndimore, përfshirë edhe porcelanin e shumëkërkuar japonez. Por, mallra të tilla kaq delikate kërkonin një paketim të kujdesshëm, ndaj tregtarët japonezë përdornin çdo mjet e material për t’i paketuar. Përveç kashtës, tallashit, ata përdornin edhe letra me ilustrime për të ambalazhuar mallrat. Dhe përmes këtyre letrave me ilustrime, perëndimi u njoh me figurat dy-dimensionale të krijuara nga artistët japonezë. Dhe pas këtij kontakti me artin e lindjes së largët, arti perëndimor nuk do mbetej më i njëjtë.

3Gravurat e Hokusai-t janë më të njohurat në artin japonez, por ndikimi që ato patën ishte edhe më i madh në artin perëndimor. Ai u njoh dhe u admirua gjerësisht në Evropë, dhe me imazhet e tij ofroi një alternativë të re ndaj modelit ekzistues. Arti i Hokusai-t, si edhe ai i disa artistëve të tjerë japonezë, shërbeu për të përforcuar prirjen e artit evropian drejt një formalizmi të ri, i cili synonte krijimin e pikturave monumentale të frymëzuara nga elementet e rastësishme të natyrës. Thjeshtësia në peizazhe dhe kompozime, tashmë ishte një mision për artistët evropianë ndaj Hokusai e ndihmoi thellësisht atmosferën e ndryshimit dhe eksperimentimit evropian. Me artin e tij, Hokusai u erdhi në ndihmë mjeshtërve evropianë të krijonin një art më novator e më modern.

Gravura Dallga e Madhe në Kanagawa, ose e njohur thjesht si Dallga e Madhe, është e krijuar sipas teknikës japoneze të klisheve të drurit, përmes së cilës, me mjete të thjeshta, mund të arrihej krijimi i imazheve me cilësi të lartë dhe me kontrast të mprehtë. Kjo teknikë niste me vizatimin në letër nga artisti, ngjitej mbi një pllakë druri, zakonisht qershie, gdhendej me daltë si relief, lyhej me bojë shkrimi dhe mbi të vendosej një letër e pastër e cila shtrëngohej me morsë. Klisheja e drurit krijonte imazhe tek letra vetëm përmes pjesëve të lyera me bojë. Rezultati ishte një panoramë e njëtrajtshme me forma dhe linja tejet të theksuara.

Ngjyrat e gravurave të kryera përmes kësaj teknike ishin të kushtëzuara, ndaj edhe Dallga e Madhe në Kanagawa, ka vetëm katër ngjyra. Në të shpaloset një dallgë e madhe porsi kthetrat e një dragoi, e cila godet e kapërcen tri barka peshkimi, oshiokuri-bune. Dallga është në dalje të bregut të Kanagawa, ditët e sotme Yokohama, dhe është konsideruar prej kritikëve si një tsunami, megjithatë artisti ka dashur më shumë të theksojë forcën e natyrës, dramën e lidhjes midis detit dhe njeriut, dhe për më tepër të krijojë një skenë përshkruese për malin që duket në sfond.

5

Me kreshtën e zbardhur nga dëbora, me formën trekëndore të mprehtë e të përsosur, mali i përtejmë, në qendër të imazhit, është mali Fuxhi, më i larti në Japoni, i konsideruar si një mal i shenjtë. Ai njihet si simbol i identitetit japonez, personifikim i bukurisë dhe është shumë i lidhur me kulturën vendase. Dallga e Madhe në Kanagawa, është një nga imazhet e serisë Tridhjetë e Gjashtë Pamje të Malit Fuxhi, në të cilat Hokusai krijoi peizazhe të shumta nga këndvështrime të ndryshme të malit Fuxhi. “Brenda malit Fuxhi banon vetë Hokusai. Madje Mali është Hokusai, dhe Fuxhi është artisti,” shprehen kritikë të ndryshëm të cilët e shohin malin përtej identitetit japonez por më shumë si një botë shpirtërore të vetë artistit.

Në tri barkat e mposhtura nga dallga gjigande vërehen me dhjetëra rremtarë të cilët të dridhur nga frika mbahen fort në anët e varkës. Nga një përllogaritje e bërë në raport me gjatësinë e barkave dallga është përafërsisht dymbëdhjetë metra e lartë. Harkimi i krijuar, shkuma dhe pikat e ujit janë të krijuara mrekullisht. E gjithë skena është tejet emocionuese. Njerëzit në barka janë peshkatarë të cilët po kthehen në shtëpi pasi kanë shitur peshk në Edo, Tokion e sotme. Nuk mund ta kuptojmë dot fatin e tyre, nëse ata i mbijetojnë apo jo asaj dallge gjigande, por skena në vetvete është drithëruese duke shpalosur një forcë të jashtëzakonshme të detit.

Hokusai ishte gjithmonë i interesuar dhe i pasionuar nga lëvizja e ujit. Ai u përpoq të kapte ritmet karakteristike të ujit në të gjitha aspektet qoftë të shpejtësisë apo edhe heshtjes, rrjedhjes dhe rënies, stuhisë apo edhe të qetësisë. Ndryshe nga trajtimi që Hokusai i ka bërë zhdërvjelltësisë së ujit, Mali Fuxhi duket i vogël dhe i qetë, në krahasim me malin e ujit që ngrihet fuqishëm në plan të parë. Hokusai pati një ndikim të madh në artin evropian por ndërkohë edhe koncepti perëndimor mbi perspektivën, një element themeltar që nga koha e Rilindjes, duket se kishte një ndikim të madh në artin e Hokusai-t, dhe kjo dallohet lehtësisht tek kjo panoramë, përmes perspektivës lineare, me shkallën e zvogëluar të malit në sfond dhe theksimin e dallgës në plan të parë. Edhe ngjyra blu e përdorur në gravurë, e njohur si bluja prusiane, ishte e pazakontë në Japoninë e asaj kohe, dhe ishte e importuar nga Evropa.

Ndikimi perëndimor në artin e Hokusai-t erdhi si rrjedhojë e studimit të gravurave dhe pikturave perëndimore, ndër ato materiale të kufizuara që ishin në dispozicion në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë në Japoni duke e përshtatur këtë stil tejet kureshtar në përsosjen e tij logjike brenda formatit japonez. Në vitin 1796 Hokusai kishte patur mundësinë të studionte nën mjeshtrin Shiba Kokan, pionierin e madh të pikturës dhe gravurave të stilit perëndimor. Ai u përpoq të imitonte peizazhe holandeze dhe franceze, duke mësuar të gjitha dredhitë e tyre të perspektivës dhe pasqyrimit real të hijes; më vonë ai shndërroi skenat në peizazhe të vendit të tij. Vizioni evropian kurrë nuk e la atë deri në fund të jetës. Hokusai krijoi një seri peizazhesh të frymëzuara dukshëm e në mënyrë të drejtpërdrejtë nga gravurat evropiane të bakrit, megjithatë tematika dhe stili i ngjyrosjes mbetën mjaft japoneze. Dhe falë origjinalitetit të Hokusai-t, seria e gravurave të malit Fuxhi shënuan kulmin e peizazhit të pavarur japonez.

4Kur Japonia hapi dyert ndaj perëndimit pas vitit 1854, gravurat e Hokusai-t dhe të bashkëkohësve të tjerë japonezë mbushën tregjet e artit evropian. Kopje të shumta nga veprat e Hokusai-t u blenë nga Vincent Van Gogh dhe Paul Gauguin dhe modeli i sheshtë i këtyre gravurave të stilit ukiyo-e, që do të thotë piktura të një bote pluskuese, u përdor nga Manet, Whistler, dhe nga artistët impresionistë si Monet, Renoir, Degas, ata të mëvonshmit si Gustav Klimt, e të tjerë. Kënaqësia artistike që shpaloste Hokusai në vogëlsitë dhe thjeshtësinë e jetës së përditshme tërhoqën vëmendjen dhe shërbyen si shtysë për artistët evropianë, duke bërë disa kritikë të mendojnë se modernizmi filloi me Hokusai-n. Dallga e Madhe gjendet tek qielli i veprës Natë Me Yje e Van Gogh, ku shihet spiralja e reve njësoj si ajo e Hokusai, por edhe në piktura të tjera të artistit holandez duke dëshmuar kështu frymëzimin e Van Gogh nga arti japonez. Gjithashtu kjo gravurë frymëzoi edhe Claude Debussy, për të kompozuar simfoninë e njohur, “La Mer” (Deti).

Gravurat e Malit Fuxhi i ofruan botës, e sidomos asaj perëndimore, një përmbledhje të jetës së përditshme të Japonisë, vendit të artistit, shpalosur përmes aspekteve më njerëzore dhe prekëse. Ai shërbeu si një interpretues i natyrës dhe jetës së bukur japoneze. Ai e shtriu në një shkallë më të gjerë forcën dhe fleksibilitetin e gravurave të drurit. Dhe, nga pikëpamja artistike, ai krijoi kompozime me fuqi të jashtëzakonshme që frymëzuan artistët evropianë të cilët tashmë po i shihnin në një këndvështrim të ri forcat elementare të linjave, ritmit dhe hapësirës në pikturë. Hokusai nuk reshti së punuari deri në ditën e vdekjes së tij më 18 prill 1849, duke lënë pas një arsenal prej tridhjetë mijë veprash gjatë karrierës së tij.

Në krye, në të majtë të gravurës është shkruar me kaligrafi japoneze titulli i veprës dhe emri i artistit. Në fakt, Hokusai përdori rreth tridhjetë emra artistikë. Në atë kohë ishte e zakonshme në Japoni që njerëzit të ndryshonin emrat katër apo pesë herë, por Hokusai, i cili nuk lindi me këtë emër, përdori me dhjetëra emra gjatë nëntëdhjetë viteve të jetës së tij. Për të kuptuar edhe më mirë natyrën dhe jetën e artistit duhet përmendur edhe fakti që ai jetoi në rreth nëntëdhjetë shtëpi të ndryshme gjatë jetës. Hokusai ishte gjithnjë në lëvizje, në përpjekje kolosale të vazhdueshme, në kërkim të një arti të përkryer dhe një njohje të thellë të botës, natyrës, hyjnores dhe shpirtit.

Hokusai e kaloi jetën duke studiuar dhe promovuar vlerat njerëzore, si edhe duke eksploruar thellësisht botët natyrore dhe shpirtërore, duke përdorur malin e famshëm vullkanik Fuxhi si një simbol i mbrojtjes dhe i pavdekësisë. Ai përjetoi shumë tragjedi personale, jetoi për vite të tëra në varfëri, por kurrë nuk hoqi dorë nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për të arritur përsosmërinë në artin e tij.

Plaku i Çmendur Për Të Pikturuar, ia vuri ai emrin vetes në fund të jetës së tij. Dhe vërtetë ai ishte i tillë. Ai e ndoqi thirrjen e artit çdo ditë të jetës duke iu përkushtuar me të gjithë qenien e tij njohjes së atributeve të artit, fytyrave të tij, e cila përmes kësaj gravure na shpaloset në formën e forcës dhe egërsisë së natyrës. Hokusai ishte i dashuruar me natyrën. Në poezinë e tij të fundit, një haiku në formën tradicionale shtatëmbëdhjetë rrokeshe, ai shkroi:

Edhe si fantazmë

Fryma ime do të dëshirojë të bredhë

Nëpër fushat e verës.

Hokusai ia kushtoi të gjithë jetën artit, dhe i kaloi të gjitha ditët e jetës së tij duke vizatuar e duke mos u rendur pas kënaqësive e qejfeve të zakonshme. Ai ishte njeri i mbyllur dhe as nuk pinte verë as tymoste duhan, siç ishte e zakontë në atë kohë, por vetëm ushqehej sa për të mbajtur frymën gjallë. Gravurat e tij shpalosën një art të mrekullueshëm të lindjes së largët, dhe ato janë dëshmitare sesi Hokusai kishte një talent të lindur për të përshkruar bukurinë e natyrës japoneze, jetën e njerëzve të zakonshëm, historitë, legjendat, besimin, dhe kulturën mahnitëse të Japonisë.

Dallga e Madhe në Kanagawa njihet si Mosa Lisa e lindjes së largët, por tek kjo gravurë ne nuk mahnitemi nga buzëqeshja e një gruaje por yshtemi nga buzët e natyrës të shpalosura përmes një dallge sa të frikshme aq edhe të bukur dhe krenare.  

Kur njerëzit flasin për Japoninë, mendja u shkon në kulturën e saj të pasur e mahnitëse, tek samurait, geishat, kimonot, sake, dhe padyshim tek Dallga e Madhe. Hokusai, falë talentit dhe pasionit të tij për natyrën dhe identitetin japonez, i ka lënë botës si trashëgimi një kryevepër e cila ka shërbyer më së miri ndër shekuj si një urë lidhëse midis kontinenteve dhe skajeve gjeografike të globit, e duke i treguar botës se sa i bukur është arti, dhe se sa mrekullueshëm mund të shpaloset ai përmes çdo kulture, teknike, dhe tematike.    

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top