FB

October 4, 2021 | 8:30

Mitet familjare dhe efektet e tyre, besime që përcaktojnë marrëdhëniet brenda familjes

Mitet familjare janë besime dhe fantazi të ndara nga e gjithë familja. Ato kanë të bëjnë me vetë familjen dhe lidhjet që e bashkojnë atë. Pranohen si të vërteta dhe përcaktojnë sjelljen e individit dhe të kolektivit të atij grupi njerëzor. Përtej kësaj, përcaktojnë rolet e individit. Në përgjithësi, mitet familjare i përkasin parandjenjës, domethënë lëvizin midis dimensionit të vetëdijes dhe pavetëdijes.  Kjo do të thotë që familja njeh besime të caktuara, por nuk e ka të qartë se deri ku shkojnë dhe as pse janë marrë si të vërteta.

Megjithëse mitet familjare përcaktohen si një besim fiktiv. Sigurisht që pas tyre gjejmë pothuajse gjithmonë të vërteta të dhimbshme ose të patolerueshme për familjen. Në përgjithësi, të dhënat për ekzistencën e këtyre miteve gjenden në rregulla të fshehta ose të nënkuptuara që çdo familje ushqen nga brenda.

Karakteristikat e miteve familjare

Mitet familjare marrin formë mbi të gjitha në caktimin e roleve familjare. Këto besime përcaktojnë se kush është “delja e zezë” ose “modeli që duhet ndjekur”, etj. Kanë tendencë të kenë rezistencë të fortë ndaj ndryshimeve të roleve; në disa raste, për më tepër, ky aspekt bëhet një tabu. Karakteristikat e tjera të këtyre miteve janë si më poshtë:

  • Përcaktojnë marrëdhëniet brenda familjes.
  • Përfaqësojnë imazhin që familja ka për veten.
  • Ka një rezistencë të fortë ndaj çdo përpjekjeje për të ndryshuar besimet.
  • Kanë për detyrë të fshehin një realitet që familja refuzon ta pranojë.
  • Kanë gjithmonë një bazë të së vërtetës.
  • Transmetohen nga brezi në brez.
  • Janë të pranishme në të gjitha familjet, në një masë më të madhe ose më të vogël.
  • Përfaqësojnë një mënyrë në të cilën familja lidhet me mjedisin kulturor.

Këto mite në thelb janë tri llojesh: histori për futjen e harmonisë, shpengim nga faji, shpërblimin dhe shpëtimin. Le t’i shohim së bashku.

Mitet e harmonishme familjare

Historitë për të futur harmoninë janë tipike për ato familje që ndërtojnë një imazh idilik të vetvetes. Ato zhvillojnë një sërë sjelljesh për të bindur veten se ekuilibri, bashkimi dhe vëllazëria mbretërojnë midis anëtarëve të tyre. Shkurt, sikur të mos kishte probleme në atë familje. Në parim, familja në fjalë ndërton një imazh fasade për të tjerët. Provohet një ndjenjë faji që ka për qëllim ta shpërbëjë dhe ideja e harmonisë së përsosur shërben si një mjet për të mos u akuzuar ose gjykuar nga të tjerët. Depresioni dhe mërzia zakonisht ndodhin në këto familje, si dhe armiqësi të forta të pazgjidhura.

Mitet e justifikimeve dhe shpengimit

Këto mite janë më komplekse pasi kërkojnë shtjellim më të thellë. Në këtë rast, një ose më shumë anëtarë fajësohen për fatkeqësi apo probleme familjare. Këta njerëz mund të jenë të gjallë ose të vdekur; ndonjëherë fajësohet edhe një individ jashtë familjes, por që ka ndonjë marrëdhënie me të. Shembulli më i qartë është ai i “cjapit kurban”. Kushdo që zë këtë rol fajësohet për vështirësitë ose problemet ekzistuese. Kjo dinamikë shpengon anëtarët e tjerë të familjes nga përgjegjësitë e tyre. Në këtë rast, aktivizohet një mekanizëm kolektiv i projeksionit.

Mitet për shpëtimin

Kur janë të pranishme mitet e familjes për shpëtimin, anëtarët e saj ndërtojnë figurën e “shpëtimtarit mitik”. Ky i fundit është një personazh nga i cili pritet një ndërhyrje për shpengim, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një problem specifik ose vështirësi të përgjithshme. Ky shpëtimtar besohet të ketë fuqinë për të ofruar atë që mungon dhe për të zhbllokuar atë që nuk zhduket. Figura e shpëtimtarit mitik mund të mishërohet nga një prej anëtarëve të familjes, por mund të jetë gjithashtu një figurë e jashtme.

Shpesh, familjet marrin rolin e psikologut, por e vërteta është se ata duhet të ndërmarrin rrugën e psikoterapisë. Sa më patologjike të jenë marrëdhëniet familjare, aq më shpesh mitet e familjes tentojnë të lindin dhe të konsolidohen. Këto janë pjesë e rrugës së gabuar për të adresuar, pa i adresuar ato, probleme që duhen monitoruar dhe zgjidhur.

 

Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 160

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top