Marrëdhënie

August 29, 2020 | 8:04

Dashuria, mënyra për të përmirësuar shëndetin

Kur mendojmë për ndjenjën e dashurisë nuk kemi dyshime mbi faktin se të dashurosh dhe të të dashurojnë është një përvojë pozitive që përmirëson humorin dhe përqasjen kundrejt jetës.

Shpesh e nënvlerësojmë – ose nuk e dimë fare – që me dashurinë vijnë dhe një sërë përgjigjesh fizike që kanë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin tonë. Dashuria dhuron një sërë përfitimesh për shëndetin. Megjithatë, cila është fuqia e vërtetë e kësaj ndjenje? Si mundet dashuria t’i japë trupit dhe mendjes përfitime të pamata?

Studime të ndryshme shkencore kanë vërtetuar një sërë përfitimesh për shëndetin, që lidhen me një marrëdhënie të lumtur dashurie. Për sa i përket marrëdhënieve seksuale, askush nuk e mohon dot që seksi është një formë aktiviteti fizik shumë i efektshëm, i cili përveçse kryen një funksion çlirues në qetësimin e tensionit, ndihmon për të ruajtur dhe forcuar vetëbesimin.

Sidoqoftë, përveç kësaj, marrëdhëniet në çift paraqesin avantazhe më të mëdh për shëndetin, të cilat varen nga faktorë të ndryshëm, ndër të cilët, pa dyshim, është dhe lloji i marrëdhënies.

Përfshirja sociale

Disa vite më parë kërkuesi Stephen Porges u mundua të shpjegonte se çfarë ndodh kur dashurojmë dhe çfarë ndryshon në trup kur ndjejmë këtë ndjenjë që bën bashkë trupin dhe mendjen. Kjo marrëdhënie mes trupit dhe mendjes ndërmjetësohet nga tre elementë: funksionet e lidhura me oksitoksinën, një hormon sekret i hipofizit; funksioni i nervit vagus, nervi i dhjetë i kafkës që fillon nga trungu i encefalonit dhe rregullon funksionin e zemrës, të mushkërive dhe të organeve të tjera të brendshme, dhe e fundit, funksionalitetin e trurit.

Këto tre elementë janë në ndërveprim të vazhdueshëm midis tyre, kryesisht jashtë vetëdijes sonë dhe janë ekstremisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve të pranishme në ambient dhe ndaj përgjigjes sonë në marrëdhëniet sociale. Madje mund të arrijmë deri aty sa të themi se krijojnë motivime dhe sjellje sociale në një mënyrë kaq të detajuar duke forcuar marrëdhëniet tona ose duke i bërë më komplekse.

Dashuria i bën mirë zemrës

Zemra është simbol i dukshëm i dashurisë. Megjithatë, kur themi që dashuria i bën mirë zemrës, nuk e themi vetëm në sens figurativ. Sipas një studimi të bërë pranë “Rochester University” në New York, ruajtja e një marrëdhënieje dashurie të kënaqshme mund të përmirësojë nivelin e mbijetesës, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale koronarie.

Ky studim vërteton që efektet e kënaqësisë në jetën në çift janë të rëndësishme për mbijetesën, po aq sa edhe identifikimi i faktorëve tradicionalë të rrezikut si, obeziteti dhe konsumi me duhanin. Një tjetër studim pranë “North Carolina University” (SHBA), thuhet se çiftet që tregojnë dashuri kanë marrëdhënie më të shëndetshme përballë detyrave stresuese, si për shembull: të folurit në publik.

Gjatë eksperimentit, doli në pah se frekuenca kardiake dhe tensioni arterial ishin më të ekuilibruara te njerëzit që para diskutimit i kishin dhënë dorën partnerit për 10 minuta dhe më pas ishin përqafuar për 20 sekonda. Autorët e studimit thonë se këto rezultate sugjerojnë se marrëdhëniet e ngrohta mund të ndihmojnë për të përmirësuar reagimin ndaj ngjarjeve stresuese të jetës.

Dashuria dhe mendja

Studiues të tjerë kanë arritur në përfundimin që edhe seksi ndihmon për të përmirësuar shëndetin mendor. Një studim sugjeron se, ashtu si të gjitha format e tjera të aktivitetit fizik, seksi ul nivelin e stresit. Studiuesit kryen prova stresi që lidhen me veprime, si përllogaritjet mendore me zë të lartë dhe zbuluan se njerëzit që kishin pasur marrëdhënie seksuale ishin në gjendje që ta përballonin më mirë stresin, krahasuar me pjesëmarrësit që nuk kishin pasur marrëdhënie intime.

Nga ana tjetër, edhe ndjesia e mirëqenies së një njeriu mund të përmirësohet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale. Në këtë kuptim, një studim i realizuar nga universiteti i Indiana-Bloomington me 3000 persona të moshës nga 57- 85 vjeç ka treguar se ata që kishin marrëdhënie seksuale në atë periudhë e gjykonin gjendjen e tyre të shëndetit më të mirë sesa të tjerët.

Në këtë studim nuk u morën në konsideratë vetëm marrëdhëniet fizike, por edhe të pasurit një marrëdhënie të kënaqshme në përgjithësi. Studiuesit panë se njerëzit që i përgjigjeshin kësaj panorame ishin më të prirur të thonin se kishin një shëndet “të shkëlqyer” ose “shumë të mirë”, në vend të “të mirë” ose “të keq” Sipas Mayo Clinic, mendimi pozitiv që rrjedh nga një marrëdhënie e kënaqshme mund të sjellë përfitime më të mëdha për shëndetin, përfshirë këtu edhe uljen e rrezikut të shqetësimeve me të ftohurën, depresionin dhe ankthin, njësoj si dhe rrezikun me vdekshmërinë.

Dashuria nuk është e njëjtë për të gjithë

A mundet niveli i dashurisë dhe lloji i marrëdhënies që një njeri ka të përcaktojnë përfitimet për shëndetin? Askush nuk e eksperimenton dashurinë ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë me të tjerët. Çdo individ ndihet i tërhequr nga një njeri i ndryshëm dhe pret diçka konkrete nga ky i fundit. Për këtë arsye, pasojat e dashurisë në shëndet ndryshojnë. Së fundmi, një studim i realizuar në “King’s College London Institute of Psychiatry” në Britaninë e Madhe, ka hetuar mbi efektet e llojit të marrëdhënies mbi qetësimin nga dhimbjet.

Lloji i lidhjes së të rriturve i referohet kritereve të ekspozuara nga individët në marrëdhënie, në funksion të mënyrës në të cilën do të kërkojnë afërsi ose dëshirojnë të largohen. Në përgjithësi, prania e një partneri në një situatë të dhimbshme do të konsiderohej qetësuese dhe lehtësuese; megjithatë, nuk është rasti i të gjithë pjesëmarrësve në studim.

Një grupi femrash iu dërguan impulse lazer pak të dhimbshme në gishta, në praninë dhe në mungesë të partnerit të tyre. Autorët e studimit panë se femrat që preferonin që partneri të mos ishte i pranishëm ndjenin me të vërtetë më shumë dhimbje sesa ato që e kishin partnerin pranë.

Ndërsa femrat që dëshironin të kishin partnerin pranë prodhonin oksitoksinë (e njohur edhe si hormoni i dashurisë), gjë që do të shpjegonte sepse ndjejnë nivele të pakësuara të dhimbjes. Sipas studiuesve oksitoksina mund të jetë pjesë e një mekanizmi neurobiologjik i përfshirë në formimin e efekteve të ndërveprimit me njerëz të tjerë pranë ndaj përvojës së dhimbjes.

Nga studiues të ndryshëm oksitoksina lidhet me pjesë të trurit të përfshira në sjelljet emotive, konjitive dhe sociale. Intimiteti, si: marrëdhëniet seksuale, të ecurit dorë për dore dhe shikimi sy më sy, stimulojnë sekrecionin e oksitoksinës te meshkujt dhe femrat.

A mundet të jetojmë pa dashuri?

Është e vërtetë se dashuria na jep mjete të shumta për të përmirësuar jetën tonë, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të jemi të lumtur pa një marrëdhënie n çift. Një studim i realizuar në një manastir murgeshash ka treguar që marrëdhëniet e dashurisë dh seksuale nuk janë të domosdoshme për një shëndet të mirë dhe jetëgjatë.

Pavarësisht të gjitha përfitimeve për shëndetin që vijnë nga seksi, një studim ka vërtetuar se edhe një jetë pa seks mund të jetë e gjatë dhe e shëndetshme. Mungesa e një partneri, veç të tjerash nuk dëmton një stil aktiv jetese dhe një funksion të fortë konjitiv gjatë pleqërisë.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top