Pika referimi

December 31, 2017 | 8:00

Nga Dorina Hoxha: Dashuromë në fundvit!

Aroma e drurit të djegur të rikthen në shtëpi, në strehëzën familjare, aty ku dihatja e frymëmarrjes të shpejtohet e të ngop me ajër. Kemi hyrë në dimrin e madh, në të cilin agimet zbardhen e ngrysen të bardha, por koha premton agime që nuk kanë zbardhur ende. Frymo pakëz duart, do ta kuptosh se në muajin dhjetor ngrohtësia e frymëmarrjes nuk është e mjaftueshme për të sfiduar stinën, atëherë do të bjerë ndër mend se në tryezën e varfër të familjes suaj, ajo të bëhet zjarr e fjalët prush.

1

 

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Veç aty do të ngrohesh vërtet dhe ajo ndjesi do të të përcjellë kudo të jesh, këdo të kesh pranë luksit tënd, që ndjesitë nuk t’i djeg njëlloj, si ajo aromë druri, që ti e dihat në dimrin e vetmisë sate. Ti je aty, po sheh se si koha ecën shpejt, madje më shpejt sesa ti e përfytyroje konceptin për të. Gjithçka ndryshon, çdo ditë nuk je më vetja, sepse kudo ku këmba jote shkel, ti po lë një pjesë të qenies tënde të thërrmuar që, veç në fundvit, kupton se të duhet. Të nevojiten aq shumë ato copëza sa kohën e thyen, veten e kritikon dhe rikthehesh ta ngushëllosh e të bindesh se “atë” e le në një libër, në një këngë, në një foto, në një teatër, në një aeroport, në një artikull. Të ka ikur kontrolli, sepse me vonesë e kuptove, që atë që ti e quan “vetvete”, e që mund ta gjesh të pasqyruar në shumë forma, e gjen të kërrusur pa vete. Janë këto çaste kur shpreson që tymnaja e oxhakut të formojë re zemrash për dimrin e vetmisë së madhe. Njeriu është egoist, aq sa dashurinë e kërkon si manifest dhe gjen veç majmunë që recitojnë idealet e tyre. Mos vallë fundviti mbyllet me dimër, që të na tregojë se duhet nisur me dashuri?! Kur isha fëmijë, u kërkoja prindërve një pemë, që për mua, në atë kohë quhej e Vitit të Ri, nuk më dhimbsej përse pritej një pishë, sepse qëllimi i pastër i gëzimit në atë kohë ishte i barasvlershëm me dashurinë e sakrificës ambientaliste. Këtë fundvit të rriturish, më shumë sesa dritat dhe pema, më ngroh aroma e drurit të djegur, që më kujton shtëpinë, oborrin, tryezën me të qeshura dhe pritjen mes aromash marramendëse gatime shtëpie. Dikur drekat dhe darkat ishin të shenjta dhe të gjithë mblidheshim në një dëshirë të përbashkët, atë të mbajturit hareshëm familjen me dashurinë që karakterizon çdo pjatë të shërbyer apo edhe nga ato momente ku më të voglit i ndahej racioni më i mirë i ndonjë specialiteti. Mbaj mend në fëmijërinë time të hershme që mundohesha edhe unë të kontribuoja në shtrimin e tryezës dhe vendosja ashtu jo bindshëm ndonjë gotë ose ndonjë lugë sa për të thënë dhe babai gjithmonë më puthte duart sa herë unë vërdallisesha si e “dobishme”. Tani e kuptoj që dobia më e madhe e asaj që bëja, kish qenë vetëm ajo puthje e sinqertë përgëzuese. Vdesin njerëzit, por jo dashuritë. Mos më duaj çdo ditë, as çdo muaj, mos më dërgo telegrame të nxjerra nga sëndukët prehistorikë, as mos më shkruaj përshëndetje false: Të lutem, dashuromë në fundvit! Se një ditë lumturie vlen më shumë se mijëra ditë gëzimi. Në fundvit ne mund të bëjmë një improvizim të familjes që kërkojmë dhe të na mbushë me dashuri. Nuk ka rëndësi sesa kjo zgjat, mjafton të zgjojë emocionet dhe dëshirën për të pritur shpresa të reja, në një vit të ri. Vallë ç’kuptim jete nuk është më pakuptim dhe ç’kotësi zuri arsye?!… Kërko të dashurohesh në fundvit, nuk e di nëse dashuria është thirrje, por le të jetë një përgjigje këtë fundvit për këdo që ndihet i braktisur dhe i vetëm mes njerëzish. Le të jetë, “email”-i juaj i urimit një thirrje e sinqertë për t’ju dashur, sepse dashuria është e vetmja forcë për të kapërcyer në vitin tjetër.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.115

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top