FB

November 25, 2021 | 8:20

Deinstitucionalizimi i jetimoreve, është një proces që kërkon kohë dhe mjete të konsiderueshme financiare…

Nga Anxhela Çelanji, gazetare

 

Konkretizimi i deinstitucionalizimit të fëmijëve pa kujdes prindëror ka shkaktuar mjaft shqetësim në opinionin publik ditët e fundit, ku të parat për këtë çështje kanë reaguar kujdestaret e shtëpisë së fëmijëve parashkollore në qytetin e Vlorës.

Ilir Çumani Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Ilir Çumani Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka deklaruar ditë më parë se do të nisë një proces kontrolli për këtë çështje.

Çfarë është deinstitucionalizimi?

Në VKM-në e vitit të shkuar, të përpiluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, thuhet se deinstitucionalizimi është procesi i planifikimit të integruar të transformimit të institucioneve, duke synuar reduktimin e numrit të fëmijëve në institucione deri në eliminimin e tyre, duke iu siguruar këtyre fëmijëve një mjedis familjar, në interesin më të lartë të tyre.

A është gati Shqipëria për të nisur këtë proces?

Ilir Çumani, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ka shpjeguar se deinsitucionalizimi është metoda që kemi ndjekur tradicionalisht dekadat e fundit në frymën e shërbimeve që u janë ofruar fëmijëve pa kujdesin prindëror, që do të pasojë me një reformë të re dhe synon tashmë shërbime më të mira ndaj këtyre fëmijëve.

“Unë mendoj se duhet të jemi mjaft të kujdesshëm në të gjitha hapat që do të hidhen në zbatimin dhe realizimin e kësaj reforme, sepse kjo mund të na rezultojë në një bombë më të madhe sociale që do të ketë kosto edhe për një target grup shoqëror, për fëmijët, për ata që ne i kemi në fokus për t’iu ofruar shërbime dhe për ti integruar realisht në shoqërinë tonë. Fazat e kësaj reforme do të ndiqen hap pas hapi, të cilat duhet monitoruar për të gjitha pritshmëritë e rezultatet dhe do të synojnë qëllimin final, por, gjithashtu duhet patur një lloj statistike se kush janë grupet e interesit që do të përfitojnë nga këto shërbime”, shpjegon Çumani.

Ai tregon se aktualisht institucionet tona duke filluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror, Drejtoritë Rajonale të këtij shërbimi në qarqe prefekturash, bashkish e komuna, ende nuk kanë një database me numrin real të fëmijëve pa kujdesin prindër dhe të fëmijëve jetimë në Shqipëri, e për këtë arsye, kërkohet që të kemi një të dhënë zyrtare, ku të mund të kemi referenca dhe një statistikë të këtyre fëmijëve që kanë humbur familjet dhe kujdesin prindëror, për t’u klasifikuar sipas kategorive dhe nevojave që ata kanë në marrjen e këtyre shërbimeve.

capture3Kujdestaret e Shtëpisë së Fëmijës parashkollore në Vlorë shpjeguan për mediat se që prej dhjetorit të vitit të shkuar nuk kanë pranuar akomodimin e fëmijëve të kësaj kategorie në këtë institucion. Por, nga ana tjetër kanë deklaruar se fëmijët dhe familjet e rriskut nuk janë ende të përgatitura për këtë proces.

“A ekzistojnë realisht potenciale dhe kapacitetet njerëzore e profesionistësh, ashtu edhe të gjitha mjetet e mjaftueshme   financiare nga shteti ynë që të përballojë këtë politikë kaq të fortë deinstitucionalizimi…!?  Kjo pyetje lind vetiu, ngase kjo është një reformë që kërkon jo vetëm kapacitete dhe mbështetje financiare të fuqishme, por njëkohësisht kërkon edhe një dinamikë procedurash skrupuloze, mjaft të rrepta e rigoroze në tërë kompleksitetin e vet. Dhe jo vetëm të nevojave dhe shërbimeve që iu duhen këtyre fëmijëve, por lypset edhe një politikë sociale efektive në aspektin psiko – social, ekonomik, arsimor, kulturor dhe të mjaft shërbimeve të shumta që ata duhet të përfitojnë. Pra, a jemi të përgatitur ne si Shqipëri me mundësitë  tona fare modeste të përballojmë një reformë të tillë kaq ambicioze që t’i përafrohemi vëndeve të Bashkimit Europian…!? Shqipëria nuk është as Hollandë e as Danimarkë, as Swedi, Zvicër, Itali apo Gjermani, as Kanada apo SHBA. Unë mendoj se, duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe të mos bëhemi euforik! Mëtoj të perifrazoj dhe të mbështesë plotësisht mendimin e profesor Përbarim Kabo, i cili thotë se Shqipëria ende nuk e ka luksin që me paratë e taksapaguesve shqiptarë të blejë modernitetin duke injoruar normalitetin e jetës së vendit. Sot, më shumë se kurrë ne kemi nevojë për normalitet dhe për një kohezion social real përballë këtij sfondi të rënduar dhe të shëmtuar social në të cilën po përballet pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare, veçanërisht grupet sociale më në nevojë të shoqërisë, pjesë e të cilëve është edhe ajo e fëmijëve pa familje që kanë humbur kujdesin prondëror – shton Çumani.

Ndërkaq, në një takim me përfaqësues të institucioneve të përkujdesit social dhe organizmave ndërkombëtarë si UNICEF, Delegacioni i Bashkimit Europian, Save the Children, përfaqësues të pushtetit vendor e Shoqërisë Civile, Ministrja Ogerta Manastirliu, shpjegoi se plani kombëtar për deinstitucionalizmin synon që çdo fëmijë të ketë një familje.

capture1“Kur kjo nuk është e mundur, patjetër që janë institucionet tona që do të presin, trajtojnë dhe të përmbushin çdo nevojë që fëmija ka. Qendrat rezidenciale do të vijojnë të qëndrojnë, ato do të transformohen duke u fuqizuar dhe duke shtuar shërbime të reja, duke i sjellë më afër fëmijëve por edhe familjeve”, – shtoi Manastirliu.

Ndërsa Çumani shpjegon se jemi ende në fazat e një pamundësie për këtë proces, sepse nga ana tjetër, tabloja sociale në na jep të tjera të dhëna.

Sipas Çumanit, vitin që shkoi, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë zgjidhur 1098 çështje gjyqësore për divorc. Ndërsa në gjykatat e tjera në shkallë vendi janë zgjidhur rreth 6000 çështje të tilla, e Çumani shton se, sikur nga 2 fëmijë të ketë në çdo familje ku janë shpallur këto divorce, ndodhemi përballë 12 mijë rasteve të fëmijëve që janë në një situatë rrisku dhe të vështirë, që sot jetojnë në një familje të shpërbërë.

“Sipas studimeve që janë bërë deri tani, 80% e rasteve të divorceve kanë si shkak varfërinë, papunësinë dhe problemet psikosociale, vështirësitë e mëdha ekonomike në të cilat përballen këto familje shqiptare, dhe kjo ndikon drejtpërsëdrejti në funksionimin  jo normal të tyre me baza të qëndrueshme dhe aspak të shëndetshme. Qëllimi kryesor i kësaj reforme ka të bëjë me hapat që duhet të ndërmarrë shteti shqiptar për fuqizimin e familjeve tona, për t’i shmangur nga rrisku nëpërmjet mbështetjeve financiare dhe programeve të ndihmës dhe të mbrojtjes së këtyre familjeve në rrisk”, – shtoi Çumani.

capture2

KLSH ka deklaruar se do të verifikojë formën dhe mënyrën e zhvillimit të projektit, ku e ardhmja e fëmijëve jetim është në fokusin kryesor të këtij kontrolli, për të garantuar jetesën e tyre.

Sipas Çumanit, shteti duhet të fuqizojë shërbimet multidisiplinare të mbrojtjes dhe të ndihmës që nga qendrat rezidenciale dhe deri tek specialistët që merren me procedurat e kujdestarisë dhe të birësimit, dhe deri tek shërbimet alternative në komunitet.

“Në Shqipëri janë mbi 31 qendra rezidenciale që ofrojnë strehë dhe shërbime për fëmijët pa kujdesin prindëror. 80% e tyre janë fëmijë që vijnë nga familje me probleme sociale të varfërisë e të pamundësisë, dhe 20% e tyre janë fëmijë jetimë biologjik. Nëse në kohën e komunizmit shtëpitë e fëmijëve ishin të mbipopulluara me 300 fëmijë në një institucion të tillë dhe 80% e tyre ishin jetimë biologjikë, sot ky raport është përmbysur,” – shton Çumani.

Procesi i deinstitucionalizimit të jetimoreve në Shqipëri është përfolur edhe në vitin 2016, kur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Sociale ishte Blendi Klosi, i cili është shprehur asokohe se fëmijëve jetimë do t’ju gjendet familje kujdestare dhe “ky proces do të realizohet nga bashkitë brenda këtij viti”.

“Kemi shumë vite që flasim, kemi vite e vite që themi, por vetëm me një përpjekje të fortë në këto vite kemi trefishuar numrin e familjeve kujdestare. Në qoftë se para dy vjetësh ishin 60 fëmijë, sot janë 180 përfitues. Në qoftë se vazhdojmë me këtë ritëm dhe me këtë sforco dhe me një punë më të përqendruar, ne realisht mund të realizojmë që në fund të viti të kemi një reduktim maksimal të fëmijëve që janë rezidencial në qendrat tona”, – tha Klosi.

Por plani i deistitucionalizimit ende vijon dhe nuk shfaq siguri. Çumani shpjegoi se ka shumë kohë që diskutohet dhe publikohet teorikisht ky proces, por situata ende nuk ka ndryshuar. Ai shpjegon se taksat publike dhe të mirat materiale në Shqipëri shpërndahen në mënyrë të zhdrejtë, jo racionale, dhe kjo sjell mjaft pengesa në procese e reforma të tilla siç është edhe deinstitucionalizimi, sepse nëse do të vazhdohet kështu, gjithmonë do ketë mungesë fondesh.

capture

“Duke pasur parasysh se kemi një nivel të lartë korrupsioni, lind pyetja: pse pikërisht kjo reformë nis me qendrën e Shtëpisë së Fëmijëve parashkollore në qytetin e Vlorës…!? Para 30 vitesh, ka ekzistuar në fshatin Borsh një qendër pushimi multidisiplinare, mjaft kreative, nga më të rëndësishmet për fëmijëve jetimë, ku në muajt e verës pushonin për afro 3 muaj fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës shkollore në Sarandë. Ishte një qendër moderne dhe shumë bashkëkohore, që shtrihej në një sipërfaqe 4 mijë metër katror buzë detit, ndër më të famshmet shtëpi pushimi për këta fëmijë në gjithë vendin. Pas viteve ’90 – të, kjo qendër ra pre e vandalizimit, e barbarisë dhe e shkatërrimit dhe ka mbetur ashtu nën  rrënoja, duket edhe sot sikur të jetë bërë një luftë e pa imagjinueshme, pasi dikush ja ka vënë syrin për ta gllabëruar, për ti ndryshuar destinacionin dhe për ta transformuar për të tjera qëllime…

Pra, pyetja fare e qartë që po shtroj sot është: Përse “reforma aktuale e deinstitucionalizimit” po nis me shtëpinë foshnjore në qytetin e Vlorës…!? Sepse pikërisht, kjo qendër është një pronë publike e ndodhur në një zonë shumë të lakmuar dhe e vendosur në një pikë strategjike të turizmit në Vlorë. Mos vallë, ka ndonjë tendencë ashtu siç është vepruar në këto 30 vite të tranzicionit shqiptar në gllabërimin e aseteve publike, edhe kësaj  qendre i kanë vënën gishtin për ta tjetërsuar për të patur të njëjtin fat me qendrën e Shtëpisë së Pushimit në Borsh…!?”, – shton Çumani.

Më tej ai i bën apel të gjithë medias të bëhen njësh në mbrojtjen e kauzave të tilla, sepse fëmijët pa familje dhe pa kujdesin prindëror janë krijesat më të pa mbrojtura të çdo shoqërie!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top