Zëvendësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha e cilësoi si revolucionin e Inteligjencës Artificiale si një etapë po aq historike sa procesi historik i modernizimit të shtetit, por shtoi se, krahas përfitimeve, kjo sjell një sërë sfidash.

Në Simpoziumin shkencor të Universitetit Luarasi, ajo theksoi se teknologjia po ndryshon mënyrën se si konceptohen dhe ushtrohen profesionet, ndërsa u ndal edhe tek drejtësia. Sipas saj, përtej benefiteve që sjell teknologjia, ekziston rreziku që drejtësia të reduktohet në një proces teknik, duke humbur dimensionin e saj njerëzor, etik e social. Ajo theksoi se teknologjia duhet të mbetet një instrument në funksion të drejtësisë, por jo një mekanizëm që zëvendëson thelbin e saj. Në këtë kontekst, shtoi ajo, shteti dhe institucionet publike, janë vendimtare për të garantuar standarde të qarta etike dhe juridike për përdorimin e AI.
“Sot përballemi me një tjetër etapë transformimi, ndoshta po aq të rëndësishme sa procesi historik i modernizimit të shtetit. Revolucioni teknologjik i AI. AI po ndryshon në mënyrë të thellë mënyrën se si konceptohen dhe ushtrohen profesionet, sistemet, algoritmet po përdoren për kërkim juridik, analizë jurispudence, hartim dokumentesh, dhe menaxhim çështjesh madje edhe për modele parashikuese në procese vendimmarrëse. Ky zhvillim sjell rritje të efikasitetit, reduktim të kostove dhe përshpejtim të proceseve procedurale. Por transformimi që po përjetojmë nuk është vetëm teknik, ai është filozofik dhe institucional. Pyetja që shtrohet sot: A po kalojmë gradualisht nga një drejtësi e mbështetur mbi arsyetimin njerëzor, përvojën dhe ndërgjegjen juridike drejt një drejtësie të ndërmjetësuar nga AI. Kjo pyetje prek vetë esencën e së drejtës.
Në një kohë kur teknologjia premton automatizim dhe efikasitet maksimal, ekziston rreziku që drejtësia të reduktohet në një proces teknik, të përpunimit të të dhënave duke humbur dimensionin e saj njerëzor, etik e social. Drejtësia nuk mund të kuptohet vetëm si prodhim vendimesh, ajo lidhet me besimin e publikut, perceptimin e paanshmërisë dhe me garantimin e dinjitetit njerëzor në çdo procedurë.
Nga ana tjetër, AI ofron potencial real për zgjerimin e aksesit në drejtësi, përmes platformave digjitale, dhe sistemeve inteligjente të informacionit juridik, qytetarët mund të kenë akses më të shpejtë, më transparent dhe ekonomike ndaj shërbimeve juridike.
Teknologjia duhet të mbetet një instrument në funksion të drejtësisë dhe jo mekanizëm që zëvendëson thelbin e saj. Në këtë kontekst, roli i shtetit dhe institucioneve publike është vendimtar për të garantuar standarde të qarta etike dhe juridike për përdorimin e Inteligjencës Artificiale”, tha ajo.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

