Psikofakt

October 25, 2015 | 12:00

Déjà-vu

MondiNga Edmond Tupja

Po afron, si pa u ndier, fundi i vitit 2014. Një vit i trazuar deri diku, me shqetësime sociale, halle familjare dhe brenga vetjake për shumë prej nesh, a thua se ndodhemi në një tunel, i cili, tani për tani, na ofron vetëm një dritëz që regëtin në skaji e tij të largët. Një dritëz me emrin “festat” e fundvitit, veçanërisht ajo e Vitit të Ri. Formula më e thjeshtë, më e dëlirë që përmbledh këtë gëzimi gjithsesi të veçantë është pritja me padurim e fëmijve të padjallëzuar që shohin ëndrra me Plakun e Vitit të Ri që do t’u sjellë dhurata. Nëse do ta thellonim analizën e përbërjes së kësaj grupmoshe, do të vërenim në përgjithësi se ajo ndahet, në këtë rast e vetëm në këtë, në dy nënkategori: a) ata që besojnë vërtet në ekzistencën e tij, pra të miturit deri në moshën gjashtë vjeç pak a shumë; kjo festë u përket atyre fund e krye dhe që të bindemi për këtë, mjafton të kujtojmë fëmijërinë tonë të largët; b) ata që nuk besojnë më në këtë mrekulli, pra paraadoleshentët, por që, gjithsesi, ende mrekullohen nga atmosfera që krijon festa e Vitit të Ri.  Pastaj, kemi moshat e rritura, të rinjtë sidomos, që e konsiderojnë këtë festë si një rast për të harruar (por për sa kohë: një natë, një ditë, e shumta dy?) të tashmen e tyre pak a shumë monotone që duket sikur merr ngjyra herë më të gjalla, herë më të zymta, dhe kjo në funksion të mundësive që u ofron atyre familja, shoqëria, shteti, veçse mbarimin e kësaj feste ata e përjetojnë me një ndjenjë pasigurie të përzier me njëfarë zhgënjimi e ndoshta pakëz ankth.

Sidoqoftë, diçka na shtyn të mendojmë se një anketë serioze mbi qasjen që kanë shqiptaret e shqiptarët e sotëm lidhur me festën e Vitit të Ri, do të nxirrte, me shumë gjasë, në pah një tipar të përbashkët të të gjithë të anketuarve: përshtypjen e asaj që francezët e quajnë “déjà-vu”, d.m.th. “diçka tashmë e parë”, e përjetuar diku dhe/ose dikur. Përshtypje që fëmijët e të rinjtë nuk e kanë, por që ka të ngjarë ta kenë kur të jenë në moshë më të rritur. Ka arsye që e shpjegojnë objektivisht këtë dukuri: përsëritja me fare pak ndryshime e së njëjtës feste çdo vit (po ai ritual, po ato fishekzjarre, po ato dalje pas mesnate shesheve e rrugëve, po ato urime, po ai këmbim dhuratash, po ato zbavitje, po ata vizita të nesërmen e të pasnesërmen, po ajo ndjesi e përshtypje paksa depresive tipike për çdo pasfestë etj., etj).

Bëjnë përjashtim, siç e thamë më lart, fëmijët, por edhe një kategori tjetër, ajo e të dashuruarve. Këta i shijojnë më së miri e më së thelli të tëra llojet e festave, veçanërisht atë të Vitit të Ri. Prandaj, le të bëhemi, qoftë edhe për disa orë, përsëri fëmijë ose të rinj të dashuruar që t’i harrojmë shqetësimet, hallet e brengat, ashtu si çiftet e moshuara që, ndonëse e dinë që i kanë vitet e numëruara, në përvjetorë e festa të tjera kujtojnë vetëm çastet e lumtura të jetës bashkëshortore e familjare për t’u ripërtërirë sado pak e për të rigjetur shijen gjithmonë e më të rrallë të gëzimit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top