Editorial

October 25, 2015 | 13:30

Quo vadis?

Nga Orjona Tresa

A është çliruar shoqëria shqiptare nga tabuja, që femra, si qenie, nuk është vetëm për të bërë punët e shtëpisë, për të gatuar e larë pjata? A është emancipuar aq shumë shoqëria jonë mashkullore për të kuptuar se femra është në gjendje të marrë barra shumë më të mëdha mbi vete se sa të të ndërrojë pelenat e fëmijëve dhe të bëjë çfarë i thotë burri?

Unë them se jo. E sa për fillim dua të sqaroj se edhe pse po marr përsipër të shkruaj për gjininë që i përkas, nuk jam nga ato që i janë kushtuar lëvizjes feministe. Po çfarë ndodh në një pjesë të dukshme të realitetit shqiptar:

Po të bësh një zapping në televizionet shqiptare, kryesisht emisioneve opinionbërëse, prania e figurës femërore ende shfaqet në minorancë krahasuar me gjininë tjetër, atë mashkullore sigurisht. Karriget në panelet e ndërtuara sipas tematikës së ngritur për debat, dukshëm dominohen nga burrat. Në shumicën e rasteve ndodh që 1 në 4 të ftuar të jetë femër, dhe kjo nuk mund të jetë rastësi kur e ndesh në disa emisione njëherësh. Ky është mentalitet.

Çështjet më të nxehta të këtij fillim viti, nisur me arsimin shqiptar dhe testimin e kërkuar nga qeveria për mësuesit, për të vijuar me përmbytjet në jug të vendit apo shëndetësinë kanë ndezur debate të vazhdueshme, ku sërish roli i gruas është parë i përfaqësuar nga një e vetme dhe për më tepër në “presionin” mashkullor. Kjo mendësi në mentalitetin “liberal” mediatik të 20 viteve të fundit, ende mëkon fatin e një shoqërie të diktuar nga meshkujt.

Pa doreza, diskriminimi gjinor shfaqet hapur duke e parë figurën femërore më shumë në aspekte të tjera sociale. Megjithatë ka dhe nga ato raste ku për tematika me natyrë rozë apo trend, panelet televizive mbushen me femra të bukura, si për të thënë se në këtë hapësirë këtu ia vlejnë, dhe fort madje. Nga ana tjetër, thënë por jo zbatuar aq sa ç’duhet, edhe pse politikat e BE-së kanë ndërhyrë disa herë për të përforcuar qëndrimin e të pasurit përfaqësim të lartë të gruas shqiptare në parlament me 30%, gati 10% e tyre janë fjalëmbajtur. Përveç 3-4 figurave të spikatura për oratorinë e tyre fatlume, pjesa tjetër është “e mbytur” nga dominanca dhe presioni gjinor i palës tjetër. E drejta e fjalës uzurpohet në kohë të plotë nga qëndrimet maskiliste, të cilat falë zhargonit të pakufitë fjalorak, “thyejnë” barazinë gjinore.

Një shoqëri ku 25 nëntori i vitit 2014 i dha njohje Konventës së BE, për mbrojtjen e të drejtave të gjinisë femërore, ende shihet me një raport aspak të drejtë. Jashtë politikës, medias apo shtyllave të tjera ku pretendohet një barazi e merituar gjinore, në shoqëri situata vijon të mbetet e njëjtë. Një baba malësor që përdhunon bijat e tij, një nëpunës që shan dhe keqpërdor statusin zyrtar karshi koleges, një drejtues automjeti që fyen dhe nuk toleron pasagjeren, një kalimtar që i zë udhën një kalimtareje, një bashkëshort që nëpërkëmb gruan e tij, e plot të tjera si këto, në modelin që vrullshëm e ndeshim para syve në kohët që jetojmë. Në të gjitha këto raste dhe shumë të tjera të papërmendura, viktimë është vetëm një: femra.

Një shprehje thotë: Nëse do të ndërtosh një brez të edukuar e të ditur, duhet të investosh njëzet vite përpara se të mendosh të sjellësh në jetë një krijesë.

Nisur nga ky pretendim, realiteti parashikon të kundërtën, por me pozitivitetin për më të mirën, le të shpresojmë, se për momentin vetëm kjo na ka mbetur. Ndaj të mbështetim më shumë femrat, ato prej nga ku ngjizet jetëgjatësia dhe vullnetaret e “pushtetshme” për edukimin e brezave që lindin.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top