Editorial

November 12, 2017 | 18:55

Nga Dorina Bilbili: Vajtimi në kohën e teknologjisë, na jepni 2 orë kohë ju lutem!

Kur dikush i dashur ndërron jetë, vajtimi në Facebook mund të duket një mënyrë e dobishme për të shprehur pikëllimin. Por, menjëherë pas vdekjes së një personi, për të afërmit dhe miqtë e të vdekurit, mediat sociale mund të jenë shumë tronditëse.

E keni, e kam bërë këtë!

Vdekja është e pashmangshme. Sidoqoftë, nuk kemi kuptuar se si të reagojmë ndaj njerëzve në zi, sidomos atyre që vajtojnë në një hapësirë publike si Facebook-u dhe Instagrami.

Për disa njerëz, sapo dëgjojnë për vdekjen e një të afërmi, miku apo të njohuri ndjejnë thirrjen për të ngushëlluar e dhënë “lamtumira” në Facebook.

Kur vdes një person i dashur, profili i tyre në Facebook është një bekim dhe një mallkim. Njerëzit brengosen në mënyra të ndryshme. Çka trondit disa njerëz, mund të jetë ngushëlluese për të tjerët dhe e anasjella.

1

Pak kohë më parë, tezja ime e shtrenjtë u nda nga jeta. E zhytur në dhimbje, trokiti dera. Ishte një e njohura ime: “O Zot, a je mirë? Ajo vdiq, u çlirua nga dhimbjet? E lexova në Facebook? Ku është mami?!”.

Facebook? U habita. Kisha që në mbrëmje që s’kisha hyrë në rrjete sociale. Por kuptova menjëherë sapo hyra se lajmi ishte dhënë në Facebook.

Sa RIP (pushofsh në paqe) kemi parë duke lundruar përmes rrjetit gjatë ditëve të fundit? Disa.

Konstancë Passeri, një eksperte PR, mësoi vdekjen e dy miqve sepse njerëzit postuan mesazhe lamtumire në Facebook, pak orë pas ngjarjes. “E di që të gjithë kanë të drejtë të shprehin dhimbjen në mënyra të ndryshme, por ndjej se ekziston një kohë që duhet respektuar. Ndihem e zemëruar për lajmin dhe për mënyrën se si e zbulova atë”, thotë Passeri.

Ishte e tmerrshme të zgjohesha një mëngjes dhe gjëja e parë që pashë ishin lajmet dhe njerëzit që bombardonin Facebook-un dhe Instagramin me komente, foto dhe mesazhe për vdekjen e Adela Xhamanit.

Të njëjtën zemëratë ndjeva me lajmin nëpër rrjet lidhur me vdekjen tragjike të një tjetër gazetareje shqiptare të shtunën. Pasuar me vdekjen e papritur të këngëtarit të njohur nga Veriu të dielën.

Në njërën anë vdekje të shoqëruara me foto, video dhe histori të pafundme të postuara në Facebook! E në anën tjetër, thirrje kundër një histerie kolektive në media sociale, në shenjë respekti për të vdekurin dhe familjarët e të afërmit.

Në dy prej këtyre rasteve jam tronditur aq fort sa dëshiroja të tërhiqesha nga bota e mediave sociale.

Po pse dikush poston një lajm të hidhur me aq shpejtësi në Facebook?

Psikoterapistja Hilda Burke thotë se për shumë veta është një ngushëllim i fuqishëm që të marrë mesazhe ngushëllimi, kujtime dhe imazhe të personit që ka vdekur. Por ajo këshillon se këto kanë më impakt nëse përcillen në forma private.

Dr. Sheri Jacobson thotë se duhet të kini parasysh se duke tag-uar (etiketuar) në postimin tuaj personin e ndarë nga jeta, kjo ka të ngjarë të shfaqet në “murin” e familjarëve të tij dhe miqve të ngushtë.

Duhet të dimë se ekziston një hierarki pikëllimi. E kur dikush vdes, qoftë papritur ose pas një sëmundjeje, i ri apo i moshuar,  pjesa më e madhe e njerëzve që e kanë njohur, në ato momente e shprehin dashurinë për të ndjerin duke treguar mbështetjen për familjen dhe miqtë e lënë pas.

Para mediave sociale, këto shpreheshin në formën e telefonatave, mesazheve zanore dhe luleve.

Nuk them që këto sjellje janë zhdukur tërësisht me futjen e mediave sociale, por tani ekziston një shtresë e re e shprehjes së hidhërimit, ajo e haraçit online në formën e postimeve në Facebook, Instagram, fotomontazhe, videomontazhe, etj.

Ku është problemi këtu? A s’është kjo formë që njerëzit shprehin dashurinë, kujdesin, shqetësimin, mbështetjen dhe lutjet për shpirtin e të vdekurve dhe për familjen e tyre?

Nëse keni nevojë për të shprehur dhimbjen, pranoni marrëdhënien tuaj me të ndjerin dhe lutjet e familjes dhe miqve: Ju lutemi na jepni një minutë kohë! Jemi të tronditur!

Në minutat dhe orët e para pas largimit të dikujt nga jeta, të jeni të bindur se rrjetet sociale janë gjëja e fundit në mendjen e të prekurve nga një fatkeqësi. Personi nuk ngjallet dhe simpatia juaj për të s’është më pak e sinqertë nëse postimi, fotoja ose cicërima juaj shtyhet për disa orë.

Ekspertët thonë se dy orët e para janë tronditëse!

Pse a nuk është kjo mënyra më e shpejtë dhe më e përshtatshme për ngushëllim e njoftim vdekje?

Për disa, kur postojmë RIP (pushofsh në paqe) në Facebook, japim dëshmi se ky person nuk vlen për ne as një telefonatë.

E për të tjerë, është e kundërta. “Një mik i imi vdiq kohët e fundit. Ishte i ri, dhe vdekja e tij ishte e papritur. Gruaja e tij kërkoi që miqtë në Facebook të postojnë fotografi dhe anekdota për miqësinë e tyre. Kështu kujtuam shumë gjëra të mrekullueshme për burrin e saj, edhe nga ato që ai nuk i kishte ekspozuar në jetën e tyre të përditshme”, mendon një përdoruese e Quora-s.

Një studim i Universitetit Brunel thotë se ajo çka postojmë në Facebook në fakt tregon shumë për personalitetin tonë.

Prisni që familja të njoftojë zyrtarisht vdekjen e personit përpara se të komentoni ose të postoni ndonjë gjë. Nëse nuk e njeh familjen / rrethin e ngushtë të personit, ndoshta nuk duhet të postosh fare.

2 orë pritje duhen!

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com