Në fokus

October 29, 2015 | 8:35

Depresioni: Femrat dy herë më të rrezikuara!

fleuraNga: Fleura Shkëmbi

Depresioni është një çrregullim i cili shkakton ndjenja konstante të trishtimit dhe humbjes së interesit. Depresioni ndikon në mënyrën se si ndien, mendon dhe sillesh.

Depresioni shkakton probleme emocionale dhe fizike. Tipike e njerëzve që vuajnë nga depresioni është vështirësia për të kryer aktivitetet e jetës së përgjithshme dhe mund të mendojnë se jeta nuk ia vlen të jetohet, se është vetëm vuajtje dhe trishtim.

Të ndihesh i trishtuar apo si e quajmë ndryshe “depresion” na ndodh të gjithëve, por kjo ndjesi kalon pas pak kohësh. Ndërsa depresioni klinik ndikon te njerëzit në jetën e tyre të përditshme dhe funksionimi normal është minuar aq sa i kalon kufijtë e individit dhe prek njerëzit të cilët i qëndrojnë pranë.

Disa nga simptomat më të zakonshme janë:

Mendimet vetëvrasëse: femrat më shumë tentojnë ndërsa meshkujt e kryejnë këtë akt 4 herë më shumë se femrat sepse përdorin metoda më  vdekjeprurëse.

Pavendosmëri: të marrësh vendime është një proces i përpunimit të informacionit, i cili ulet gjatë periudhës depresive. Njerëzit kanë probleme për të marrë vendime edhe për gjëra shumë të vogla të jetës (të shkojnë në dyqan, të takojnë një mik).

Përdorimi i substancave: Njerëzit që pinë alkool janë dyfish më depresiv se ata që nuk pinë. Është një metodë e shkurtër dhe më pak e bezdisshme se sa të shkosh dhe të kërkosh ndihmë te profesionistët.

Ankthi: Studimet kanë nxjerrë një lidhje të fortë midis çrregullimit të ankthit dhe depresionit. Meshkujt e kanë më të vështirë të tregojnë që janë ankthioz por më të lehtë të shprehin mërzinë dhe trishtimin se kanë humbur vendin e punës apo se diçka nuk po shkon mirë.

Stresi: Studimet nxjerrin se stresi i tejzgjatur shkakton ndryshime në trup por edhe në tru që mund të çojë lehtësisht drejt depresionit. Meshkujt shpesh depresionin e etiketojnë si stres. Humbja e dëshirës seksuale është një nga pikat ku depresioni lë gjurmët e veta dhe meshkujt e kanë shumë më të vështirë për ta treguar se femrat.

Problemet me gjumin e tepërt ose me pagjumësinë shoqërojnë simptomat e depresionit, ashtu si edhe problemet me peshën, dhimbjet e pashpjegueshme nga doktori, inat dhe zemërim.

♦Përveç shkaqeve gjenetike, traumave të kaluara gjatë jetës, largimi nga jeta i një njeriu të dashur, problemet e mëdha financiare, humbja e punës, disa shkaqe që mund të konsiderohen të parëndësishme shkaktojnë depresion janë:

Stinët (ndryshimi i stinëve dhe kur mungon dielli)

Pirja e duhanit

Problemet me tiroidet

Mungesë e gjumit

Koha e gjatë që mund të shpenzoni në rrjetet sociale

Vendi ku jetoni

Mungesë e peshkut në dietë

Marrëdhënia jo e mirë me motrat dhe vëllezërit (sidomos te fëmijët)

Kontraceptivët që merren për të kontrolluar shtatzëninë

STUDIME

Depresioni kap 121 milion njerëz në të gjithë botën. Më pak se 25% e  atyre që i kap depresioni mund të marrin trajtim efikas. Në 2011 studimet kanë nxjerrë se në vendet e zhvilluara depresioni kapte 15% të popullsisë ndërsa në vendet me nivel mesatar dhe të ulët 11% të popullsisë. 79% e njerëzve të cilët janë diagnostikuar me depresion thonë se janë diskriminuar për shkak të këtij çrregullimi. Meshkujt më të rritur në moshë kryejnë më shumë vetëvrasje se ata më të rinjtë.

Femrat i kap depresioni dy herë më shumë se sa meshkujt.

Këshilla: 5 mënyrat më të mira për t’u shëruar!

Nëse ndiheni të deprimuar atëherë duhet të bëni diçka:

♦Ushtrimet fizike janë kaq të domosdoshme për këdo por më tepër për dikë që vuan nga depresioni. Është e vështirë ndoshta të keni dëshirën për t’u ngritur në mëngjes nga krevati, apo të dilni në natyrë, prandaj duhet ta stimuloni veten për herët e para sa t’ju kthehet në zakon dhe të mësohet trupi. Bëni atë gjë që ju pëlqen: të ecni, të vraponi, të shkoni në palestër, të bëni punë shtëpie apo të punoni kopshtin. Yoga dhe meditimi ndikojnë pozitivisht në këtë aspekt.

♦Mënyra e të ushqyerit është po aq e rëndësishme sepse sot ka raste të suksesshme që po e trajtojnë depresionin vetëm me ndryshimin e mënyrës së të ushqyerit. Trupi e ndien dhe na e jep reagimin se duhet ta respektojmë dhe ta trajtojmë më me kujdes dhe përkushtim. Nëse nuk i kushtojmë vëmendje do të na i dërgojë simptomat menjëherë.

♦Identifikimi i shkakut do të ishte i rëndësishëm në mënyrë që të dimë si ta trajtojmë. Flisni me familjarët, me miqtë më të ngushtë apo më njerëzit që ju kuptojnë më mirë, por gjithmonë pa e tepruar kur situata vjen në përkeqësim sepse atëherë do të keni nevojën e  specialistëve për trajtim me barna apo me terapi.

♦Shprehni veten! Ata që i kanë provuar momentet e depresionit e dinë se çastet për t’u kënaqur janë të pakta. Është nga periudhat në të cilat ju lejohet të bëni shumë gjëra dhe të jeni të justifikuar. Pikturoni, kërceni, bëni muzikë (edhe nëse e dini se nuk keni talent në këtë fushë), shkruani, bëni shtiza, stiloni, bëni foto. Mbi të gjitha gjeni njerëzit e duhur që ju bëjnë për të qeshur sepse në këto momente mezi e falim një buzëqeshje. Mjafton një ndryshim i vogël pozitiv dhe ky është çasti kur fillon dhe rimerr veten, fiton besimin se ti mundesh.

♦Shikoni pjesën më të ndritshme të gjendjes. Depresioni merr kohë për t’u trajtuar, por është një gjendje nga e cila përfitojmë sepse jemi gjatë gjithë kohës në kontakt me veten. Të jetosh në të tashmen është një nga mënyrat më të mira për të jetuar. Dalai Lama shprehet se dje dhe nesër nuk mund të bëjmë asnjëherë asgjë.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top