Editorial

October 28, 2015 | 14:21

Udhëtimet

Nga Orjona Tresa

Udhëtimet janë të frymëzuese, të dëlira. Sa herë bëjmë plan të shëtitim diku, mendja përfytyron ethshëm të gjithë itinerarin çlodhës e argëtues. Mes miqve apo familjarëve, pse jo vetëm për vetëm me partnerin, asgjë nuk duhet lënë pas dore. Çdo frymëmarrje, pikëtakimi të ri duhet të jetë çasti yt i shijimit. Elementët janë aty, të duhet vetëm t’i “shfrytëzosh”. Të thithësh ajrin që përshkon rrugëtimin tënd, në mal, në pyll, në bregdet, në dimër a në verë është si një rilindje shpirtërore. Cilado periudha qofshin, udhëtimet janë burim mirëqenieje për ne. Ato na nxisin të prekim nga afër ndjesi të reja, me adrenalinë dhe plot energji. Parapërgatitja na udhëheq me një plan në kokë: ku do të ndalemi për kafenë e mëngjesit, ku do të çlodhemi në segmentin tjetër më të afërt të pushimit, e deri në vendtakimin ku do të zbarkojmë për të ndjekur itinerarin e vizitës shëtitëse. Të gjitha këto ndikojnë në perceptimin dhe dhënien zgjidhje të shumë mendimeve që na turbullojnë mendjen. Udhëtimet janë si era. Ato na bëjnë të lëmë pas çdo mendim negativ, situatë të pakëndshme që rutina na ka ofruar. Mbushemi me emocione të reja. Frymëzohemi nga çdo gjë syri sheh. Priremi të shfrytëzojmë të gjitha mjediset, vendet dhe ambientet, si një braktisje nga monotonia e përditshmërisë. Gjithkush kërkon prehjen, në kërkim të shpirtit dhe dëshirave personale. Kur nisemi për udhëtime në distancë, shkëputemi gjeografikisht dhe nga problemet tona të përditshmërisë. Mendja punon me një ritëm tjetër. Mungesa e kontakteve, ndërrimi i vendit dhe gjithçkaje përkufizon jetën tonë, na bën të ndjehemi më të relaksuar. Udhëtimet janë ato që ngacmojnë pozitivisht nënvetëdijen ku me të ngjarë, arrijmë të zbulojmë mënyra të reja të trajtimit të problemeve në aspektin gjithëpërfshirës. Çdokush besoj e ka të ndjerë se në çastin që nisemi për një udhëtim çlodhës, shfaqim më shumë kuriozitet për çdo gjë që na rrethon. Arrijmë të dallojmë një ndjenjë të fortë brenda vetes, të klasifikojmë çfarë na pëlqen dhe çfarë jo, të ndjekim gjërat që vërtetë i duam. Ndaj një arsye më shumë për të udhëtuar, është pikërisht eksplorimi i interesave personale. Kjo ndjenjë do të na bëjë ta shohim jetën në drejtimin e duhur. Të ndjekësh vlerat dhe qëllimet do të thotë të të rritet vetëbesimi. Udhëtimet e falin këtë. Përfitimet e një udhëtimi janë gjithashtu përmirësim i performancës në punë, bëhemi më vigjilent dhe krijues në fushën ku investojmë. Shëndeti gjithashtu përmirësohet, ndërsa çdokush vëre se sa shumë është i lidhur me familjarët. Udhëtimi rrit ndjenjën pozitive për familjen. Shën Agostini ka thënë: “Bota është një libër… ata që nuk udhëtojnë, nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë lexuar vetëm një faqe të tij”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top