Psikofakt

October 29, 2015 | 9:37

Kush vendos?

MondiNga Edmond Tupja

 Termi “vendimmarrje” është relativisht i ri në fjalorin e gjuhës shqipe, por denduria e përdorimit të tij është e lartë, sidomos në gojën e penën e politikanëve, por jo vetëm të tyre. Nga pikëpamja sociologjike, ky term është i pranishëm gjithashtu në të gjitha strukturat e jetës shoqërore, pra edhe familjare. Teorikisht, madje në rastin shqiptar jashtëzakonisht teorikisht, në gjirin e familjes duhet të vendosin të rriturit, pra, prindërit, kur fëmijët ende nuk janë në moshë për të kuptuar siç duhet realitetin që shenjon termi në fjalë. Kur këta ndërgjegjësohen pak a shumë në këtë drejtim, atëhere është e udhës që, gradualisht, të pëfshihen në vendimmarrjet që kanë të bëjnë me tërë sferat e jetës familjare e më tej.

Mirëpo, në fakt, familjet shqiptare ende bartin si gjyle të lidhura në shpirt gjurmë patriarkalizmi dhe, shpesh mashkullizmi; në gjirin e tyre fjala “vendimarrës” nuk ka gjini femërore ngaqë vendimet merren automatikisht nga burrat, sidomos nga ata gratë e të cilëve janë tërësisht shtëpiake, kryesisht në malësi e zona fshatare, por edhe në qytetet e vogla të asaj që quhet Shqipëria pa Tiranën dhe pa, pjesërisht, pesë a gjashtë qytete të tjera (madje, kur themi “pa Tiranën”, do të ishte më e saktë të vinim pikat mbi “i” duke shkruar: “pa qendrën e Tiranës”). Përballë këtij realiteti, në çdo familje lind nevoja e përcaktimit dhe zbatimit të një strategjie për të ndërgjegjësuar çdo pjesëtar të saj, përfshirë edhe fëmijët, për nevojën e përfshirjes së këtij ndërgjegjësimi në procesin e edukimit dhe/ose të riedukimit. Po, duhen (ri)edukuar fëmijët, qysh në fillimet e adoleshencës, me idenë që në familje askush nuk ka të drejtë, kur bëhet fjalë për të marrë vendime të rëndësishme (aspak të tipit “Ç’do të hamë sot në drekë?”), të imponojë mendimin e tij/saj pa e diskutuar atë paraprakisht me bashkëshorten/in, me gjyshen/in dhe vajzën/djalin. Kjo mënyrë të vepruari lë gjurmë edhe te fëmijët e moshës parashkollore sepse kur ata vërejnë, qoftë edhe për tema apo probleme që ende nuk i kuptojnë qartë, se në familje mendimet rrihen dhe nuk imponohen, atëherë ata mësohen pak e nga pak me frymën e dialogut e të tolerancës, çka, me shumë gjasë, do t’u shërbejë atyre më vonë edhe në jetën jashtë rrethit familjar; kështu, një ditë të bukur, pasi të jenë rritur e të kenë vendosur të krijojnë familje, ata do ta nisin ta zbatojnë vendimmarrjen e përbashkët që në fillesat e çiftit të tyre për ta shtrirë atë te fëmijët që do të vendosin bashkërisht të sjellin në jetë.

Nga ana tjetër, ky lloj demokratizimi i mendimmarrjes në familje bëhet edhe më i frytshëm për të ardhmen e tyre kur shoqërohet me demokratizimin e vendimmarrjes edhe në shkollë, madje jo vetëm për veprimtaritë e organizuara jashtë procesit mësimor, por edhe, pse jo, gjatë vetë orës së mësimit, sigurisht në bashkëpunim me vetë prindërit e nxënësve dhe psikologen/un e shkollës.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top