Mirëqenie

November 6, 2017 | 10:26

Desar Sulejmani, magjia e një pianisti që këndon me tingujt e pianos

Nga Orjona Tresa

Kjo është nga ato lloj intervistash që nuk duhen lënë pa lexuar. Vijnë si narracion i një romani të mirë letrar, që përveçse të plotëson shijet letrare, mundesh të përfshihesh në një botë të pasur ndjesish. E këto ndjesi janë gjurmë që mbeten në kujtesë, duke i dhënë çastit një ndryshim pozitiv për vazhdimësinë e ditës. Ajo që më shqetëson më shumë është fakti se si bota po i merr për vete të talentuarit tanë.

Desar Sulejmani, pianist dhe dirigjent. Foto nga Alexander Vejnovic

Desar Sulejmani, pianist dhe dirigjent. Foto nga Alexander Vejnovic

Pianisti dhe dirigjenti Desar Sulejmani, me një përvojë të shkëlqyer brenda dhe jashtë kufijve, vjen në një rrëfim të pazakontë për jetën e tij muzikore, duke shpalosur talentin e tij në këtë gjini arti. Për lexuesit e revistës “Psikologjia” ai ka një mesazh të rëndësishëm kur thekson se: “Kush merret me art ia di rëndësinë thellësisë, ia di rëndësinë botës shpirtërore”. Në muajin e cilësuar “Tetori Gjerman”, ai ishte pjesë e këtij programi të larmishëm me një koncert bisedë mbi artin vokal në literaturën pianistike. “Duke luajtur në piano, kam arritur një nivel të ri komunikimi me publikun”, pohon Desari. Sipas tij: “Muzika, arti duhet të jenë pararojë dhe bashkërendës të njeriut, duhet të lidhin njerëzit e kësaj bote me atë fillin e tyre magjik për të qenë pjesë e një bote më të mirë, të një bote më paqësore dhe mbi të gjitha, të mbushur me dashuri për njëri- tjetrin”.

INTERVISTA

Si ishte ky muaj për ju, çfarë mesazhi përcollët?

Fundtetori i këtij viti ishte një kohë mjaft e veçantë për mua. Duke filluar nga data 16 tetor, rrugëtimet e mia artistike kishin një qasje mjaft domethënëse, kishin lidhjen mes artit tim pianistik në disa nga qytetet e njohura të trevave shqiptare, në formën e koncerteve të përditshme. Kam pasur kënaqësinë e madhe që të takoj shumë njerëz, miq të vjetër, e të bëj miq të rinj në këtë kohë shumë intensive artistike.

Muzika si mjet komunikimi, sa e ndjeni në koncertet tuaja?

Koncertet e mia janë të mbushura me emocione muzikore, me të cilat unë vazhdimisht komunikoj me publikun. A nuk është kjo edhe detyra më e shenjtë e një muzikanti/artisti që ndan skenën, ndan afërsinë e emocioneve personale, botëkuptimin e tij me publikun, me artdashësin? Pikërisht ky aspekt i artit të të koncertuarit është edhe nga më magjikët në gjithë qenësinë time si njeri i muzikës, artit, si një njeri që tingullin dhe forcën artistike të tij e ka si ndjesinë e tij më të madhe.

Foto nga Arben Llapashtica në Prishtina Concert "METAMORPHOSES II" of the Festival Symphonic Or

Foto nga Arben Llapashtica në Prishtina Concert “METAMORPHOSES II” of the Festival Symphonic Or

“Pianoja që këndon” ishte titulli i një prej aktiviteteve. Pse pikërisht kështu?

“Pianoja që këndon” është një format i ri koncertal pianistik, i cili ka në bazë të tij të paktën dy elemente tërësisht aktuale. Së pari, kemi të bëjmë këtu me një repertor pianistik, baza e të cilit lidhet ngushtë me artin vokal, zërin e njeriut. Pjesët e zgjedhura për këtë program janë përshtatje pianistike të romancave vokale, në të shumtën e rasteve nga periudha romantike e botës gjermanishtfolëse. Këto melodi, motive të njohura nga Robert Schumann, Felix Mendelssohn – Bartholdy, Mihail Glinka, Franz Schubert, janë përshtatur dhe sjellë në formën e pjesëve virtuoze pianistike nga virtuozët e njohur të asaj kohe si p.sh: Franz Liszt, Mili Balakiriev apo Sigismund Thalberg. Ndërkohë që melodi të njohura operistike të kompozuara nga Gaetano Donizetti, Giuseppe Verdi, të sjella këtu në formën e pjesëve të fuqishme koncertale pianistike, janë po gjithashtu pjesë e këtij formati koncertal. Së dyti, unë në këto koncerte kam folur, kam shpjeguar, pra komunikuar edhe me zë me publikun. Duke folur për kohën, stilin, mënyrën e veçantë të përshtatjeve pianistike nga motivi origjinal, unë me programin “Pianoja që këndon” – Meloditë vokale këndohen nëpërmjet gishtave të pianistit, duke luajtur në piano – kam arritur një nivel të ri komunikimi me publikun. Është ky element i veçantë, i cili përbën edhe një nga momentet me interesante përgjatë këtyre koncerteve, sepse kam parë se sa e rëndësishme është një përgatitje mendore, ideore dhe emocionale e publikut përpara se pikërisht ky artdashës më pas të ndjejë më shumë, më afër muzikë që unë luaj.

Desar Sulejmani, foto nga fëmijëria si nxënës në shkollën e muzikës "Prenk Jakova, Shkodër

Desar Sulejmani, foto nga fëmijëria si nxënës në shkollën e muzikës “Prenk Jakova, Shkodër

Sa vite keni që merreni me muzikë dhe kujt ia dedikoni përfshirjen në të?

Hmmmm, fizikisht janë aty diku rreth 35 vjet, nga mbushja shpirtërore më duket sikur kam të paktën 100 vite të tjera që merrem me botën e tingujve. Muzika është një element i cili e mbush çdo njeri që merret me të, aq më tepër ne muzikantet, të cilët e trajtojmë çdo aspekt të saj, e hulumtojnë brendësinë e saj deri në fund, drejt një qëllimi sublim, komunikimit ndjesor me publikun. Mbaj mend që në vogëlinë time, edukatorja ime e kopshtit i sugjeronte prindërve të mi, që unë të vazhdoja shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Shkodër. Ndoshta ky insistim i saj ka qenë shkëndija e vogël e asaj mbështetjeje të vazhdueshme që unë më pas e kam pasur në gjithë rrugëtimin tim artistik. Të merrem me muzikë, në botëkuptimin tim është një mision i jetës sime dhe në planin e përgjithshëm, ky dedikim i përket kujtdo që është pjesë e tij përgjatë koncerteve apo aktiviteteve të mia artistike. Unë i jam mirënjohës pedagogëve të mi të shumtë në Shqipëri, Gjermani, Angli e kudo ku ato ndodhen. Janë ata që kanë bruajtur tek unë shije të mira artistike, për të më lënë më pas të lirë në individualitetin tim si muzikant apo artist. Dedikimin më të madh e kam për njerëzit e mi të afërt në familje, pa mbështetjen e të cilëve unë sot padyshim nuk do isha këtu ku jam. Sakrificat e tyre të përhershme kanë bërë që rruga ime artistike të jetë përherë e hapur. Është mendimi për to, i cili më jep gjithmonë forcë për të ecur përpara.

Cila është jeta juaj artistike në botë dhe momenti më i bukur?

Jeta ime artistike në Gjermani, trevat shqiptare si dhe në shumë shume vende të ndryshme të botës, është një proces i përhershëm i një muzikanti profesionist, i cili kërkon gjithmonë më të mirën nga vetja dhe bashkërendësit e tij.  Kudo që unë anëbotës kam pasur mundësi dhe fat të ndodhem, e kam parë artin tim si një mesazh universal: Muzika, arti duhet të jenë pararojë dhe bashkërendës të njeriut, duhet të lidhin njerëzit e kësaj bote me atë fillin e tyre magjik për të qenë pjesë e një bote më të mirë, të një bote më paqësore dhe mbi të gjitha, të mbushur me dashuri për njëri- tjetrin. Sidomos në kohët e sotme ku shpejtësia e jetës, vrulli i përditshmërisë, shpeshherë i papërballueshëm nga qenia njerëzore. Në një kohë, kur presioni i përhershëm shoqëror është pjesë e një jete intensivisht materialiste, muzika në veçanti si dhe arti në përgjithësi janë ato frenuesit, katalizatorët e përbotshëm kundër lënies së vetes në dorën e materializmit, botës së konsumit dhe sipërfaqësisë shoqërore. Kush merret me art ia di rëndësinë thellësisë, ia di rëndësinë botës shpirtërore.

Momentet e mia më të bukura janë atëherë kur ndjej që komunikimi artistik me publikun ka qëlluar në shenjë, atëherë kur shoh njerëz që më vijnë e takojnë, shpeshherë me sy që shkëlqejnë nga një kënaqësi artistike që ato kanë marrë nga muzika ime.

desari

Pianist dhe dirigjent, si është t’i bashkërendoni të dyja?

Unë ndihem me fat që mundem akoma t’i zhvilloj këto dy degë të rëndësishme të miat si artist, akoma me intensitetin e barabartë. Pianisti dhe dirigjenti, si dy degë të një profesioni mjaft kompleks, plotësojnë njëri-tjetrin tek Desari. Ato më japin gjithmonë energji të ndryshme, më tregojnë rrugë të reja, të veçanta, plot të papritura të këndshme ideore, plot zbulime thesaresh tingëllore përgjatë hulumtimeve të mia artistike. Të qenit pianist më bën mua një dirigjent më të vëmendshëm ndaj detajit artistik, ndaj lojës muzikore të kontrolluar maksimalisht. Të qenit dirigjent i jep botëkuptimit tim pianistik një dimension më të gjerë, më të plotë tingëllor e përmbajtjesor.

Cili është kulmi i karrierës tuaj artistike dhe cilat janë planet në vazhdim?

Të flasësh për kulmet e një karriere artistike në moshën time, në botëkuptimin tim artistik është një detaj i parakohshëm. Unë kam pasur fatin që të kem momente kulminacioni artistik dhe mbushjeje shpirtërore në Gjermani, Japoni, Afrikë të Jugut, Francë, Holandë, Uzbekistan, etj., sikurse edhe në Shqipëri, Kosovë e më gjerë në Ballkan. Për mua çdo dalje skenike, çdo lidhje emocionale me publikun nëpërmjet artit tim shkon në kulminacion të përjetimeve emocionale artistike.  Dhe kështo do të vazhdojë edhe në planet e ardhme, atje ku ato do zhvillohen në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. (Gjermani, Francë, Spanjë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bullgari).

Foto nga Ulrike Schumann

Foto nga Ulrike Schumann

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top