Lifestyle

July 28, 2016 | 10:45

Dëshmi/ Diana Avdiu: Thjeshtësia, bukuria e vërtetë!

Me origjinë nga Mitrovica, bukuroshja Diana Avdiu, ka arritur të bëjë për vete jurinë prestigjioze të Miss Universit 2012, ku, midis 89 pretendenteve, u shpall si portreti më fotozhenik. Aktualisht, Diana jeton në Prishtinë bashkë me familjen e saj. Karrierën në modeling e ka filluar që 15 vjeçe dhe aktualisht studion për regjisurë në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Pas diplomimit ajo shpreson të jetë një regjisore e zonja. Për sekretet e bukurisë dhe një look perfekt e kemi pyetur edhe ne…

Ke pasur fatin të lindësh e bukur, por si e ndihmon ti natyrën që është treguar kaq bujare me ty?

Mundohem të jem sa më e organizuar në jetën e përditshme. Kujdesem me ushqimet, bëj shumë palestër, vrap dhe nuk e teproj asnjëherë me oraret e vona. Sigurisht, natyra më ka dhënë avantazhin e bukurisë, por kujdesi i vazhdueshëm për trupin dhe fytyrën më ndihmon të ndihem mirë me veten duke treguar respekt për atë që më ka falur natyra (Perëndia).

Ke një ritual të përditshëm dedikuar bukurisë? Sa kohë shpenzon për këtë?

Hidratimi i lëkurës është hapi i parë që ndërmarr çdo mëngjes. Për mua ky është aspekti më i rëndësishëm për sa i përket kujdesit për veten. Një lëkurë e hidratuar tregon shëndet. Jam natyrë shumë e thjeshtë. Në jetën e përditshme nuk përdor shumë make up, por më mjafton një buzëkuq dhe lapsi i syve. Nuk shpenzoj shumë kohë, pasi mendoj se thjeshtësia është ajo që e zbukuron njeriun.

A mund të na rrëfesh se cilat janë produktet që përdor? Cilat janë preferencat e tua sa i përket parfumeve, kremrave, buzëkuqit etj?

Nuk jam aq e dhënë pas kozmetikës sa jam e dhënë pas rrobave. Kam pasur rastin të provoj shumë, por markat e mia të preferuara janë Versace dhe D&G, sidomos parfumet e tyre që mua më krijojnë idenë e identifikimit me aromat e tyre. Ndërsa sa i përket kremrave, përveç atyre hidratues, ende nuk e ndiej të nevojshëm përdorimin e tyre në përditshmëri, ndoshta sepse jam vetëm 19 vjeçe.

Disa sugjerime për stinën e pranverës?

Sugjerimet e mia për të paraprirë stinën e pranverës janë një hidratim intensiv i trupit, i cili pas dimrit është disi i plogësht. Konsumoj të paktën 2 litra ujë në ditë, kryej aktivitet fizik sidomos në ajër të pastër, gjë që më ndihmon jo vetëm trupin, por edhe psiqikën për t’u ndier më e freskët. Gjithashtu pëlqej shumë edhe përdorimin e aromave pranverore me bazë lulesh.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.70

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top