Psikofakt

April 5, 2016 | 9:42

Jam gruaja e…

MondiNga Edmond Tupja

Troket në derën e departamentit im. Hyn dhe përshëndet me shumë mirësjellje. Pastaj, drejtohet nga unë, më zgjat dorën dhe prezantohet duke shtuar, aty për aty: “Jam gruaja e Gonit… E Agron X-it.” Dhe, pothuajse natyrshëm, biseda hyn në hullinë e saj. Kaq. Asgjë tjetër për të shtuar. As për të hequr. Kur largohet, e përcjell deri te dera dhe i them, për mirësjellje: “Të fala Gonit”. Jo rrallë, gratë, d.m.th. bashkëshortet e mjaft prej të njohurve të mi, të cilat dëshirojnë të më takojnë për një problem të çfarëdoshëm, më prezantohen në këtë mënyrë: “Jam gruaja e filanit”. Asnjëra prej tyre nuk më thotë të paktën: “Jam bashkëshortja e filanit”. Dhe këtu lind problemi. Por unë pres edhe më keq. Të më thonë, për shembull, “Jam nusja e filanit”, “Jam nëna e fëmijëve të filanit” etj., etj.. Më kot kam pritur, pres e do të pres që, të paktën, të më thonë: “Filani është burri im” ose “Unë kam për burrë filanin”. Jo, jo dhe jo. Me sa duket, femra shqiptare, sigurisht, me përjashtime, veçse të pakta në numër (në Tiranë ndoshta apo jashtë shtetit, në ato vende ku femra gëzon konkretisht frytet e barazisë gjinore), shpesh ende identifikohet nëpërmjet bashkëshortit të saj. “Jam gruaja e filanit”…

Të jetë vallë kjo thjesht një shprehje e zakonshme, një stereotip, klishe, shabllon, formulë e ngrirë e trashëguar me gjasë nga e kaluara jo fort e largët patriarkale ose fetaro-obskurantiste? Po sikur, me ndihmën e psikologëve (nuk po flas për psikanalistë), të kridheshim diku thellë në nënvetëdijen e bashkëshorteve shqiptare, qoftë edhe nga më të emancipuarat, ç’të papritura do të zbulonim vallë? Me siguri, një kompleks inferioriteti të cilin jo vetëm meshkujt shqiptarë ua ushqejnë bashkëshorteve të tyre, por edhe vetë këto të fundit, dashur pa dashur, ia ushqejnë vetvetes duke iu nënshtruar në këtë mënyrë disa formave të stërholluara të një mashkullizmi rrënjëthellë. Po përse ndodh kështu? Kam përshtypjen se analiza e kësaj dukurie në botën e qytetëruar, e emancipuar, tashmë mbështetet prej dekadash në disa faktorë të ndërvarur, historikë, kulturorë, sociologjikë, psikologjikë e psikanalitikë, dhe se një literaturë e bollshme ekziston në këtë drejtim falë edhe ligjeve të nxjerra në këtë kuadër.

Megjithatë, edhe në vendet më të zhvilluara, gratë kanë probleme identifikimi, natyrisht jo aq të shpeshta e të mprehta sa te ne, në Shqipëri, por që dëshmojnë se rruga drejt emancipimit femëror nuk është e shtruar me lule. E di, jam i bindur e i sigurt, që nesër, pasnesër, pas një jave, një muaji apo një viti, përsëri, kur të trokasë dera në departamentin tim dhe unë të shoh të hyjë një grua qytetare, të emancipuar, të kulturuar, ajo do të më prezantohet me emër e mbiemër duke shtuar aty për aty: “Jam gruaja e filanit”, pastaj do të më parashtrojë arsyen e vizitës së saj, por unë, pasi ta kem sqaruar, do të kem një dëshirë gati të papërmbajtshme për të mos i thënë, duke e përcjellë te dera: “Të fala tët shoqi”, madje as “Të fala nga shtëpia”, që ajo ta ndiejë, ta kuptojë që duhet të jetë vetvetja, sepse është në nderin e saj që të mos identifikohet më nëpërmjet bashkëshortit.

Botuar në revistën Psikologjia, Qershor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top