Marrëdhënie

July 7, 2016 | 8:21

Dëshmi/ Nora Klosi: Mama me kohë të plotë!

1Jeta ime ka ndryshuar krejt… Asgjë nuk ka lidhje tani me periudhën para ardhjes në jetë të Aronit dhe vajzës, Amlës, vetëm gjashtë muajshe. I gjithë kursi i përditshmërisë dhe angazhimeve të mia të momentit ka ndryshuar kah, sepse të marrit me të dy fëmijët njëkohësisht është një sipërmarrje më vete. Tashmë, vërtet që e ndiej veten nënë me kohë të plotë. Nëse kur kishim vetëm djalin mund t’i menaxhonim disi situatat, edhe mund të “arratiseshim” bashkë me Blendin në ndonjë aventurë fundjave me miqtë tanë të për – bashkët, tani nuk ka më shanse. Mua më pëlqen ky stil i ri jetese, sepse natyrisht është një përvojë e re edhe për mua. Ndihmesa e sime mëje ma ka zbutur peshën e lodhjes së paevitueshme, por edhe angazhimi atëror i Blendit ka rëndësinë e vet, ndonëse që të jem e ndërgjegjshme po flasim për periudhë paraelektorale dhe ikjet e tij të zgjatura në kohë nga shtëpia janë të dukshme. Megjithëse lodhja më takon mua, kjo nuk do të thotë se nuk di të ekuilibrojë pozitat e mia, nga ato si nënë tek ato si bashkëshorte. Tani që ka ardhur në jetë vajza, Amla, më duket sikur kanë ndryshuar për mirë edhe shumë detaje në çiftin tonë. Nuk ka asfare vend për pezmatime, apo monotoni. Përkundrazi, vetë cikli dhe aktiviteti ynë ditor nuk na lë kohë të lirë që të merremi me cingërrima. Secili nga dy fëmijët do kohën dhe përkushtimin e vet. Sepse gjatë gjithë kohës duhet të jemi me antena të aktivizuara për t’i dhënë zgjidhje njërit apo tjetrit, për të përkëdhelur djalin apo vajzën, për t’i folur Aronit, apo për të pushuar së qari Amlën… Çdo gjë është në funksion të tyre tanimë, por kjo nuk na pengon ne të dyve që të gjejmë balancat dhe harmoninë në çift, për të mos u bërë kështu “peng” i katër mureve të shtëpisë. Që të jem e sinqertë, dikur shquheshim për frekuentimin e jetës së natës… Sot i jemi distancuar kryekëput asaj, jo vetëm ngaqë besoj se është çështje moshe dhe se nevoja për të pushuar dhe argëtuar vjen ndryshe në kohë të ndryshme, por edhe për faktin se e gjithë bota dhe vëmendja jonë janë vetëm dy fëmijët tanë. Mundohemi herë pas herë të shkëputemi nga Tirana, ndoshta një herë në muaj. Por ama edhe kur kjo ndodh, gjithmonë djalin e kemi me vete. Unë besoj në teorinë se fëmijët nuk janë asnjëherë faktorë pengues në mbarëvajtjen e një marrëdhënieje në çift, përkundrazi. E konstatoj edhe tek im shoq, mënyrën se si ai më sheh tani që jam bërë nënë dhe kam sjellë në jetë dy fëmijë. Dashuria forcohet me ardhjen në jetë të fëmijëve, sepse ata janë as më shumë e as më pak, por fryti më i përkorë i asaj ndjenje që i bashkon dy njerëz në një lidhje, e më vonë në martesë. Jo më larg se sot në mëngjes, Blendi më mori në telefon, pasi kishte lënë djalin në kopsht. Dhe ajo çfarë më shprehu ishte vetëm mirën – johja dhe falënderimi i tij për fëmijët që kam sjellë në jetë, duke plotësuar kështu kuadrin e familjes dhe duke i dhënë të tjera ngjyra raportit tonë. Jam e bindur se Aroni e ka bërë për vete me ato “bisedat” e moshës, duke e gajasur së qeshuri dhe duke e qasur pa kushte Blendin në botën e tij fëminore. Pikërisht këto copëza të përditshmërisë e tjetërsojnë edhe partnerin, e mbushin me motiv pozitiv për t’i parë gjërat ndryshe, e duke vlerësuar fëmijët, njëherësh të ka vlerësuar edhe ty si partneren që ka zgjedhur të ketë në krah. Ndaj, me dy fëmijët tanë të mrekul – lueshëm, mes meje dhe Blendit nuk ka vend për monotoni…

Botuar në revistën Psikologjia, nr.71

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top