Në fokus

September 27, 2016 | 7:54

Tipologjia e martesave

Funksionet dhe karakteristikat e një martese lidhen me kulturën dhe mund të pësojnë modifikime në kohë. Përgjithësisht janë dy kategori: martesa ligjore (civile) dhe martesa fetare, ose një kombinim i të dyjave (martesa fetare njihet nga organet shtetërore, kurse ajo civile respektohet më pak pa ceremoninë fetare). Martesat midis njerëzve me fe të ndryshme quhen martesa inter-fetare, ndërkohë që konvertimi martesor, një koncept mjaft i diskutuar, ka të bëjë me kalimin të njërit prej partnerëve te besimi fetar i tjetrit. Në Amerikë dhe Europën e shekullit XXI, martesat e njohura ligjërisht janë ato monogame, megjithëse janë shoqëritë ato që pranojnë poligaminë si fenomen shoqëror, jo ligjor ku disa prej çifteve hyjnë në të ashtuquajturën “martesë e hapur”. Në këto shoqëri, ndarja pranohet lehtësisht. Në Azi dhe Afrikë lejohet poligamia, ku një burrë mund të mbajë më shumë bashkëshorte, shenjë e pushtetit dhe pasurisë së tij. Statusi i tyre varion nga një shoqëri te tjetra.

Martesa e rregulluar

Është martesa kur një person tjetër zgjedh çiftin që nuk e kanë njohur njëri-tjetrin më parë. Këto lloj martesash bëhen nga familjet aristokrate në mbarë botën. Kjo lloj martese vazhdon edhe në ditët e sotme në Pakistan, Indi, Bangladesh, Afrikë, Azi Lindore dhe vendimin e marrin prindërit ose një anëtar i moshuar i familjes.

Martesa midis minorenëve

U referohet në përgjithësi dy fenomeneve shoqërore të ndara, por që ende praktikohet. E para dhe më e njohura është martesa e një fëmije nën 15 vjeç me një të rritur. Për shkak të kohës së shkurtër që ka femra për t’u riprodhuar, kjo praktikë ka si synim martesat e vajzave të reja me burra më në moshë. Praktika e dytë është një formë “martese e rregulluar” midis dy fëmijëve, të cilët vijnë nga familje të ndryshme. Çifti takohet në ditën e ceremonisë, e cila zhvillohet kur ata të dy arrijnë në një moshë për martesë të ligjshme.

Martesa “fantazmë”

Në traditën kineze kjo është një martesë kur njëra ose të dyja palët kanë ndërruar jetë. Ky tip martese praktikohet në Sudan, Indi. Këto martesa janë të organizuara nga familja e të vdekurit dhe ka disa arsye, midis tyre: martesa e dy të rinjve e rënë dakord përpara vdekjes së tyre, për të siguruar që linja e familjes të vazhdojë, ose për të siguruar që asnjë nga vëllezërit më të rinj të martohet përpara më të mëdhenjve.

Martesa “e pranuar”

Praktikohet në disa vende të Amerikës duke qenë një formë ligjore, kur çifti është dakord të marrë këshillim para-martesor dhe të pranojë disa limite të vendosura në rast divorci. Rregullat e kësaj martese promovojnë besimin se martesa nuk është thjesht një kontratë midis dy individëve, por baza e familjes dhe shoqërisë. Nuk është as civilizim dhe as progres.

Endogamia

Është praktika e martesave me anëtarë të të njëjtit grup etnik, klasë apo grup shoqëror, duke përjashtuar persona të tjerë. Praktikohet në judaizëm, romët, dëshmitarët e Jehovait, mormonët. Është një praktikë e zakonshme në kultura të ndryshme. Disa grupe etnike fetare janë tradicionalisht endogamë, por ka raste kur pranojnë të lidhen në martesë edhe me persona jashtë grupit të tyre shoqëror, nëse ata pranojnë të përqafojnë fenë së cilës i përkasin. Është një formë konservative dhe ndihmon komunitetin t’i rezistojë asimilimit të popullatave përreth.

Ekzogamia

Ekzogamia biologjike njihet si procesi i çiftëzimit midis partnerëve që nuk kanë asnjë lidhje farefisnore. Ekzogamia kulturore i referohet kryesisht marrëdhënies së partnerëve që nuk kanë lidhje gjaku, për të përjashtuar trashëgiminë te fëmijët e një gjeni gjenetikisht të quajtur si anomali.

Martesa në grup

Është një martesë multilaterale, ku më shumë se dy persona formojnë një familje dhe ku të gjithë anëtarët konsiderohen si të martuar midis tyre dhe ndajnë të njëjtat përgjegjësi prindërore. Në Hawai, martesa e fiseve përfshin më shumë vëllezër të martuar midis tyre dhe me bashkëshortet e tyre.

Martesa “lavender”

Është një martesë e realizuar në mënyrë konvencionale midis një gruaje dhe një burri, ku partnerët nuk janë të dy heteroseksualë dhe pranojnë orientimet homoseksuale dhe biseksuale të njëri-tjetrit.

Martesa “morganitike”

Është një martesë midis dy partnerëve me status shoqëror jo të barabartë, por pa ia kaluar pasurinë bashkëshortes dhe fëmijëve. Njihet edhe si martesa “me dorën e majtë”, sepse gjatë ceremonisë martesore burri e mban bashkëshorten e tij të ardhshme me dorën e majtë.

Martesa e hapur

I referohet pikërisht martesës ku partnerët bien dakord të angazhohen në marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore, pa i konsideruar ato si tradhti.

Martesa pas vdekjes

Kur një nga partnerët ka ndërruar jetë. Është e ligjshme në Francë, Sudan dhe Kinë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Franca ka pasur qindra kërkesa çdo vit. Nëse çifti ka planifikuar të martohej kohë më parë dhe familja e të vdekurit pranon, kërkesa shkon te presidenti i vendit për miratim.

Martesa “shim-pua”

Në Taiwan ka një traditë ku një familje e varfër mund të shesë vajzën e saj për të pasur sa më shumë fëmijë me burrin që do ta blejë.

Martesa “sororati”

Është një tip martese, kur bashkëshorti mund të martohet dhe të ketë marrëdhënie seksuale me motrën e bashkëshortes, nëse nusja e tij nuk mund të ketë fëmijë ose ka ndërruar jetë. Praktikohet në Alaskë, Kanada dhe Groenlandë.

Martesa maj-dhjetor

Është një zgjedhje jokonvencionale, kur një prej partnerëve është shumë më i moshuar krahasuar me tjetrin. Diferenca e moshës që merret në konsideratë është 11 vjet. “Maji” i referohet burrit më të ri, në pranverën e jetës së tij, ndërsa “dhjetori” atij më të moshuar.

Martesa midis kushërinjve

Ka shumë polemika që lidhen me këtë martesë, sidomos për sa u përket pasojave që mund të ketë te fëmijët dhe te statusi i tyre ligjor. Disa vende dhe Amerika i pranojnë martesat midis kushërinjve, të tjerat jo.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top