FB

January 29, 2022 | 8:12

Dhimbja cervikogjene, apo dhimbja e kokës me origjinë nga qafa. Shkaktarët dhe trajtimi i duhur!

 

Sa herë ju ka ndodhur që pas një qëndrimi të gjatë, ndoshta dhe me orë pa lëvizur nga vendi, të ndjeni një dhimbje të tmerrshme koke. Aq sa ndonjëherë duket se ju përfshin gjysmën e fytyrës. Tentojmë aty për aty të përdorim një nga mjekimet e shpejta që lehtësojnë për momentin dhimbjen, por pas pak kohe ajo rikthehet e njëjtë. Tentojmë gjithaq të shtensionojmë muskujt e qafës duke provuar fërkimin e muskujve rreth saj, për ta lehtësuar dhimbjen. Por edhe kjo alternativë është e pashpresë. Dhimbja bëhet e padurueshme. Por cili është burimi i saj, nga se shkaktohet, çfarë duhet të bëjmë për ta lehtësuar dhe për të parandaluar pasoja më të rënda?

3

Çfarë është dhimbja e kokës me origjinë nga qafa?

Na ka ndodhur të gjithëve të vuajmë nga dhimbjet e kokës, dikush më pak e dikush më shumë. Shpesh nuk e dimë pse na dhemb koka, dhe veprimi i parë është të marrim një qetësues, na lehtëson disa ditë dhe na kthehet përsëri, përsëri marrim qetësues, na bëhet rutinë. Por rrallë e mendojmë të kërkojmë shkakun. 

1

Nga Fitim Sinani, fizioterapist

Rutina e ditës na rrëmben dhe e humbasim fillin, thjesht marrim qetësues, derisa bëhemi të varur prej tyre. Ndodh shpesh që shkojmë te mjeku, marrim një recetë me shumë medikamente, i pimë ato e pasi i mbarojmë, kuptojmë që dhimbja është akoma aty, nuk ka ikur, pavarësisht se në raste të caktuara shërohemi. E gjitha kjo ka të bëjë me diagnozat diferenciale, d.m.th. zbulohet shkaku i dhimbjes dhe korrigjohet. Në rastin e dhimbjes cervikogjene, shkaku është te qafa. Ajo është burimi i dhimbjeve. Për këtë arsye ne nuk e zgjidhim dhimbjen cervikogjene duke përdorur qetësues, sepse nuk korrigjojmë shkakun, por thjesht e vendosim në gjumë dhimbjen për pak kohë derisa ajo të zgjohet përsëri.

Në fakt, dhimbja është një alarm ashtu siç vendosim alarmin në mëngjes që të zgjohemi për të shkuar në punë. Të njëjtin rol ka edhe dhimbja. Është alarmi që duhet të na zgjojë për të shkuar te mjeku.

Nëse në mëngjes e fikim alarmin dhe flemë më shumë gjumë, shefi do na bëjë kritika. E njëjta gjë te dhimbja, nëse pimë një qetësues, thjesht kemi fikur alarmin (dhimbjen), por kritika nga trupi ynë do t’i marrim, po kështu edhe nga mjeku kur të shkojmë tek ai. Kjo sepse ne i kemi dhënë avantazh sëmundjes, e kemi ndihmuar që ajo të avancojë, e nëse e lejojmë të ndodhë kjo gjë, vjen një moment që ajo mund të fitojë dhe ne të dorëzohemi përballë saj.

0

Ku ndryshon nga dhimbjet e tjera të kokës?

Një shenjë karakteristike e dhimbjes cervikogjene është se ajo shfaqet pas një lëvizje të papritur të kokës, ose shfaqet kur koka juaj ka qëndruar për një kohë të gjatë në të njëjtin pozicion. Gjithashtu, dhimbja cervikogjene fillon në pjesën e qafës, pastaj në pjesën e pasme të kokës e më pas përhapet, karakterizohet nga një dhimbje e qëndrueshme që nuk të lehtëson. Shtohet me lëvizjet e qafës ose kur teshtin apo kollitesh. Po kështu ka edhe shenja që janë të ngjashme me migrenën, si p.sh, që acarohet nga zhurmat e mëdha, nga ambientet me ndriçim të lartë, të vjella apo një shikim të turbullt. Diferencimi bëhet nga mjeku specialist nëpërmjet testeve ekzaminuese, të cilët ndihmojnë në arritjen e një përfundimi. Në rastet e dhimbjeve cervikogjene, testet do të jenë pozitivë për qafën.

 

Si paraqitet ajo, cilat janë shenjat?

Dhimbja cervikogjene fillon në dhimbje dhe ngurtësi në qafë. Personat që vuajnë nga kjo dhimbje kanë kufizim në lëvizjet e kokës, lëvizjet e qafës janë të zvogëluara, muskujt e qafës mund të jenë të kontraktuar dhe këtë personi e dallon duke prekur muskujt e qafës në të cilën dallon që muskujt janë si gurë (shprehje karakteristike e pacientit). Dhimbja më pas përshkon regjionin e kokës, në njërën anë duke shkuar deri në zonën e ballit, përfshin dhimbje në njërin sy ose mund të japë dhimbje në njërën anë të fytyrës. Këto dhimbje shkojnë njëra pas tjetrës. Gjithashtu, pacienti mund të ndiejë dhimbje në regjionin e supit,e shpesh dhimbja mund të përshkruajë edhe njërën gjymtyrë d.m.th. krahun.

5

Cilat janë shkaktarët?

Burimi i dhimbjes cervikogjene, siç e kam thënë më lart, është qafa. Problemet që përfshijnë vertebrat cervikale (të cilat janë 7), e kryesisht vertebrat C2-C3 janë burimi kryesor i dhimbjes. Këto probleme në qafë vijnë nga faktorë të ndryshëm, ku mund të përmendim disa të tillë si: postura, lëvizjet e gabuara, traumat, infeksionet, tumoret, artriti. Këto janë disa nga shkaktarët, por do t’i jepja më shumë rëndësi posturës, qëndrimit tonë të përditshëm si një nga shkaqet kryesore të kësaj dhimbje.

Qëndrimi i gabuar mund të na jetë bërë zakon, por nëse nuk e kuptojmë dhe nuk e korrigjojmë, i kemi dhënë avantazh fillimit të dhimbjes së kokës.

Janë disa profesione që e kanë të detyruar që muskujt e qafës t’i kontraktojnë për shkak të pozicionit që duhet të mbajnë kokën, i tillë është pozicioni që ka një parukiere, e cila detyrohet nga puna që koka e saj të mos jetë në pozicionin normal të saj, ose kur qëndrojmë ulur dhe punojmë në kompjuter, apo qëndrimi për orë të tëra në celular na detyron që koka jonë të qëndrojë për orë të tëra dhe të përsëritur çdo ditë do na sjellë disbalanca muskulare në regjionin e qafës e jo vetëm.

Në rastet e disbalancimit muskulor, ndodh që njëri grup i muskujve të punojë më shumë seç duhet pra më shumë sesa mund të punojë normalisht e nga ana tjetër kemi grupin tjetër të muskujve që janë dembelë, pra punojnë më pak dhe janë më të pafuqishëm kundrejt grupit tjetër që mund të jenë tepër të fuqishëm, të fortë e të kontraktuar. E gjithë kjo disbalancë sjell stres në strukturat përreth të qafës siç janë tendenit, ligamentet, vertebrat apo disqet intervertebrale. Ky stres në këto struktura sjell dhimbjen.

6

Ndodh shpesh që mund të kemi muskuj përreth qafës në barkun e të cilit mund të jetë krijuar një pikë dhimbje (trigger point) e cila mund të referojë dhimbje diku tjetër. Në momentin që kjo pikë preket/palpohet pacienti ka një ndjesi sikur i shpon me një mjet të mprehtë si gjilpërë apo thikë. Një shkak tjetër lidhet me shputën e këmbës, një ndrydhje e kaviljes në moshën e adoleshencës mund të shpie në dhimbje të kokës dhe kjo mund të ngatërrohet me dhimbjet e tjera si migrena.

Arsyeja pse ndrydhja në kavilje shkakton ndonjëherë dhimbje koke shpjegohet nga ajo që ne e quajmë zinxhiri muskular. Muskujt funksionojnë si hallkat e një zinxhiri normal, nëse te zinxhiri na prishet një hallkë, detyrimisht prishet zinxhiri e nuk funksionon. E njëjta gjë ndodh dhe me muskujt, nëse njëri nuk funksionon normalisht, detyrohen edhe të tjerët të funksionojnë në mënyrë të çrregullt. Ndrydhja shkakton një disblancë muskulare tek kërciri, e kjo në mënyrë direkte ndikon në muskujt më sipër, në kofshë, në legen, e transmetohet në kolonën vertebrale, duke shkaktuar ndryshim në biomekanikën e shtyllës e si pasojë të kësaj ndiejmë dhimbje koke.

 

Kush rrezikon më shumë nga këto dhimbje?

Më shumë rrezikojnë personat që e mbajnë kokën në të njëjtin pozicion, pa e lëvizur për një kohë të gjatë të tillë si shoferët, stilistët e flokëve, rrobaqepësit, që koka e tyre qëndron pa lëvizur, e kjo shkakton disbalancë muskulare. Po kështu rrezikojnë personat që kokën e mbajnë përpara trupit, d.m.th koka nuk është në drejtim të drejtë me trupin, por lëviz përpara supeve e qëndron aty. Pra këta janë pozicionet që e dëmtojnë e nëse këto pozicione aplikohen atëherë do të kemi çrregullime e për pasojë dhimbjen.

 

Si mund ta parandalojmë, a kemi mundësi ta paraprijmë?

Këshillë kryesore do të përmendja postuarën. Njerëzit duhet të informohen e të bëhen të ndërgjegjshëm për posturën normale që duhen të kenë. Kur njerëzit të arrijnë të mësojnë posturën normale dhe të kuptojnë se cila posturë të ndikon negativisht në shëndet, atëherë kjo do të jetë arritje dhe parandalimi më i mirë. Për individët që punojnë dhe e kanë të detyruar që koka të qëndrojë në mënyrë anormale, do të këshilloja që këta të bëjnë rutinë në ditën e tyre ushtrime stretchingu (zgjatje) 10 minuta në mëngjes pasi zgjohen. Gjithashtu duhet që pozicioni i kokës në të njëjtin pozitë të qëndrojë maksimumi një orë dhe të bëjnë disa lëvizje fiziologjike të kokës për të shtendosur muskujt.

4

Çfarë këshilloni ju për trajtim?

Në këto raste trajtimi përfshin medikamente që rekomandohen nga mjeku përkatës. Por gjithmonë  mjekimi do të varet nga shkaku që e ka sjellë dhimbjen. Pacientët gjithashtu mund të aplikojnë borsa të ngrohta, masazhe për të relaksuar muskujt.

 

Fizioterapia çfarë roli luan, sa ndikon në zgjidhjen e kësaj problematike?

Fizioterapia është një nga metodat që ndihmon shumë në rastin kur dhimbja e kokës është e vërtetuar që vjen nga qafa pra dhimbje cervikogjene. Është fizioterapisti ai i cili në bazë të shenjave që paraqet pacienti dhe në bazë të ekzaminimeve që kryen arrin në një përfundim që gjen shkakun, pra burimin e dhimbjes. Pasi ka gjetur burimin e dhimbjes, ai/ajo harton një program rehabilitimi që do konsistojë në teknika të ndryshme me qëllim eliminimin e shkakut të dhimbjes.

Teknikat përfshijnë mobilizime të vertebrave, teknikat për zgjatjen dhe lirimin e muskujve, traksione manuale, që janë tërheqje të vogla që bëhet nga Fizioterapist/ja, hidroterapia, që ka të bëjë më terapinë në pishinë me ujë të ngrohtë, duke shfrytëzuar vetitë fizike të ujit, janë manipulimet vertebrale që mundohen të korrigjojnë disfunksionet në artikulacionet e qafës.

Një rëndësi të madhe ka edhe vlerësimi visceral, d.m.th. organet mund të jenë shpesh në disfunksion për arsye të ndryshme dhe mund të jenë shkaku i dhimbjes së kokës. Në këtë rast futet në punë vlerësimi dhe manipulimi visceral për të gjetur shkakun dhe për t’i dhënë zgjidhje. Gjithashtu përdoren edhe aparatura si TENS-i, i cili stimulon disa fibra nervore për të bllokuar sinjalet e dhimbjes.

 

 

Botuar në revistën Psikologjia, Shkurt nr.164

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top