FB

January 29, 2022 | 8:12

Bullizmi ynë i përditshëm dhe zgjidhja e gjithsecilit…

Hundëderri, qafëshkurtri, gjirafa, xhuxhi, xabi, qerosi, lopa, veshllapushi…. Këto e shumë të tjera janë shprehje që i kam dëgjuar pafund që nga koha e shkollës e deri më sot…kudo, si pa të keq, nga njerëz që i thonë më një tallje nënqeshëse, kundrejt njerëzve që në disa raste e tregojnë mërzinë e në disa të tjera mundohen ta kalojnë me të qeshur.

 

Edlira Çepani

Edlira Çepani, juriste, aktiviste e të drejtave të njeriut

 

Po të hedhësh një sy rreth e rrotull, duket sikur me mënyrën si komunikojmë, nuk paska asnjeri “të denjë” mjaftueshëm për të mos u bullizuar rrotull nesh, se njëri është shumë i dobët, tjetri shumë i shëndoshë, njëri me shumë flokë, e tjetri me pak… Duket sikur çdo njeriu i është gjetur qoftë edhe një defekt i vetëm që ka dhe i është bërë simbol i mënyrës si i referohen të tjerët. Po të mendosh që këto më sipër janë vetëm etiketimet fizike të një bullizmi që fshihet pas shakasë dhe një ligësie që fshihet pas nënqeshjes, atëherë e kupton se çfarë presioni vuajmë çdo ditë në një shoqëri ku duket sikur e kemi modeluar komunikimin me bullizëm të inkorporuar natyralisht.

Mjafton të shohësh biseda në prani të fëmijëve të vegjël dhe reagimet e tyre (të pamësuar ende me mënyrën si funksionon shoqëria) dhe kupton se sa thellë kemi lejuar të lëshojë rrënjë kjo lloj sjellje. Në takim me një fëmijë të vogël, shoh një grua që i thotë të ëmës: “Ptu, ptu, ptu sa i shëmtuar qenka” – të dyja qeshin e vazhdojnë bisedën, ndërkohë që fëmija mbetet i çuditur nga kjo shprehje e nga kjo sjellje. Ndërhyj, ulem pranë tij dhe i them: “Ti qenke vërtetë çun shumë simpatik!” më sheh pak i çuditur pse po mendoja ndryshe nga parafolësja, por më buzëqesh disi i lehtësuar… Ajo kthehet dhe më thotë: “E mi se për të mos e marrë mësysh ia thashë!”.

Unë i them që, fëmijët nuk i kuptojnë këto “shakara pa kripë” dhe largohem ndërkohë që gratë më shohin vëngër, duke menduar me vete a do e kuptojnë ndonjëherë ndikimin e tmerrshëm që kanë tek fëmijët këto tallje, ngacmime, apo shakara në dukje të pafajshme. Eci pak dhe dëgjoj bisedën e një vajze të vogël më babain. Ajo i tregon se mësuesja e etiketon vazhdimisht si “budallaqe” në mes të klasës, ndërkohë që i ati i përgjigjet më pasion se mësuesja ka të drejtë, në fund të ditës, ç’i duhet një vajze të vogël që korrigjon mësuesen kur bën gabime.

Mësuesja le të gabojë, fëmijët nuk duhet të bëjnë gabime! Nëse do t’i vinim re me kujdes, do na kalonin para syve shumë skena e komunikime të tilla që kemi kaluar gjatë jetës, por që kalojmë edhe çdo ditë gati-gati pa i vënë re, në rrugë, në shkollë, në televizion!

Çfarë modeli përcjellim me mënyrën si trajtojmë fëmijët dhe njërin-tjetrin në sy të tyre? Pse presim që ata kur rriten të sillen ndryshe nga ne? Apo pse presim që pasi u kemi thënë siç ndodh rëndom: “Po të shau, shaje më shumë, po të ra, bjeri më shumë!”, ata të mos bëhen të dhunshëm? Kur flasim për bullizmin që prek të paktën 1 në 5 fëmijë, disa prej së cilëve u shkatërrohet shkolla e jeta prej tij, na duket si një gjë e largët, që nuk do na ndodhë asnjëherë neve e as fëmijëve tanë.

Në fakt një nga specifikat e bullizmit është që mund t’i ndodhë kujtdo e në çdo kohë! Çfarë është bullizmi në fakt në definicionin zyrtar? Është një sjellje agresive e një personi kundrejt një tjetri (zakonisht më të vogël dhe më pak të pushtetshëm) për ta frikësuar, për ta nëpërkëmbur, shkelur dhe kontrolluar në mënyrë të vazhdueshme. Ajo që e dallon bullizmin nga konflikti, është pikërisht mungesa e balancës së pushtetit qoftë fizik apo shoqëror të njërës palë nga tjetra. Ndaj sa herë të na shkojë ndërmend të “ngacmojmë në mënyrë të vazhdueshme një fëmijë, qoftë verbalisht apo fizikisht, duhet të kujtojmë se, jo vetëm po kryejmë bullizëm, por edhe po japim një model komunikimi ku bullizmi është një sjellje normale.

Patjetër që studimi i bullizmit futet thellë në psikologjinë e agresorëve si njerëz me probleme dhune, depresioni, inati, etj, por një ndër problemet kryesore është edhe normalizimi i kësaj sjellje si pjesë e një përditshmërie e cila në fakt nuk është aspak e shëndetshme. Ka shumë hapa që mund të ndërmerren për të luftuar një fenomen të hidhur si bullizmi, por një ndër kryesorët (dhe më të thjeshtët) është pikërisht respekti për fëmijët dhe për njëri-tjetrin, duke mos tejkaluar nivelet e konfidencës së pakërkuar, si dhe duke mos dhënë modele që, të përjetësuara në një shoqëri të vështirë si e jona, mund të kthehen në një fatkeqësi si për ne, ashtu edhe për të tjerët.

Sado të na duket se duke u nxjerrë inatin të tjerëve, qoftë edhe në formë bullizmi, do të ndjehemi më mirë, në fakt futemi në një qark vicioz të dhunës që na prek të gjithëve. Në fund të ditës, nëse ata që janë rreth nesh nuk janë mirë, as neve nuk jemi mirë dhe e anasjella. Komunikimi i mirë, respekti për veten dhe për të tjerët, empatia apo marrëdhëniet e shëndetshme, janë gjithmonë zgjedhja më e mirë, jo vetëm për të tjerët, por mbi të gjitha për veten!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 164

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top