FB

September 8, 2021 | 8:30

Dhuratat e shtatorit

Shtatori, muaji legjendar i përfshirjes së fëmijëve dhe familjeve të tyre në udhëtimin e edukimit! Sipas moshës, të vegjlit fare shkojnë në çerdhe, tre-katërvjeçarët në kopshtin e fëmijëve, gjashtë-shtatëvjeçarët në klasë të parë, të tjerë vazhdojnë me shkollën nëntëvjeçare, të tjerë i futen rrugës që do t’i shpjerë drejt maturës, ndërsa maturantët e diplomuar u drejtohen fakulteteve.

Edmond Tupja

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Nga njëra anë, pra, kemi ata që do të shkollohen, që do të marrin dije dhe, njëkohësisht, do të edukohen, sepse, siç shprehej një pedagog francez i Rilindjes, “science sans conscience n’est que ruine de l’âme”, pra, “dija pa vetëdije është thjesht rrënim i shpirtit”, kurse, nga ana tjetër, kemi prindërit e fëmijëve, madje, jo rrallëherë, edhe gjyshërit e tyre. Mandej, shoqëria do të merret me edukimin e tyre të mëtejshëm.

Kemi kështu, ata që, për vite të tëra, do të jenë objekte edukimi dhe, përballë atyre, ata që do të jenë aktorë e, rrjedhimisht, faktorë të edukimit në fjalë. Në pamje të parë, duket sikur subjektet që do të edukohen do t’i nënshtrohen absolutisht personelit edukues, kështu e konceptojnë ende në vendin tonë këtë marrëdhënie jo pak njerëz, sidomos nëpër disa rrethe.

Mirëpo, studimet psikopedagogjike dhe evoluimi i shëndetshëm i ideve në këtë drejtim tregojnë se marrëdhëniet midis subjekteve për t’u edukuar dhe subjekteve edukues nuk janë thjesht të natyrës vartës-epror, ato janë e duhet të jenë përherë e më tepër marrëdhënie bashkëpunimi me një dozë empatie të dyanshme; secila palë duhet të tregohet shumë e vëmendshme ndaj tjetrës, le të themi që, fillimisht, psikopedagogët, pra edukatorët, me qëndrimet dhe sjelljen e tyre, duhet të fitojnë besimin e subjekteve për t’u edukuar; më tej, ata duhet t’u mësojnë këtyre çfarë duhet të bëjnë që edhe ata, edukatorët, ta ruajnë besim që kanë tek subjektet për t’u edukuar.

Kjo do të thotë që, me të nisur marrëdhënia e tyre, të dy palët do të “bien në ujdi” për një “kod nderi”: besim tek njëra-tjetra, empati dhe përulësi! Po, pa këto tri cilësi, procesi i edukimit do të ishte fort i mangët, për të mos thënë i dështuar! Nga ana tjetër, organet shtetërore duhet t’u krijojnë personeleve edukative në çerdhe, kopshte, shkolla të të gjitha niveleve kushte pune dhe rroga të denja për përmbushjen e misionin të tyre fisnik të edukimit të brezave të rinj.

Gjithashtu, ministria e Arsimit duhet të këqyrë me vëmendje këndvështrimin e ri të specialistëve finlandezë, sipas të cilëve brezat e rinj duhen formuar së pari si njerëz me virtyte humaniste mandej si kuadro shkencore qoftë edhe gjeniale. A nuk shkruante, qysh në shekullin XVI, filozofi e pedagogu frëng Montaigne “Une tête bien faite vaut mieux qu’une tête bien pleine”, pra, “Një mendje e ndërtuar për së mbari, vlen më shumë se një mendje e mbushur plot e përplot”? A nuk karakterizon kjo thënie atë që po ndodh sot në Shqipëri, ku fëmijët, skllevër të Internetit, të krijojnë idenë e gjenive të vegjël, krenari e prindërve dhe e krejt fisit, ndonëse kujtesën e kanë tejet të rënduar, ndërkohë që do të ishte shumë më e dobishme që familja dhe shkolla t’u mësojnë si të mendojnë drejt?

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 159

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top