FB

December 2, 2021 | 10:07

“Diagnostikimi i vonë, pengesa kryesore për mjekim”/ VOA: Në Shqipëri u regjistruan 91 infektime me HIV/AIDS gjatë këtij viti

Në Shqipëri, u infektuan sivjet me HIV/AIDS edhe 91 persona të tjerë, mes të cilëve edhe një fëmijë i mitur. Shqetësimi kryesor mbetet diagnostikimi i vonë i sëmundjes, që zbulohet rastësisht kur qytetarët shkojnë tek mjeku për sëmundje të tjera.

hivaids

Në Ditën Botërore kundër HIV/AIDS, mjekët bëjnë thirrje popullatës për as më shumë testime vullnetare, si e vetmja mënyrë që sëmundja të zbulohet herët dhe të kurohet si duhet. Sëmundja e HIV/AIDS është përhapur më tej gjatë këtij viti në Shqipëri, ku janë regjistruar 91 raste të reja me persona të prekur.

Sipas statistikave zyrtare, gjatë këtij viti 10 persona humbën jetën nga HIV/AIDS, 5 nga të cilët u përkitnin rasteve të reja, e mes tyre edhe një fëmijë e mitur vetëm 5 muajsh, që u diagnostikua me HIV pas vdekjes.

“Nëna nuk e dinte që ishte e infektuar. Nuk i është nënhtruar testimit gjatë shtatzanisë para lindjes dhe fëmija nuk ka marrë medikamente. Pra, është diagnostikuar pasi ka ndërruar jetë. Rasti tjetër është një fëmijë në Elbasan, i cili mbetet të verifikohet nga autoritetet, nëse është humbje jete për shkak të AIDS-it. ” – thotë Olimbi Hoxha, përfaqësuese e Shoqatës Kundër HIV/AIDS.

Ndërsa u shtuan 91 raste të reja infektimesh me HIV, gjatë këtij viti nisën mjekimin rishtas 101 persona. Ata janë një pjesë e 749 personave gjithsej që mjekohen aktualisht për këtë sëmundje, mes të cilëve 12 vetë pacientë janë fëmijë. Të gjitha mjekimet e këtij grupimi janë falas, po ashtu edhe testimi, por sfidë mbetet rritja e ndërgjegjësimit për kontrolle mjekësore nga vet qytetarët.

“Sivjet kemi patur edhe një rast të transmetimit nga nëna tek fëmija. Një nga pikat më të nxehta, ku ne duhet të punojmë më fort është testimi i gruas shtatzanë. Nëse një grua shtatzanë është HIV pozitiv, atëherë ekzistojnë të gjithë mjetet që fëmija të gëzojë shëndet të plotë dhe të jetë HIV negativ” – thotë Roland Bani, ekspert në Institutin e Shëndetit Publik.

Në statistikat e këtij viti, nga 91 rastet e reja të infektuar nga HIV/AIDS, 65 janë meshkuj, 26 janë femra, ndërsa sipas moshave, 1 është fëmijë, 8 të rinj dhe 82 të rritur. Shoqata e pacientëve me HIV / AIDS shprehu shqetësim për diagnostikimin e vonuar në shumicën e rasteve, për shkak të moskujdesit të vet qytetarëve për të kryer këto testime vullnetarisht.

Zonja Hoxha thotë se pjesa më e madhe zbulohen rastësisht, kur pacientët paraqiten me imunitet shumë të dobësuar dhe futen menjëherë në terapi.

“Rastet e diagnostikuara këtë vit shumica janë raste që kanë shkuar në spital me simptoma të tjera dhe aty i janë nënshtruar edhe testimit për HIV. Këto zbulime rastësore janë diagnostikimi i vonë, që është karakteristik për Shqipërinë. Testimi vullnetar dhe diagnoza e hershme është ende në nivele shumë të ulëta” – shprehet zonja Hoxha.

Pacientët shprehen se HIV/AIDS është një epidemi globale e përhershme, por vitin e fundit vëmendjen e ka Pandemia Covid-19.

Në kryeqytet Spitali Infektiv është shndërruar në spital Covid, dhe kjo ka krijuar një largësi në komunikimet mjek – pacient, për shkak se doktorët janë shumë të zënë me urgjencat e COVID-19.

Nga viti 1993 e deri sot në Shqipëri janë zbuluar 1 mijë e 493 raste me infeksionin HIV dhe sipas INSTAT vlerësohet se shkalla e përhapjes së këtij infeksioni në popullatë është është rreth 0.05 për qind.

“Infeksionet e reja, ashtu si në vitet e shkuara, janë diagnostikuar vonë. Edhe sivjet më shumë se gjysma e rasteve janë referuar nga klinikat, ku janë shfaqur shenjat e sëmundjes dhe u janë nënshtruar procedurave përkatëse” – thotë zoti Bani.

Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të ulët të testimeve për HIV në rajon dhe në kontinent.

Kjo sipas mjekëve, vjen kulturës së ulët shëndetësore, prej papërgjegjshmërisë së pacientëve që rrezikojnë me injektime drogash dhe marrëdhënie seksuale të pambrojtura, stigma dhe paragjykimet e shoqërisë.

Mjekët pohojnë se sa më herët të zbulohet HIV aq më lehtë kurohet, madje sigurohet edhe jetëgjatësia normale e pacientëve.

 

Burimi / VOA

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top