Një qeskë gjak nuk peshon as 500 gram. Por pesha që ka ajo qeskë është jeta e një fëmije talasemik që pret në shtratin e spitalit, fryma e një nëne në sallë operacioni, rrahjet e zemrës së dikujt që një minutë më parë ishte duke pirë kafe dhe në minutën tjetër ndodhej mes jetës dhe vdekjes.

Ditën Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut nuk e kremtojmë sepse kujtojmë një ditë në vit. E kujtojmë sepse na kujton që mishi ynë, gjaku ynë, mund të bëhet urë për dikë tjetër të kalojë lumin më të rrezikshëm. Spitalet bëjnë thirrje herë pas here, me zë që dridhet nga urgjenca: “Na duhet grupi O negativ, A, AB, B… na duhet çdo pikë”. Të gjithëve na ka ndodhur ta dëgjojmë atë thirrje. Një telefonatë në mes të natës për një aksident, një mesazh për një të afërm me hemorragji, një mik që duhet operuar urgjent. Në atë moment nuk pyesim për grupin e gjakut të shpëtimtarit. Pyesim vetëm: “Ka?”.
Nuk duhet të trembemi, sepse gjilpëra që merr 400-450 ml gjak është më e vogël se dhimbja e një humbje. Trupi yt e rigjeneron atë gjak brenda 24-48 orësh. Plasma kthehet brenda disa orësh, qelizat e kuqe brenda 4-6 javësh. Në 20 minuta je bërë hero pa pelerinë.
Frikën e mbajmë nga mosnjohja. Dhurimi bëhet në kushte sterile, me pajisje një-përdorimëshe, nën kontrollin e mjekëve. Nuk të dobëson, nuk të sëmur. Përkundrazi, për ty është një kontroll i vogël shëndetësor falas: tensioni, hemoglobina, analiza të shpejta. Kurse gjaku që dhuron nuk është “tepricë”. Është një ripërtëritje. Trupi prodhon më shumë, më të freskët.

Nuk duhet të kursehemi, sepse gjaku nuk prodhohet në fabrikë. Nuk ka zëvendësues. Nuk ka kompani që ta paketojë dhe ta sjellë me porosi. Kemi vetëm ne.
Një fëmijë me talasemi ka nevojë për transfuzion çdo 3-4 javë, gjithë jetën. Një pacient me kancer, me anemi të rëndë, me leukemi, varet nga dhuruesit vullnetarë.
Një ndërhyrje kirurgjikale e thjeshtë mund të kthehet në tragjedi pa dy qeska gjak. Dhe shpesh ai që ka nevojë nuk është “i huaj”. Nesër mund të jemi ne, familja jonë.
Sot që kemi shëndet, kemi detyrimin moral të jemi banka e gjallë e atij që nesër s’ka forcë të ngrihet nga krevati.
Nuk ka nevojë për një ditë ndërkombëtare për të kujtuar se dikush vuan. Por kjo ditë na zgjon. Na thotë: mos prit fatkeqësinë për të treguar njerëzillëk. Dhurimi vullnetar duhet të jetë zakon, jo reagim paniku. Duhet të jetë si larja e duarve, si frymëmarrja – diçka që e bën sepse është e drejtë.

Iniciativa individuale vlen më shumë se çdo fushatë
Ti që ke 18-65 vjeç, mbi 50 kg, pa sëmundje ngjitëse, mund të dhurosh çdo 3 muaj për meshkuj, çdo 4 muaj për femra. Katër herë në vit mund të shpëtosh deri në 12 jetë. Një orë nga koha jote për një jetë tërë për dikë tjetër.
Gjaku yt nuk ka çmim, por ka vlerë të pafund. Nuk e merr me vete kur ikën, por mund ta lësh pas si gjurmë. Kur dikush të thotë “nëse nuk do të kishte qenë ai dhurues, nuk do të isha këtu”, do kuptosh që forca e vërtetë nuk është në muskuj, është në venat ku rrjedh gjaku që zgjedh të ndahet. Mos u tremb! Mos u kurse! Shtri krahun! Sepse një pikë nga ti mund të jetë oqeani i dikujt tjetër.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

