Editorial

October 6, 2026 | 8:30

Nga Orjona Tresa: Kur jeta të kujton sa e çmuar është!

 

 

Ka momente në jetë kur gjithçka që na duket e rëndësishme papritur bëhet e vogël. Një telefonatë që nuk e prisnim, një rezultat analizash, një diagnozë, një fjalë e thënë nga mjeku në një dhomë të qetë, mund të na ndryshojë menjëherë mënyrën se si e shohim jetën.

grua-fjongo-roze-kanceri-i-gjirit

Deri atëherë kemi qenë të zënë me gjithçka: me punën, faturat, angazhimet, marrëdhëniet, pakënaqësitë, njerëzit që na kanë mërzitur, gjërat që nuk po shkojnë siç duam. Dhe pastaj kuptojmë se, në fund të ditës, ekziston vetëm një pasuri që nuk zëvendësohet dot me asgjë: shëndeti.

Kur shëndeti është mirë, rrallë e mendojmë. E marrim si të mirëqenë. Ecim, punojmë, udhëtojmë, planifikojmë të nesërmen dhe shtyjmë për një ditë tjetër edhe një kontroll rutinë. “Do ta bëj javën tjetër”, “s’kam kohë tani”, “nuk kam asgjë”, “jam mirë”. Por shëndeti nuk duhet kujtuar vetëm kur mungon.

Ndoshta kjo është një nga të vërtetat më të thjeshta dhe njëkohësisht më të vështira për t’u pranuar. Arritjet, paratë, karriera, shtëpia, udhëtimet, statusi, gjithçka që ndërtojmë gjatë jetës, kanë vlerë. Por asnjëra nuk mund të shijohet njësoj nëse trupi dhe mendja nuk janë mirë. Edhe mënyra se si ndihemi shpirtërisht lidhet fort me mënyrën se si jetojmë. Stresi i zgjatur, ankthi, lodhja, mungesa e gjumit dhe presioni i përditshëm nuk janë thjesht “probleme të kokës”. Trupi i përjeton të gjitha. Shëndeti fizik dhe ai mendor nuk jetojnë në dy botë të ndara, sepse janë pjesë e së njëjtës histori. Dhe pikërisht këtu nis përgjegjësia jonë ndaj vetes. Përgjegjësia jo për të jetuar me frikë nga sëmundjet, por për të jetuar me më shumë kujdes.

Tetori, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, na e rikthen çdo vit këtë bisedë. Flasim për kontrollet, për diagnostikimin e hershëm, për gratë që kanë kaluar përmes sëmundjes dhe për ato që ende po luftojnë. Por ndërgjegjësimi nuk duhet të zgjasë vetëm 31 ditë. As shëndeti nuk është një fushatë kalendarike. Për mua, kjo temë nuk është thjesht një çështje statistikash apo një mesazh që duhet përsëritur çdo tetor. Është personale.

Në një periudhë të jetës sime, sëmundja hyri në rrethin tim më të afërt përmes njeriut tim të zemrës, nënës sime. Disa vite më vonë, u përsërit, këtë herë tek ime motër. Dy përballje të ndryshme me të njëjtën frikë, dy njerëz të shtrenjtë dhe një ndjesi që nuk të lë më të shohësh asgjë njësoj. Sepse kur sëmundja prek dikë që do, nuk mbetet më një fjalë që e lexon në një raport mjekësor, por bëhet pjesë e jetës tënde, e ditëve të tua, e ankthit, e shpresës dhe e çdo lutjeje që çdo gjë të shkojë më mirë. Dhe pikërisht atëherë kupton më qartë se sa e brishtë është jeta dhe sa e çmuar bëhet çdo ditë e jetuar me shëndet.

Fjala “kancer” ka një peshë që vështirë të përshkruhet. Në momentin që e dëgjon, mendja shkon larg. Frika të merr përpara. Pyetjet vijnë njëra pas tjetrës. Çfarë do të ndodhë? A do të kalojë? Sa kohë do të zgjasë? Çfarë mund të bëjmë? Pastaj vjen ajo që ndoshta është më e rëndësishmja: përballja.

Përvoja me nënën time më mësoi se jeta nuk matet vetëm me vitet që kemi përpara, por edhe me mënyrën se si i jetojmë ato. Na mësoi të mos e shtyjmë kujdesin për veten për “nesër”. Sepse ndonjëherë ajo që ne e quajmë nesër mund të ishte dashur të bëhej sot.

Nuk jemi kurrë vonë për një kontroll! Një vizitë te mjeku, analizat e rekomanduara, kontrollet e gjirit apo ekzaminimet që mjeku i konsideron të nevojshme për moshën dhe historinë personale, nuk duhet të shihen si një burim frike. Përkundrazi, janë një mënyrë për t’i dhënë vetes një mundësi më shumë. Sigurisht, asnjë kontroll nuk është garanci absolute dhe asnjë sëmundje nuk mund të shpjegohet me një shkak të vetëm. Shëndeti është shumë më kompleks se kaq. Por një gjë është e qartë: kujdesi, informacioni dhe diagnostikimi i hershëm mund të bëjnë një ndryshim të madh në shumë sëmundje, përfshirë edhe kancerin e gjirit. Prandaj, le të mos presim tetorin për t’u kujtuar për veten!

Le të mos presim një dhimbje për të bërë një kontroll. Le të mos presim një diagnozë në familje për të kuptuar se sa e rëndësishme është të kujdesemi. Le të mos e konsiderojmë shëndetin si diçka që na përket automatikisht dhe përgjithmonë. Të duash shëndetin tënd do të thotë të duash jetën. Do të thotë të mos e lësh gjithçka në dorë të fatit. Sepse fati mund të ketë vendin e tij në historinë tonë, por kujdesi për veten është një përgjegjësi që na përket neve.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top