Aktualitet

December 3, 2021 | 10:43

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar / Tetraplegjikët shqiptarë kërkojnë më shumë mbështetje financiare

Aftësia e kufizuar nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por gjithashtu e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të shoqërisë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit lidhur me situatën e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha sferat e shoqërisë dhe aspektet e zhvillimit – jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.

0

Prej dy ditësh tetraplegjikët kanë protestuar para Kuvendit të Shqipërisë, në kërkim të disa të drejtave të tyre, për të cilat mendojnë se janë të domosdoshme për lëvizjen e tyre. Protestuesit kanë mundur të ndalin kryeministrin Edi Rama, duke i kërkuar atij person shoqërues për lëvizjen e tyre dhe rishikim të të ardhurave financiare që ato marrin.

02

“Na jepni mundësi të jetojmë të pavarur dhe kaq, të mos bëhemi barrë. Ne i kemi bërë të ditura kërkesat edhe në institucionin që ju drejtoni, edhe në Ministrinë e Shëndetësisë”, i tha Bajram Tirana, përfaqësues i protestuesve, Ramës. “Nga debati që patëm, lamë një datë që pasi dy ministritë të bisedojnë të dalin mbi pikat ekonomike që kemi parashtruar. Nuk pretendojmë të realizohen të 7 pikat, të mos harrojnë se kemi një marrëveshje në mes dhe kërkojmë implementim”, u shpreh Tirana.

1

Kryeministri ka premtuar se do të merren në shqyrtim kërkesat e tyre dhe ka kërkuar që ministrja e Financave të vijojë takimin me protestuesit.

Ndërkohë pas takimit të shkurtër me kryeministrin, tetraplegjikët u pritën nga ministrja e Financave Delina Ibrahimi, në një nga ambientet e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesat e tyre.

Para dhe tetraplegjikët kërkojnë rritje të pagesave për trajtimin e tyre, rikthimin e pagesës për energjinë elektrike, pagën për kujdestarin si dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga qeveria.

01

Në raportet e OBSH më shumë se një bilion njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar. Këta persona, përgjithësisht, kanë më shumë probleme shëndetësore, mundësi më të pakta ekonomike, edukim dhe arritje akademike më të ulëta. Kjo ndodh më së shumti për shkak të barrierave me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme, se sa si rrjedhojë ekskluzive e aftësisë së kufizuar.

Përpjekjet e OBSH-së për të mbështetur shtetet në aspekte të ndryshme, reflektohen në Planin e Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2014-2021, në Raportin Botëror për Aftësinë e Kufizuar, si dhe në Konventën e të Drejtave për Personat me Aftësi të Kufizuar.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar (3 dhjetor), u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Konventa e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar, e ndërtuar përgjatë disa dekadave të punës së Kombeve të Bashkuara dhe përshtatur në vitin 2008, ka përparuar edhe më shumë me implementimin e Agjendës për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030, dhe dokumenteve të tjera të ngjashme.

 

Përgatiti Orjona Tresa

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top